KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Στήλες

Άλαν Φορντ στα Τίρανα

Populli po heshtte gjithnjë e më zhurmshëm dhe politikanët po thoshin se do të bëhej më mirë, por nuk tregonin se për kë. Vetëm fjalët janë nga bota e Alan Fordit. Realiteti është i Shqipërisë. Protestat janë vazhdim i tij. Si do të mbarojë e tëra? E pyesim Alan Fordin

Vërejtje 1: Kërkojmë falje që kjo kolumnë është pak më e gjatë se të tjerat. Mirëpo, është për një personazh që është më i gjatë se të tjerët dhe që nuk kërkon falje

Vërejtje 2: Shumica e thënieve qarkullojnë prej gjysmë shekulli nëpër Ballkan dhe mbase nuk gjenden në asnjë numër të stripit. Alan Fordi nuk do të kishte problem me këtë

Spoiler: Në fund kurrkush nuk jep dorëheqje 

Giovanni Gentile kishte një mendim të prerë. Sipas tij, shteti është vetëdija më e lartë e popullit dhe individi mund të realizohet vetëm brenda shtetit. Crrak. Lideri, së këndejmi, është vullneti i kësaj vetëdijeje sublime të popullit. Crrrraaak. Ergo, kushdo që fliste, tash e tutje, kundër liderit, ishte kundër popullit. Tkaup! Mund të tolerohej në kuptimin që kishte të drejtën e ajrit dhe të dheut, por, mazallah, diçka tjetër. Ani më të votojë! Kurrsesi! Sepse është kundër popullit. Në konceptimin e shtetit totalitar, pluralizmi i interesave dhe i vullneteve synohet të përfshihet brenda një politike superiore, jo me vullnet të masës. Me këtë filozofi të Gentiles është formësuar ideologjia fashiste dhe Musolini ka sunduar, për aq sa ka sunduar. 

Në botën e Alan Fordit do të pajtoheshin disi: “Nuk është problemi i lirisë së të menduarit, por i lirisë së të shprehurit të atyre që nuk mendojnë”.

Fashizmi e kishte kundërshtar të rreptë komunizmin. Mirëpo, pajtoheshin në një pikë. 

Josif Stalin e shihte partinë si organin që i njeh dhe i di interesat historike objektive të klasës punëtore dhe të popullit, edhe kur një pjesë e tyre nuk pajtohet me vijën e saj politike. Ding!

Sillu, mbështillu, ideja është e njëjtë. Nëse nuk mendon si lideri, nuk je popull. Për të pasur të drejtën të jesh popull, duhet të hysh në kallëpin e krijuar nga lideri/partia. Populli duhet t’i lëshojë pe liderit. 

Bota e Alan Fordit sërish: “I mençuri asnjëherë nuk mund të lëshojë aq pe, sa mund të shtrëngojë një budallë”.

Enver Hoxha ishte antifashist dhe mbështetës i asaj që thoshte Stalini, edhe kur u prish me sovjetikët dikur. Mirëpo, ai ishte, po ashtu, disi dakord me të dy: Gentilen dhe Stalinin.

“Kush mendon se armiku i popullit mund të luftohet duke bërë lëshime… është i lidhur me armiqtë e popullit dhe është armik i Shqipërisë së re”, thoshte Xhaxhi, më 12 korrik 1947.

Mirëpo, më nuk ka as fashizëm e as komunizëm në Shqipëri, apo jo? 

“Ata që vrojnë e kfillin, e dinë saktë, kur duhet këmbëve t’u hipin”, na përkujtojnë pleqtë tanë Alan Forda.

Edi Rama nuk është fashist, as stalinist dhe as, tybeistikfar, enverist, demek xhaxhist. 

Më 24 tetor, qysh herët në pjesën pak më violente të protestave, thoshte se dhuna ishte e financuar nga “krimi i organizuar” dhe “duar të huaja”, ndërsa një ditë më parë kishte thënë se protestat po shoqëroheshin me manipulim të realitetit. Paraprakisht thoshte se protestuesit po duan t’ia prishin “kontratën” me shqiptarët. 

Më 28 tetor, “Koha.net” i raportonte fjalët e tij: “Ky mishmash (protestuesit v.j.) s’ka asnjë lidhje me popullin dhe asnjë autorizim për të folur në emër të popullit, sepse populli flet vetë me votën e tij”. 

