KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Στήλες

Η τρίτη αλήθεια

Rrallëherë në jetë të ofrohet shansi i dytë. Qytetarëve serbë tani u është ofruar shansi i tretë që të bëjnë një shtet të drejtë, të begatshëm dhe evropian. Urojmë që tani e treta e vërteta

Serbia është në udhëkryq. Një rrugë e çon Serbinë në perëndim, ku Serbia përqafon demokracinë liberale, tregun e lirë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe Evropën. Rruga tjetër e çon Serbinë në lindje, ku Serbia zgjedh mitet historike, nacionalizmin dhe konfliktet. Në mes të këtij udhëkryqi është një njeri autokrat, i cili ka kthyer partinë në shtet. I gjithë aparati i sigurisë, gjyqësor dhe mediatik është në shërbim të partisë shtet. Krimi i organizuar është nën kontroll të sigurimit të shtetit dhe është vendosur në shërbim të partisë. Atyre u janë bashkangjitur edhe oligarkët, të cilët kanë hapur kuletat e tyre për partinë. Opozita është e re dhe e brishtë. Mediat portretizojnë anëtarët e opozitës si tradhtarë dhe agjentë të huaj. Ato pak mediat të lira janë nën represion shtetëror. Në këtë mjedis mbahen zgjedhjet në Serbi dhe kur e gjithë bota zgjedh perëndimin, Serbia shkon në lindje. Është viti 1990, muri i Berlinit sapo kishte rënë dhe Serbia zgjedh Sllobodan Millosheviqin për president të parë demokratik.

Serbia është përsëri në udhëkryq. Autokrati, i cili dërgoi Serbinë në luftërat më fqinjë, izoloi Serbinë nga bota, kolapsoi ekonominë e saj dhe bëri krimet më të rënda, që nga lufta e dytë botërore po lufton që të mbetet në pushtet. Përsëri në krahun e tij është i gjithë aparati i sigurisë, gjyqësor dhe mediatik, si dhe oligarkët dhe krimi i organizuar. Sanksionet i kanë bërë të bashkëpunojnë edhe më afër se kurrë. Mediat vazhdojnë narracionin se anëtarët e opozitës janë tradhtarë të lidhur me agjenturat e huaja dhe pjesë e konspiracionit global, që ka për synim gjunjëzimin e Serbisë. Zgjedhjet portretizohen si mbijetesë e sovranitetit dhe patriotizmit serb kundër dorëzimit të saj fuqive të huaja. Por, kësaj radhe, opozita nuk është e re dhe e brishtë. Një dekadë represioni e kanë bërë më të fortë, më me përvojë dhe më të organizuar. Një lëvizje rinore pa strukturë është duke i treguar shoqërisë serbe se nuk ka nevojë të ketë frikë. Opozita bashkohet rreth një kandidati të vetëm dhe autokrati humb zgjedhjet. Revolucioni i tetorit sjell shpresë se Serbia tani mund të përqafojë demokracinë, progresin dhe Evropën. Është viti 2000 dhe Serbia zgjedh Vojsillav Koshtunicen për president të Serbisë.

Serbia është përsëri në udhëkryq. Kryeministri i parë reformator serb është vrarë dhe me të është vrarë edhe revolucioni që largoi Millosheviqin. Vrasësit e tij janë të lidhur me shtetin dhe asnjëherë nuk do të zbulohen. Forcat progresive politike që fituan zgjedhjet u shpërbën shpejt dhe forcat nacionaliste të viteve të kaluara janë riorganizuar dhe kthyer në pushtet pas vetëm pak vjetësh. Në krye të Serbisë është përsëri një autokrat, i cili refuzon perëndimin dhe ka kthyer përsëri shtetin në pronë të partisë së tij. Nën sundim të tij, shteti dhe krimi kanë humbur vijën ndarëse, ndërsa nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese deri te polici i lagjes, të gjithë janë në kontroll të plotë të partisë. Çdo kritikë ndaj autokratit apo partisë portretizohet si sulm mbi shtetin. I gjithë spektri mediatik pasqyron opozitën si tradhtar dhe pjesë e agjenturave të huaja. Opozita ballafaqohet me represion, frikësim dhe dhunë të vazhdueshme. Është në kufi të mbijetesës. Sidoqoftë në gjithë këtë sfond të zi, lind një dritë shprese. Studentët serbë fillojnë një organizim politik, i cili ka për synim përmirësimin e shtetit serb. Ata fillimisht nuk kërkojnë pushtet, por llogaridhënie. Kur kërkesat e tyre injorohen, ata shndërrohen në lëvizje politike. Pothuajse e gjithë opozita rreshtohet pas studentëve. Autokrati portretizon Serbinë si viktimë të konspiracionit global, i cili ka për synim nënshtrimin e Serbisë, ndërsa studentët si veglat e tyre dhe bllokues të shtetit serb. Në këtë mjedis politik, Serbia mban zgjedhje dhe autokrati humb zgjedhjet. Revolucioni i tetorit sjell shpresë se Serbia tani mund të përqafojë demokracinë, progresin dhe Evropën. Është viti 2026.

Arsyeja përse bëra këtë udhëtim në kohë është për të thënë se Serbia është sot në udhëkryqin e saj të tretë politik. Herën e parë ata zgjodhën një demagog populist, i cili e izoloi Serbinë nga jashtë dhe e shkatërroi nga brenda. Nën sundim të tij, Serbia humbi trenin e historisë. Herën e dytë, shpresat e qytetarëve serbë u varrosën nga një autokrat, i cili donte dashurinë ruse, ndërsa paratë Evropiane. Ai bëri koalicion me sigurimin e shtetit dhe krimin për të pasuruar veten dhe për të shkatërruar demokracinë serbe. Herën e parë, viktimat më të mëdha të Serbisë ishin fqinjët e saj, herën e dytë ishin vetë qytetarët e saj.

Rrallëherë në jetë të ofrohet shansi i dytë. Qytetarëve serbë tani u është ofruar shansi i tretë që të bëjnë një shtet të drejtë, të begatshëm dhe Evropian. Urojmë që kanë mësuar nga historia, ndoshta e treta e vërteta.