Me këngën “Mali dhe Hana”, që thur vargje për peizazhet e natyrës e të dashurisë, Troja Bicurri, si kantautore 15-vjeçare, ka marrë çmimin kryesor në edicionin e katërt të Festivalit të Këngës në RTK, që sivjet rikthen emrin “Akordet e Kosovës”. Juria ka thënë ta ketë vlerësuar origjinalitetin e saj dhe jo vetëm. E, për Bicurrin, çmimi ka edhe një tjetër domethënie. Axha i babait të saj, Esat Bicurri, e kishte fituar çmimin e parë në “Akordet e Kosovës” më 1973. Kështu, siç ka treguar këngëtarja e re edhe në skenë, ky është çmimi i dytë i parë i këtij festivali që shkon në familjen e saj
Kënga “Mali dhe Hana”, e kënduar dhe kompozuar nga 15-vjeçarja Troja Bicurri, është shpallur fituese e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, që pas 38 vjetësh ka vënë në skenë emrin e “Akordeve të Kosovës”. Me këngën që ndërthur peizazhet e natyrës, dashurinë dhe dallimet mes dy të rinjve që vijnë nga botë të ndryshme, këngëtarja e re ka marrë çmimin e parë.
Troja Bicurri ka treguar se frymëzimin për këngën e ka marrë nga natyra dhe pamjet e vjeshtës.
“Këngën e kam shkruar kur kam realizuar videoklipin, në pjesën e fundit të këngës ‘Maybe’. Duke zbritur nga bjeshkët, ideja më lindi nga pamjet e vjeshtës, mali, hëna dhe natyra. Më pas, kur u ktheva në shtëpi, e vazhdova punën për të dhe e përfundova tekstin. Kënga flet për një vajzë nga fshati, e cila është e butë dhe e mirë dhe dashurohet me një djalë nga qyteti. Bëhet fjalë për dy të dashuruar, por vajza nis të ketë dyshime dhe mendime të tjera për këtë lidhje, për shkak të dallimeve mes botëve nga vijnë”, ka treguar ajo për KOHËN.
Fitorja ka domethënie shtesë për të. Axha i babait të saj, Esat Bicurri, e kishte fituar çmimin e parë në “Akordet e Kosovës” më 1973. Kështu, siç ka treguar këngëtarja e re edhe në skenë, ky është çmimi i dytë i parë i këtij festivali që shkon në familjen e saj.
Çmimin e dytë të festivalit e ka marrë Fatbardha Nikçi me këngën “Hajde mor i bukur”, sikurse i është ndarë edhe Çmimi i Orkestrës, kurse çmimi i tretë i është ndarë grupit “Hawolf” për këngën “Ti si unë”. Kjo e fundit, sipas grupit, u është kushtuar këngëtarëve të mirëfilltë të skenës muzikore.
Çmimi për tekstin më të mirë i është ndarë Olimpia Smajlajt për këngën “Amanet”. Vlerësimin ia ka dorëzuar Fatmir Podrimaj, anëtar i bordit drejtues të RTK-së dhe ish-prezantues i “Akordeve të Kosovës”. Podrimaj është paraqitur me një kostum që, siç është bërë e ditur gjatë mbrëmjes, e kishte veshur edhe në edicionin e vitit 1983.
Vendimi i jurisë ka ardhur pas interpretimit të të gjitha këngëve garuese, të cilat janë rikthyer në skenë edhe gjatë natës së dytë të festivalit, kur janë shpallur fituesit. Në këtë edicion janë prezantuar gjithsej 17 këngë, me stile të ndryshme muzikore, nga baladat te popi, rocku dhe alternativja.
Juria e festivalit është përbërë nga pesë anëtarë: rock-këngëtari dhe kantautori Bojken Lako, në cilësinë e kryetarit, bateristi Besim Gashi – Babuka, sopranoja Adelina Paloja, muzikanti dhe dirigjenti Astrit Pallaska, si dhe aktorja Rebeka Qena.
Anëtari i jurisë Besim Gashi ka thënë se vlerësimi nuk ka qenë i lehtë, për shkak të larmisë së këngëve dhe paraqitjeve të garuesve. Sipas tij, të gjithë kanë dhënë maksimumin, por numri i kufizuar i çmimeve ka bërë që juria të përzgjedhë vetëm tri këngë fituese.

“Të gjithë garuesit kanë qenë shumë të mirë dhe secili ka sjellë diçka të veçantë, meqë kanë pasur stile të ndryshme muzikore. Më e rëndësishmja është se të gjithë kanë dhënë maksimumin. Mirëpo, në një garë ku ndahen vetëm tre çmime, duhet të ketë fitues. Do të ishte mirë që në të ardhmen të kishte edhe kategori të tjera vlerësimi, si vokali më i mirë, performanca më e mirë apo aranzhimi më i mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se katër anëtarët e jurisë janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje të përbashkët dhe të marrin një vendim të drejtë.
Ai ka theksuar se festivali tashmë nuk kufizohet vetëm në muzikën e lehtë, siç ishte tradita e tij në të kaluarën, por përfshin zhanre të ndryshme.