Xhaxhi e thoshte troç “armiq të popullit”. Rama e tjerr: „Alternativa do të ishte tradhti ndaj shqiptarëve“. Se ata në rrugë janë joshqiptarë, demek. 

Në botën Alan Ford do të propozonin këtë lloj diskursi. “Nuk thuhet më hajn, por ‘ekspert për bartjen spontane te vetja të pasurisë së të tjerëve‘”.

Rama assesi nuk dëshiron të jetë si Enveri: ”…destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën”. Ram-bam-bam.

Qysh në korrik, kur protesta ishte ende masive, por e padhëmbë, Rama thoshte: “Asnjëri prej tyre nuk më ka dhënë kurrë votë, nuk kam kontratë me asnjërin prej tyre dhe as nuk më ka shkuar ndërmend të prish kontratën me 800.000 shqiptarë”. Për të shtuar më 15 tetor: “Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo revolucion”. 

Me zgjedhje tjetër fjalësh: Po protestojnë se s’po munden të më mposhtin në zgjedhje. Tkaup me jehonë: kup, hup, ‘up, u-u, u.

Pati premtuar se do ta dëgjonte zërin e popullit. Tani që po e dëgjon, po thotë se është montazh. Se populli, për të qenka si rugovasi që ka zbritur nga mali për të shitur drunj dhe është ndalur në Pejë. Njëri e pyet: sa janë drunjtë? Ky i thotë: 100 euro (po e zëmë). Myshteriut i duket shtrenjtë dhe largohet. Rugovasi e vazhdon rrugën dhe takon një të dytë që e pyet sa janë drunjtë. Ky ia kthen: “‘I herë kam folë”.

Edhe për Ramën, populli “’i herë ka folë”, s’bën tash të bëhet pishman e të ndërrojë mendim.     

E zëri i popullit nisi disi si psherëtimë në fund të pranverës, u shndërrua në uturimë dhe pastaj në klithje e çirrje në vjeshtë. 

Kurrë nuk do të kishte pasur ndonjë reagim kaq të gjatë për Zvërnecin si koncept abstrakt, që po merrej në posedim nga ndonjë korporatë, sikur ca roje sigurie të mos goditnin dhe të mos tërhiqnin zvarrë një burrë në sy të policisë. Dajaku është konkret.

Në botën e Alan Fordit kjo do të komentohej: “Policia është për ta mbajtur rendin. Nuk kanë punë kur mungon rendi”. 

Dhuna e disa njerëzve që nuk dihej se kush i kishte caktuar e për se dhe leja që ta bënin këtë në sytë e policisë i çoi njerëzit. Dajaku është gjithnjë konkret.

Diskutimet për korrupsion janë abstraktja mbi konkreten. Mirëpo, ç’na duhet tash të hyjmë e të zgjidhim probleme të korrupsionit…

Alan Fordi do të mund të thoshte: “Kemi pasur probleme edhe më të mëdha, e nuk i kemi zgjidhur…”. E de.

Kur nisën të përshkallëzoheshin protestat, miq të huaj më pyesnin si më dukej gjendja në Shqipëri. Nuk dija çfarë të thosha. Keq është fjalë e rëndë dhe e dhimbshme. Mirë është fjalë e pavërtetë. 

E për të përshkruar se njerëzit në protesta nuk janë popull, pushteti kishte nevojë për mëlmesa kreative të dhunës sistemore. 

Më 16 tetor, Muhamet Skana, 21 vjeç, u përplas përtokë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë para Ministrisë së Arsimit. Të nesërmen, një grua, hotara-hotara, telefonoi në “Aldo Morning Show” dhe u paraqit si nëna e djalit në video, duke thënë se djali është mirë dhe se qenkësh paguar për protestë. Motra e Muhametit doli: “Kjo grua nuk është mamaja jonë”. Gruaja pastaj tha se ishte nëna e një djali tjetër. Diçka si: “A s’është qiky djali, a? Hajt se e marojmë njo tjetër”. Krejt djemtë si njësoj janë, tybe. Ku me ia qëllu bash cili o i jemi? Qy.

Pra, rrenë. E vërtetë është, ndërkaq, se polici që e përplasi Skanën, u pezullua.

Te Alan Fordi do të kishin thënë: “Që e vërteta të duket e besueshme, duhet t’i hidhet edhe pak gënjeshtër”.

