Γιατί;
Çupa ishte e lezetshme, me kaçurrele si sumbulla dhe dhëmbë të rrumbullakët si margaritarë të vocërr që ia zbulonte buzëqeshja. Ishte dyvjeçare. Mori mausin për të hapur ekranin e kompjuterit. Preku Y-në në tastierë. Në historinë e kërkimeve i doli automatikisht Y8 dhe ajo e klikoi. Dolën videolojërat. E zgjodhi me maus lojën e preferuar. Kështu përditë. Luante me shumë përqendrim për një orë a dy derisa mërzitej dhe shkonte para televizorit për të lëshuar videokasetën me filmin e preferuar. Ishte shumë e urtë.
Nëna e saj e merrte pastaj, e ushqente, ia ndërronte pelenat, ia kryente të gjitha kërkesat para se fëmija të kishte nevojë të nyjëtonte një fjalë.
„Si e ke emrin?“
Nuk dinte ta thoshte. Nuk dinte të fliste. Nuk kishte nevojë.
Psikologu i pensionuar thoshte se ky fëmijë ia ngatërronte të gjithë diturinë që e kishte nxënë që nga studimet e tij në vitet pesëdhjetë. Shumë e vështirë është të përcaktohet inteligjenca pa gjuhën, thoshte. E ky fëmijë po tregonte shenja të inteligjencës mbi mesatare e, në anën tjetër, nuk po fliste thuaja fare.
Dymbëdhjetë vjet më pas, e nja shtatë para këtij shkrimi, në fluturimin nga Gjeneva në Prishtinë, piloti po jepte një informacion për kureshtje: ishin rreth pesëdhjetë fëmijë në aeroplan. Njërin prej tyre e shihja në prehërin e të atit ngjitur meje, e tjetrin në ulësen në anën tjetër të kalimit. Të dy ishin të përqendruar në telefonët e prindërve të tyre. Ishin mbase 4 - 5-vjeçarë. Nuk dinin të flisnin ende. Kujtova se nuk dinin të flisnin shqip, si fëmijë të rritur në një qytet ku flitet tjetër gjuhë si gjuhë e parë. Mirëpo, ata nuk dinin as frëngjisht, as ndonjë gjuhë tjetër.
Në të vërtetë, gjithnjë e më shumë po mund të shohim fëmijë që janë 5 a 6-vjeçarë e që flasin sa një fëmijë 2-vjeçar. Prindërit ndonjëherë mburren: “Po flet anglisht”, sepse fëmija aty-këtu e thotë ndonjë gjysmë fjale me fonetikë të varfëruar në anglishten. E vërteta është se fëmija nuk di të flasë asnjë gjuhë.
Shkenca e sotme nuk e ka ende përgjigjen e plotë, por rezultatet empirike e bëjnë pa mëdyshje lidhjen me kohën e kaluar të fëmijës me ekranin: qoftë telefon, qoftë tablet, qoftë televizor.
Pyetja e parë që duhet ta shtrojmë në kohën e sotme, para se të kërkojmë përgjigjen përse po kanë vonesë në të folur shumë fëmijë të sotëm, është: përse flasin njerëzit? Dy përgjigje tap-rrap m’i japin. Një, se e kemi aparatin e përkryer të të folurit dhe, dy, se jemi më inteligjentë se primatët e tjerë.
Argumentin e parë ta pshurrin, po e zëmë, bilbili e papagaji. Kanë aparat që prodhon varietet shumë më të pasur tingullor, por nuk arrijnë të komunikojnë në mënyrë të kodifikuar mes vete. Argumentin e dytë, ta pshurr shimpanzeja. Një shimpanze e zakonshme e ka inteligjencën sa një fëmijë 3-vjeçar. Kur biri im, Guri, ishte 13 muajsh, ai nyjëtonte goxha fjalë dhe, pa mbushur dy vjet të plotë, kishte fjali të tëra që i lidhte. Një shimpanze do të duhej të fliste, pra, të paktën, po aq sa Guri kur ishte në pelena.
Një shimpanze është më inteligjente se fëmija 13-muajsh, por nuk arrin të flasë.
Studimet mbështeten në hipotezën se homo sapiensi, që jemi ne, ka nisur të flasë diku në revolucionin kognitiv 40.000 a pak më shumë vjet më parë. Homo sapiensi nuk kishte pasur ndryshim të vëllimit të trurit për afër dyqind mijë vjet. Pra, inteligjenca e tij nuk ishte përmirësuar befas në kohën e revolucionit kognitiv. Çfarë kishte ndodhur në atë kohë?