“‘Akordet e Kosovës’ dikur ka qenë një festival që i kushtohej kryesisht muzikës së lehtë, por sot paraqet një larmi shumë më të madhe stilesh. Në këtë edicion kemi pasur këngë alternative, pop, madje edhe elemente të hip-hopit. Pra, është një festival ku ndërthuren zhanre të ndryshme muzikore. Kemi pasur edhe shumë balada të mira, por kjo larmi ka qenë një nga elementet që kemi marrë parasysh gjatë vlerësimit”, ka thënë ai.
Për këngën fituese ka thënë se e ka veçuar origjinaliteti, teksti, interpretimi dhe aranzhimi, por edhe fakti se një këngëtare 15-vjeçare ka arritur ta krijojë vetë këngën dhe ta përcjellë vizionin e saj artistik.
“Që në fillim më ka lënë përshtypje, personalisht. Është një këngë me origjinalitet, me tekst shumë të bukur dhe interpretim të veçantë. Edhe aranzhimi ka qenë shumë i mirë. Ajo që e bën edhe më të veçantë paraqitjen është fakti se kemi të bëjmë me një këngëtare të re, e cila e ka krijuar vetë këngën dhe ka arritur ta përcjellë energjinë dhe vizionin e saj artistik. Për mua, këto kanë qenë ndër arsyet kryesore që e kanë bërë këngën të dallohet në garë”, ka thënë bateristi Gashi më tej.
Sa i përket anës artistike, nata e dytë ka nisur me një homazh për ata që kanë sakrifikuar jetën për liri. Në skenën e sallës “1 Tetori”, balerina Behie Murtezi është paraqitur bashkë me balerinët e rinj, nën shoqërimin e violinistit Festim Fanaj. Përmes pikave të baletit dhe tingujve të violinës është hapur mbrëmja, në të cilën janë interpretuar sërish këngët garuese dhe janë ndarë çmimet.
Krahas garës, skena ka sjellë edhe mysafirë që kanë krijuar një lidhje mes gjeneratave të muzikës. Rock-këngëtari dhe kantautori Bojken Lako është ngjitur në skenë, duke folur edhe për raportin e tij me Kosovën.
“Pavarësisht se jemi afër, jam ndier pak si larg. Mbase zhurma, më duket se këto vite nuk i kemi dhënë rëndësinë e duhur të qenit më afër. Mesazhi është të bëjmë më shumë për njëri-tjetrin dhe për të gjithë shqiptarët”, ka thënë ai. Për organizimin e festivalit, Lako ka vlerësuar punën e bërë, duke e cilësuar atë si trashëgimi të pionierëve të kësaj ngjarjeje dhe si maksimumin e mundshëm të produksionit.
“Kjo punë është e trashëguar prej gjithë atyre pionierëve dhe është maksimumi i produksionit”, ka thënë ai për organizimin e festivalit, para se të interpretojë në skenë.
Në skenë ka interpretuar edhe këngëtari Besnik Qaka, me këngët e tij “Ashtu sikur dje” dhe “Mos u nal”, ndërsa një tjetër mysafire ka qenë Deniza Begolli, e cila e ka rikthyer publikun në edicionin e fundit historik të “Akordeve të Kosovës”, më 1989. Ajo ka kënduar “Dëshira”, këngën me të cilën kishte marrë pjesë në atë edicion.
Begolli ka kujtuar entuziazmin e artistëve të asaj kohe dhe dashurinë për muzikën, duke thënë se synimi i tyre kryesor kishte qenë shprehja e kreativitetit.
“Kemi qenë para kohës. E kemi dashur shumë muzikën dhe kemi qenë entuziastë të mëdhenj. Qëllimi kryesor ka qenë ta shfaqim kreativitetin tonë. Sfida më e madhe ka qenë nëse do të mund të merrnim një termin në radio për ta incizuar këngën. Nuk kemi pasur asnjë interes tjetër”, ka thënë ajo.
Edhe Sead Jakupi nga grupi “Telex”, i cili kishte qenë pjesëmarrës në edicionet e mëparshme të festivalit, është rikthyer në skenë me këngën “Ndoshta një ditë” dhe interpretime të tjera.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, e cila ia ka ndarë çmimin e parë Troja Bicurrit, ka theksuar se “Akordet...” ishin ndaluar dhunshëm.
“Më bën të lumtur që kemi krijuar këtë mundësi dhe që janë rikthyer ‘Akordet’. Kosova ka pasur traditë dhe është diçka që është ndaluar dhunshëm. Më vjen mirë që në liri po mbahen përsëri”, ka thënë ajo.
E drejtoresha e RTK-së, Zana Spahiu, ka thënë se momentet më kulmore të festivalit kanë qenë artistët në skenë dhe emocionet që kanë përcjellë ata tek organizatorët dhe publiku.
Me emra të rinj në garë dhe homazhet për krijuesit e muzikës shqipe, “Akordet e Kosovës”, me rikthimin e emrit, synon të ruajë kujtesën muzikore të vendit.