KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Ο προϋπολογισμός για τον πολιτισμό το 2027, με επαναλήψεις, μειώσεις και λίγα νέα έργα

1

...Tek institucionet kulturore, në raste të rralla vërehet rritje simbolike e buxhetit. E zbritjet në disa raste janë drastike...

Φωτογραφία: Driton Pacharada

Në Projektligjin që ka kaluar në Qeveri dhe pritet të miratohet në Kuvend, ajo që tash është Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të ketë për vitin e ardhshëm 58 milionë e 342 mijë e 929 euro. Për vitin aktual, kur bashkë me sportin e rininë, sektorë që mbulonte, kishte 98 milionë e 40 mijë e 794 euro. Tabelat e projektbuxhetit shpërfaqin se sektori i kulturës në përgjithësi do të ketë 27 milionë e 227 mijë euro, për dallim nga viti 2026, kur ka 27 milionë e 104 mijë euro. Projektet kapitale janë në shumicë përsëritje, e rritje ka në trashëgiminë kulturore për rreth 3 milionë euro

Kushdo që ka hartuar zërat buxhetorë të Ministrisë së Kulturës për vitin 2027, s’ka pasur aq shumë punë. Në shumicën e rasteve ka bartur shifra me “copy-paste”. Ky kombinim tastesh i ka hyrë në punë edhe te projektet kapitale, shumica e të cilave janë bartje nga viti i kaluar. Madje, aso bartjesh që bëhen ndër vite. I ka dalë pak punë te skena e pavarur, pasi është zbritur buxheti. E premtimet e mëdha për mbështetje më të madhe për institucionet kulturore e edhe për skenën e pavarur tashmë kanë rënë në ujë me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin që vjen.

Në Projektligjin që ka kaluar në Qeveri dhe pritet të miratohet në Kuvend, ajo që tash është Ministria e Kulturës dhe Turizmit, do të ketë për vitin e ardhshëm 58 milionë e 342 mijë e 929 euro. Për vitin aktual, kur bashkë me sportin e rininë, sektorë që mbulonte, kishte 98 milionë e 40 mijë e 794 euro.
Tabelat e projektbuxhetit shpërfaqin se sektori i kulturës në përgjithësi për vitin 2027 do të ketë 27 milionë e 227 mijë euro, për dallim nga viti 2026, kur ka 27 milionë e 104 mijë euro. Në këtë sektor një rritje e lehtë vërehet te shpenzimet kapitale. Prej 11 milionë e 605 mijë eurosh sa janë për këtë vit, për të ardhshmin do të jenë 12 milionë e 25 mijë euro. Te shpenzimet kapitale, nga 25 projekte sa ishin sivjet, më 2027 janë paraparë 20. Prej tyre, veç dy janë të reja, ndërsa 18 të tjera mbeten bartje, punë të pakryera. Normalisht, prin Teatri i Operës dhe Baletit, për të vazhduar me Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe projekte të tjera që enden nëpër planifikime buxhetore ndër vite. Të reja janë renovimi dhe zgjerimi i hapësirës së Teatrit të Qytetit në Gjilan dhe zëri buxhetor që figuron si “Shtëpia e Armatës – Muzeu i Mitrovicës”.

Te subvencionet dhe transferet, kultura do të ketë më pak buxhet. Sivjet ka 8 milionë e 560 mijë euro, kurse për vitin që vjen 8 milionë e 345 mijë euro. Shpenzimet komunale janë paraparë njëjtë, 187 mijë euro, përderisa zbritje ka edhe te mallrat dhe shërbimet. Nga 2 milionë e 631 mijë euro në këtë kategori, janë planifikuar 2 milionë e 491 mijë euro. “Përkrahja e kulturës” figuronte si zë më vete në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit. Nga kjo kategori përkrahet skena e pavarur e kulturës. Për sivjet janë 4 milionë e 450 mijë euro. Kjo kategori nuk është e veçantë në projektbuxhet. Por, kur kalkulohen shifrat e parapara për institucione, del se për skenën e pavarur do të mbeten 4 milionë e 95 mijë euro. Janë 355 mijë euro më pak, ose aq mjete sa shteti përkrah dy filma artistikë të metrazhit të gjatë.

