KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Συγχορδίες Κοσόβου» στην αρμονία της παράδοσης και της σκηνής που αναζητά ταυτότητα

χορδή

Nostalgjia e “Akordeve...” rikthehet në skenë me gjeneratën e re të muzikës

Rikthimi i “Akordeve të Kosovës” në edicionin e katërt të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka sjellë në skenë kujtimet e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së muzikës shqipe. Nën tingujt e këngëve të dikurshme, me homazhe për krijuesit që kanë lënë gjurmë dhe me interpretime të reja të artistëve të rinj, nata e parë e festivalit ka ndërthurur nostalgjinë me përpjekjen për të ndërtuar traditë të re muzikore. Në natën e parë, kompozitorja Pranvera Badivuku ka marrë çmimin e Festivalit për vepër jetësore, si vlerësim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën shqipe

Tingujt e kohës që ka lënë gjurmë në historinë muzikore të Kosovës janë rikthyer në skenën e kuruar të sallës “1 Tetori”, ku të premten mbrëma ka nisur edicioni i katërt i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, sivjet nën emrin “Akordet e Kosovës”.

Pas gati tri dekadash ndërprerjeje të festivalit historik me këtë emër, nata e parë ka sjellë përpjekjen për ta lidhur të kaluarën me të tashmen duke rikthyer këngët, kujtimet dhe emrat që kanë ndërtuar kapitull të rëndësishëm të kulturës muzikore shqiptare.

Prezantuar nga aktorja Flaka Latifi dhe gazetari i RTK-së, Agron Krasniqi, festivali është hapur me melodinë që tashmë është shndërruar në himn të Festivalit të Këngës. Që në fillim të natës së parë të Festivalit, prezantuesit kanë paralajmëruar se kjo natë do të sjellë “turbulenca”, duke iu referuar ndërthurjes së kohëve, stileve dhe frymave muzikore. Me duartrokitje janë kujtuar organizatorët e dikurshëm të “Akordeve të Kosovës”, ndërsa Teuta Kurti dhe Florent Abrashi kanë rikthyer atmosferën e asaj periudhe nëpërmjet një kolazhi këngësh që kanë shoqëruar festivalin ndër vite.

Nostalgjia nuk është mbështetur vetëm në interpretimet muzikore. Gjatë mbrëmjes është bërë e ditur se Posta e Kosovës ka lëshuar një pullë postare me imazhin e “Akordeve të Kosovës”. Skenografia, ndriçimi dhe madhështia e skenës kanë ruajtur përmasat e spektaklit të edicioneve të mëparshme të Festivalit të Këngës në RTK, por këtë herë me një ngarkesë tjetër simbolike: atë të një emri që bart histori.

“Akordet e Kosovës” e kanë nisur rrugëtimin më 1963 dhe kanë qenë ndër ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së lehtë në Kosovë. Festivali ka fituar rëndësi të veçantë në jetën kulturore, ndërsa prej vitit 1974 është transmetuar nga Radiotelevizioni i Prishtinës. Për vite me radhë ka shërbyer si platformë për kompozitorë, autorë dhe interpretues, duke ndihmuar në zhvillimin e këngës shqipe në zhanre të ndryshme. Ndërprerja e veprimtarisë së tij në fund të viteve ’80 dhe ndryshimet e dhunshme institucionale të fillimviteve ’90 kanë lënë një boshllëk të gjatë në këtë traditë.

Edhe Festivali i Këngës në RTK ka nisur pas një periudhe mbi tridekadëshe në mungesë të kësaj ngjarjeje. Rikthimi i sivjetmë i emrit të kësaj ngjarjeje synon ta vendosë festivalin e ri në raport me këtë trashëgimi, ndonëse organizimi i tij në formatin aktual ka nisur vetëm para katër vjetësh. Tri edicionet paraprake janë mbajtur në atë që njihet si salla e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ndërsa kjo ka qenë hera e parë që është zhvendosur në sallën e sporteve “1 Tetori”.

Drejtoresha e Festivalit të Këngës në RTK, Arta Avdiu, ka thënë se ndryshimi i hapësirës ka sjellë dilema në fillim.

“Kjo është hera e parë që Festivalin e Këngës ‘Akordet e Kosovës’ po e realizojmë në sallën ‘1 Tetori’. Në edicionet e kaluara e kemi organizuar vazhdimisht në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Sivjet kishim dilemat tona se si do të dukej skena dhe si do të organizohej i gjithë ambienti, megjithatë patëm shumë lehtësira, sepse stafi i sallës ‘1 Tetori’ ishte jashtëzakonisht bashkëpunues”, ka thënë ajo.