Një eksperiment me shimpanze, kapuçinë e fëmijë 3 - 4-vjeçarë e para rreth 15 vjetëve e ka shpjeguar këtë. Kur ishte bërë matja e inteligjencës së shimpanzeve dhe të fëmijëve 3 e 4-vjeçarë individualisht, shimpanzetë dhe fëmijët kishin dhënë rezultate të njëjta. Mirëpo, kur u ishte dhënë në grup një detyrë shumë më e vështirë, fëmijët e kishin zgjidhur për 2 orë e pak. Shimpanzetë as për 53 orë. Kamerat tregonin se fëmijët kishin bashkëpunuar mes vete. Shimpanzetë e kishin zgjidhur, kur më e zgjuara mes tyre, Einsteini i shimpanzeve, pra (që kishte qenë femër), i kishte rënë në fije dikur. Suksesi i fëmijëve lidhej me proceset sociokognitive si mësimdhënie me udhëzim verbal, imitim dhe prosocialitet që mungonin te shimpanzetë. Studimi mund të shtrojë hipotezën se revolucioni kognitiv i homo sapiensit kishte qenë jo si zhvillim i trurit, por si zhvillim i raporteve sociale. Njerëzit kishin filluar të flisnin, kur kishin filluar të dinin si ta mësonin dikë dhe si të mësoheshin nga dikush, pra të bartnin dhe të vjedhnin dije.
Gjuha, si e tillë, është mjet social i njeriut dhe, kur njeriu pushon së qeni social në këtë mënyrë, atëherë nuk ka nevojë për gjuhë dhe as nuk e nxë gjuhën. Koha e kaluar në ekran është kohë e kaluar në një komunikim të njëanshëm, njëdrejtimësh, ku „palët“ nuk kanë nevojë t’i përgjigjen gojarisht njëri-tjetrit. Prek sustën, „all good“.
Gjithnjë e më shumë po dëgjoj edhe moshatare e moshtarë të mi që po ankohen se kovidi ua ka çartur kujtesën dhe përqendrimin. Pastaj, hapin telefonët dhe shikojnë video 15 - 20-sekondëshe. Fjala e vitit më 2024 ishte „brainrot“, për këtë sëmundje të kohës sonë, kur kemi pengesa të kujtesës e të përqendrimit në përpjesëtim të drejtë me kohën e kaluar në ekrane me video afatshkurtra.
Prindërit e rinj ua japin fëmijëve një tablet a një telefon, apo ua lëshojnë një film të animuar në televizor për t’i hequr qafe, për t’i qetësuar nja dy-tri orë. Në kohën time, fëmijëve u kemi treguar përralla, kemi luajtur me ta, kemi kaluar kohë cilësore dialoguese, kemi komunikuar. Konceptet teorike që nga Lacani na tregojnë se fëmijët e vegjël duart e trupin e tyre i shohin si Tjetrin e vogël, ndërsa nënën si Tjetrën e madhe. Tjetra e madhe ia plotëson fëmijës kërkesat dhe nevojat. Në relacion me të edhe fëmija mëson të flasë. Kur komunikimin e Tjetrës së madhe e zëvendëson ekrani, atëherë fëmijët bëhen meitë. Të dhënat nga librat tregojnë që një fëmijë duhet të komunikojë 13 muajsh, 20 muajsh do të ketë një fond prej dhjetëra fjalësh, do të ketë sintaksë në moshën 2-vjeçare e pak. Më e frikshmja nga të gjitha është se nëse një fëmijë nuk arrin të nxë gjuhë para një moshe të caktuar, ka rrezik që të mos mund të flasë normalisht më kurrë. Literatura na mëson se një fëmijë deri në moshën rreth 7-vjeçare mund ta mësojë dhe (dëgjoje këtë tani) ta harrojë komplet një gjuhë për 4 deri 6 muaj. Pas kësaj moshe, kjo aftësi zbehet. Droja është se së shpejti mund të kemi një brez të tillë – të rriturish që nuk do të dinë të flasin.
Ajo vajza dyvjeçare që nuk kishte shumë nevojë të fliste, tashmë është rritur dhe flet bilbil. Edhe pak mund të bëhet nënë.
Me fjalë të tjera: Merruni more me fëmijët tuaj, jua pshurrsha ata telefona