Tek institucionet kulturore, në raste të rralla vërehet rritje simbolike e buxhetit. E zbritjet në disa raste janë drastike. Teatri Kombëtar i Kosovës për sivjet ka në dispozicion 350 mijë euro si subvencione dhe transfere, 10 mijë për shpenzime komunale dhe 240 mijë si mallra dhe shërbime. Për vitin e ardhshëm do të ketë veç 20 mijë euro më shumë te mallrat dhe shërbimet. Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit ka buxhet prej 2 milionë eurosh për subvencione. Po kaq do të ketë edhe vitin që vjen. Kurse te mallrat dhe shërbimet do t’i ketë 10 mijë euro më shumë, nga 97 mijë në 107 mijë euro. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka pësuar goditje të madhe. I është përsëritur buxheti te shpenzimet komunale, 16 mijë e 70 euro. Te mallrat dhe shërbimet do të ketë 240 mijë euro për vitin që vjen, nga 230 mijë sa kishte sivjet. E te subvencionet, nga 50 mijë euro sa ka tash, do të ketë veç 5 mijë euro për vitin që vjen. Pak ditë para se të votohej buxheti në Qeveri, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar “Shotën” gjatë provave. Ka premtuar mbështetje më të madhe. Por tabelat e buxhetit janë çështje tjetër. Filharmonia e Kosovës për sivjet ka 500 mijë euro te subvencionet, 9 mijë te shpenzimet komunale e 500 mijë për mallra dhe shërbime. Për vitin që vjen do të ketë 15 mijë euro më shumë te mallrat dhe shërbimet. TKK-ja dhe Filharmonia e Kosovës nga ky buxhet paguajnë së bashku edhe qiranë mbi 16 mijë euro në muaj. 

Galerisë Kombëtare të Kosovës po ashtu i është përsëritur buxheti te subvencionet, 600 mijë euro, dhe po ashtu te shpenzimet komunale, 16 mijë e 250 euro. Te mallrat dhe shërbimet do të ketë 210 mijë euro, që janë 30 mijë më shumë se këtë vit. Baleti Kombëtar i Kosovës do të ketë veç 10 mijë euro më shumë te mallrat dhe shërbimet. Sivjet ka 150 mijë te subvencionet e 350 mijë te mallrat dhe shërbimet. Rritja e buxhetit vërehet te një institucion që praktikisht nuk ekziston. Muzeu i Artit Bashkëkohor do të ketë 25 mijë euro më shumë te subvencionet, që në total për vitin që vjen janë 55 mijë euro, dhe 8 mijë euro më shumë te mallrat dhe shërbimet, që do të jenë 63 mijë euro. Opera e Kosovës sivjet ka 400 mijë euro te subvencionet, 157 mijë te mallrat dhe shërbimet, kurse 105 mijë te pagat dhe shtesat. Institucioni që s’ka ansambël të vetin, por funksionon si agjenci projektesh që angazhon artistë përmes projekteve, për vitin që vjen do të ketë 40 mijë euro subvencione, 177 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 103 mijë euro për paga dhe shtesa. Biblioteka Kombëtare e Kosovës sivjet ka numëruar 1 milion e 300 mijë euro tek investimet kapitale, 30 mijë te subvencionet, 135 mijë te shpenzimet komunale dhe 250 mijë euro te mallrat dhe shërbimet. Për vitin e ardhshëm do të ketë 360 mijë euro te shpenzimet kapitale, 35 mijë te subvencionet, 135 mijë te shpenzimet komunale dhe 260 mijë te mallrat dhe shërbimet.