Më 23 tetor, Edi Rama etiketoi me foto një djalosh 20-vjeçar, që ia dha edhe inicialet J. S. si protestues që fare nuk qenka student, por person me precedent kriminal të regjistruar. J. S. qëlloi të kishte gojë dhe jo gojë dosido. Tha se quhej Jon Sinoimeri dhe se ishte student i mjekësisë, ekselent, me notën mesatare 10. Zyra e kryeministrit nuk dha asnjë provë, por zyrtarja e medies i tha BIRN-it se vetë deklarata e kryeministrit vlen si provë.

A rren kryeministri, o gazetaro?! Ku ke parë kryeministër që rren, hajt ku?

Te Alan Fordi, ndërkaq do të na përkujtonin: “Sa më shumë zgjat gënjeshtra, aq më shumë nis t’i ngjasojë të vërtetës”. 

E protestat që e kanë dhunën si konkrete, e zhveshin edhe korrupsionin nga abstraksioni. 

Afera e vizitës së ministrit të Drejtësisë në burg te kryebashkiaku Veliaj kudo do të ishte skandal. Balluku (et al) po ashtu. 

Kushdo që ka pasur një punë të vockël në Shqipëri e njeh shkallën e korrupsionit atje. Madje, mund të thuhet se e zë vendin e dytë për korrupsion. Pse jo të parin, na tregojnë te bota e Alan Fordit.

“E kemi vendin e dytë për korrupsion. Do ta kishim zënë vendin e parë, por na dhanë mito që të humbim”. 

Ndërkohë, protestat vazhdojnë. Edi Rama vazhdon të thotë se nuk do të japë dorëheqje dhe se protestuesit nuk mund ta heqin nga sandalia. Ndoshta kjo është lajthitja më e madhe në tërë narrativën alanfordiane në Shqipëri.

Shteti i ka mjetet e koercionit dhe mund të ushtrojë dhunë me to. Populli e ka zërin, ndonjë gur e do fishekzjarre për të shprehur pakënaqësitë. Ka edhe molotov që nuk do të duhej të ishte hedhur asnjëherë. Kur një lider thotë se populli nuk mund ta detyrojë të japë dorëheqje, ai e di se populli nuk do të nxjerrë tanke në rrugë, as helikopterë në qiell, as nuk do të bëjë barrikada me gulinovë. Një lider është për popullin dhe duhet të përballet me të. Përballja e një kryeministri me popullin e tij, që e votuan ose jo, nuk bëhet duke i rrahur, por duke luftuar për votën e tyre në zgjedhje. 

Nuk është i rrezikshëm për demokracinë lideri që thirret në rezultatet e zgjedhjeve. Rreziku shfaqet kur fitorja elektorale përdoret për të kufizuar legjitimitetin e kundërshtimit, kur lideri pretendon një autoritet të veçantë për të interpretuar vullnetin e popullit dhe kur kundërshtari politik trajtohet si problem për t’u neutralizuar e jo si pjesë e barabartë e bashkësisë politike.

Mirëpo, me gjasë, njerëzit kur dehen në pushtet e harrojnë këtë. 

Te Alan Fordi thonë: “Nga të gjithë mjekët, më të suksesshmit janë psikiatrët. Pacientët e tyre e sundojnë botën”.

Në vend se të bëjë zgjidhje, Edi Rama vë fadromat që të zhveshin bulevardin nga gurët e kalldrëmit. Populli përpiqet të zhveshë korrupsionin. Pushteti zhvesh bulevardin. 

Edi Rama mund të ketë marrë tutë edhe pas fatit të zi të vëllait të tij në “armë” e gjasmë edhe në ideal, Aleksandër Vuçiqit në Serbi. Protestat e zgjatura dikur e detyruan Vuçiqin të shpallte zgjedhje dhe të humbiste. Në gjendjen e tanishme në Serbi po duket se Vuçiqi veç ka shkuar ta bëjë shurrën dhe mund të kthehet sërish në mandatin e ardhshëm. Edi Rama mund ta qetësojë Shqipërinë qoftë edhe duke shkuar ta bëjë shurrën shpejt e shpejt. Ose, ndoshta edhe do t’i fitonte zgjedhjet. Kush e di?! As Alan Fordi nuk na tregon asgjë për këtë.

Me fjalë të tjera: Shpalli zgjedhjet! Në guxofsh!