Sipas saj, përvoja e fituar gjatë tri edicioneve të kaluara ka ndikuar që organizimi të zhvillohet më lehtë, ndonëse as kësaj here nuk kanë munguar defektet teknike.

“Ky është edicioni i katërt dhe ekipet e Radiotelevizionit të Kosovës tashmë kanë fituar përvojë. Ata e kanë mësuar më mirë procesin dhe janë më të përgatitur krahasuar me edicionet e kaluara. Natyrisht, edhe këtë herë pati disa defekte teknike, por ato janë gjëra që mund të ndodhin në çdo edicion të drejtpërdrejtë. Megjithatë, shpresoj që publiku të jetë kënaqur”, ka thënë Avdiu.

Me rikthimin e emrit “Akordet e Kosovës”, festivali ka tentuar të krijojë urë midis traditës së ndërprerë dhe skenës që po kërkon identitetin e vet

Ndër ngjarjet më të veçanta të natës së parë të këtij edicioni ka qenë nderimi për kompozitoren Pranvera Badivuku, e cila ka marrë çmimin për vepër jetësore. Homazhi i realizuar përmes performancës së aktores Rebeka Qena ka rikthyer në vëmendje kontributin e grave në muzikën shqipe dhe vështirësitë me të cilat ato janë përballur në rrugëtimin krijues. Qena ka kujtuar se, edhe sot, grave në art u duhet jo vetëm të krijojnë, por edhe të dëshmojnë se e meritojnë vendin e tyre.

Kësisoj, ajo ka përmendur Badivukun, e cila ka krijuar rreth 200 këngë dhe ka marrë pesë “Okarina të Arta” në edicionet historike të “Akordeve të Kosovës”.

“Jam shumë e nderuar dhe e vlerësuar”, ka thënë Badivuku pas pranimit të çmimit.

Ajo e ka cilësuar mrekulli praninë në këtë mbrëmje, veçanërisht, sipas saj, duke e parë brezin e ri të skenës muzikore të vendit.

“Është mrekulli që jam këtu sonte. Kjo më bën shumë të lumtur, veçanërisht kur shoh anëtarët e rinj të orkestrës, shumë të talentuar. Jam shumë e gëzuar që në edicionin e katërt festivali merr emrin ‘Akordet e Kosovës’. Me këtë do të përtërihen kujtimet e dikurshme të një organizimi që ka dhënë kontribut të rëndësishëm kulturor në kultivimin e këngës në të gjitha zhanret”, ka thënë ajo duke i uruar festivalit jetëgjatësi.

Dirigjenti Memli Kelmendi, i cili ka drejtuar Orkestrën e Festivalit së bashku me dirigjenten Lirjona Sylejmani, ka thënë se ky rikthim nuk duhet kuptuar si përpjekje për ta riprodhuar të kaluarën, por si mundësi për ta bartur frymën e saj në një kohë dhe realitet tjetër.

“Për mua ka qenë kënaqësi e veçantë që jam sërish pjesë e këtij edicioni. Të jem pjesë e kësaj skene dhe e këtij manifestimi kulturor është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, sidomos duke pasur parasysh se po bashkëpunojmë me muzikantë fantastikë, si nga bendi, ashtu edhe nga orkestra. Kjo është një ndërlidhje, siç e përkufizon edhe vetë emri i festivalit, ‘Akordet e Kosovës’, mes së kaluarës dhe së tashmes së Kosovës. Mendoj se edhe muzika e përcjell të njëjtin mesazh”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka vlerësuar se festivali po e gjen gradualisht identitetin e vet dhe se nuk ka nevojë të kthehet te fryma e dikurshme e mirëfilltë e “Akordeve...”, pasi rrethanat kanë ndryshuar.

“Mendoj se fryma që festivali ka pasur dhe ajo që po i jepet tani është e duhura. Kjo na afron më shumë edhe me festivalet e tjera evropiane dhe botërore. Lirisht mund të them se festivalin tonë mund ta krahasojmë edhe me festivale që kanë përvojë shumë më të madhe se ne. Kjo dëshmon se edhe ne dimë të organizojmë bashkërisht një festival të nivelit të lartë”, ka thënë ai.