Në fund të javës së kaluar, KOHA ka raportuar se institucionet qendrore të kulturës, në përgjithësi, janë duke u përballur me një avari buxhetore në këtë fundvit. Planifikimet e tyre janë përmbysur ndjeshëm në takimet që udhëheqësit kanë pasur para dy javësh me ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe kabinetin e saj. Në bazë të informatave që ka marrë KOHA, atyre u është kërkuar që t’i tkurrin programet dhe, po ashtu, të kenë kujdes edhe për vitin e ardhshëm. Krejt kjo vjen pas një ngritjeje të buxhetit në vitet e fundit dhe premtimit të përhershëm se: “Vetëm punoni, pasi do të keni edhe buxhet shtesë”. Po ashtu, është kërkuar që gjatë vitit të ardhshëm të shlyhen krejt borxhet. 
Pyetjeve të KOHËS për problemet buxhetore dhe kërkesën financiare për vitin që vjen, për tetë ditë, deri të enjten mbrëma, u janë përgjigjur vetëm Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Opera e Kosovës.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se nevojat e institucionit këtë vit janë më të mëdha se mundësitë aktuale buxhetore, prandaj kanë paraqitur kërkesat për rritje të buxhetit dhe presin mbështetjen e Ministrisë për përmbushjen sa më të mirë të objektivave të tyre institucionale. Sipas saj, ashtu siç i ka përkrahur Ministria vitin e shkuar, është duke i përkrahur edhe sivjet me një buxhet shtesë për përmbylljen e aktiviteteve të tyre.

“Për vitin 2027, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka paraqitur kërkesë për rritje të buxhetit prej 10 për qind në raport me buxhetin aktual. Kjo kërkesë është e lidhur me nevojat e institucionit për të përmbushur më mirë funksionet e tij, për të zhvilluar shërbimet bibliotekare, për të avancuar proceset e digjitalizimit dhe për të realizuar objektivat e planifikuara zhvillimore. Nga komunikimet me Ministrinë, kemi kuptuar se ekziston mundësia e shqyrtimit të një rritjeje buxhetore. Përgjigjen përfundimtare e presim në kuadër të procesit të miratimit të buxhetit”, ka thënë Rogova-Gaxha.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka treguar se institucioni aktualisht nuk ka asnjë euro. Po ashtu, ka thënë se ka detyrime të papaguara prej 215 mijë eurosh. Ky institucion koncertin e 5-vjetorit të themelimit do ta mbajë këtë muaj, pas një miratimi për buxhet shtesë nga Ministria e Kulturës. E për vitin që vjen, kërkesat i ka bazike.

“Kërkesa kryesore është që të hapen vendet e punës për instrumentistë dhe koristë, domethënë bërthama e parë e institucionit, që të jetë më i lehtë funksionimi dhe të kemi shumë më pak shpenzime për të angazhuar vazhdimisht ekipin me projekte”, ka thënë Ferizi. Por me Projektligjin për buxhet, kjo kërkesë bie në ujë.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027 e shton buxhetin për trashëgiminë kulturore me mbi 3 milionë euro. Nga 16 milionë e 867 mijë euro sa janë sivjet, për vitin që vjen do të jenë 20 milionë e 22 mijë euro. Në këtë kategori hyn edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Për projektet kapitale në trashëgiminë kulturore, për vitin që vjen janë paraparë 15 milionë e 935 mijë euro, nga 12 milionë e 869 mijë sa janë sivjet. Te subvencionet janë dhe sivjet do të jenë 1 milion e 320 mijë euro. Kurse mallrat dhe shërbimet nga 1 milion e 84 mijë euro shkojnë në 1 milion e 132 mijë euro. Te projektet kapitale, përsëritjet janë evidente. Sivjet janë 119 projekte, kurse vitin e ardhshëm do të jenë veç 103. Prej tyre, mbi 80 për qind janë bartje. Veç 19 figurojnë si projekte të reja.