Përtej homazhit dhe kujtesës, skena ka hapur hapësirë edhe për gjeneratën e re të muzikës. Mysafirja e parë që ka rikthyer një pjesë të nostalgjisë ka qenë këngëtarja Jonida Maliqi. Ajo ka interpretuar këngën “Thesar pa emër”, të cilën ia ka kushtuar të birit, ndërsa pjesëmarrjen në këtë edicion e ka cilësuar si rikthim të një ngjarjeje që Kosovës i ka munguar.

“I rikthehem kësaj skene pas 15 vjetësh. Kosovës i mungonte ky festival dhe jam e lumtur që në këtë edicion të katërt jam pjesë e tij”, ka thënë Maliqi. Më pas ka kënduar këngën “Ktheju tokës tënde”, me të cilën kishte përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision” në vitin 2019.

Në skenë është kujtuar edhe periudha e lulëzimit të muzikës rock dhe nënzhanreve të saj, ndërsa bateristi Nesim Maxhuni i ka inkurajuar të rinjtë të provojnë sa më shumë rryma muzikore. Një tjetër paraqitje që ka sjellë këtë frymë ka qenë ajo e grupit “Hawolf”, të përbërë nga tre vëllezërit Havolli, të cilët kanë interpretuar këngën “Ti si unë”, një ndër këngët garuese të edicionit të sivjetmë.

Programi qendror garues ka nisur me Besmir Shishkon, i cili ka interpretuar këngën “Përjetësisht”. Pas tij janë paraqitur Shpend Lleshi me “Vala”, Verona Kastrati me “Flakë” dhe Sajana Kodheli me “E lirë”. Troja Bicurri ka sjellë këngën “Mali dhe Hana”. Duke interpretuar me kitarë në skenë, ka sjellë rrëfimin poetik të saj nëpërmjet këngës së shkruar nga vetë ajo.

Sidorela Kelmendi-Gashi, e cila me “Duje” nga Albina dhe Familja Kelmendi, patën prezantuar Shqipërinë në “Eurovision” në vitin 2023, ka sjellë në skenën e “Akordeve...” baladën e fuqishme “Vetëm kam mbetur”.

Rinea Vitija ka interpretuar këngën “Histori”, e më pas Arbër Krasniqi ka interpretuar rock-baladën “Vjeshtë”, si pjesë e garës së edicionit të katërt të festivalit.

Radha e interpretimeve në programin e natës së parë të “Akordeve...” vazhdoi me Algert Salën dhe Jet që kanë sjellë këngën “Gati tu”, duke hapur paraqitjen e tyre në programin qendror garues, Dea Pasha e cila është ngjitur në skenë me këngën “Sërish”, Miranda Lipovica këngën “Pranvera”, Niki Selmanaj me “E lirë”, Rei Bezhani dhe Martina Serreqi me “2011” në duet, Urim Salihu me “I njëjti”, Khuba me “Larg”, Olimpia Smajlaj me “Amanet” dhe Fatbardha Nikçi me “Hajde mor i bukur”. Në listë ka qenë dhe Art Lokaj me këngën “Pa ngjyra”, por ai nuk ka interpretuar.

Në fund të programit, artistët pjesëmarrës kanë interpretuar së bashku këngën “Heal the World” të Michael Jacksonit. Përmes kësaj performance është kërkuar drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt, ndërsa është përcjellë edhe mesazhi se arti ka fuqinë të ndikojë në shoqëri, të japë mesazhe dhe të nxisë ndryshime. Mesazhi i organizatorëve ka qenë që dashuria dhe paqja të mbizotërojnë mes njerëzve, në Kosovë dhe përtej saj.

Arsi Bako, fituesja e edicionit të tretë me këngën “Rreze zjarr”, është kthyer në skenë për të interpretuar këngën fituese.

“Kam prapë ethe, por janë të bukura, të përforcuara si fituese e edicionit të kaluar”, është shprehur ajo para se të interpretojë këngën fituese të edicionit paraprak.

Juria e edicionit të katërt përbëhet nga bateristi Besim Gashi – Babuka, sopranoja Adelina Paloja, muzikanti dhe dirigjenti Astrit Pallaska, aktorja Rebeka Qena dhe këngëtari Bojken Lako, i cili është kryetar i jurisë.

Në natën e dytë të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTK, të shtunën (sonte) do të ndahen çmimet dhe fituesi i sivjetmë. Me rikthimin e emrit “Akordet e Kosovës”, festivali ka tentuar të krijojë urë midis traditës së ndërprerë dhe skenës që po kërkon identitetin e vet.