KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ποδόσφαιρο

Η μπάλα κυλάει κατά μήκος του ποταμού Ιμπάρ, στο "Adem Jashari" όχι για πολύ

Στάδιο

Pak metra larg lumit Ibër, në fushën me bari artificial të Trepçës ’89, të dielën paradite po luanin juniorët e kësaj skuadre mitrovicase. Duket sikur kjo fushë futbolli është ndërtuar në hijen e objektit gjigant, të njohur si stadiumi “Adem Jashari”.

Në stadiumin më të madh në vend ka vite që nuk rrokulliset topi i futbollit. Dhe nuk do të rrokulliset edhe për shumë kohë. Muaj po se po. Me gjasë edhe vjet.

Stadiumi që mban emrin e komandantit legjendar dhe që njihet edhe si stadiumi i Trepçës, të dielën ishte i mbyllur. Nuk shihej këmbë punëtori. Dhe nuk po shihet për një kohë. Rrethoja e metaltë nuk lejon hyrjen në objekt. Dera gjigante prej nga duhet të hyjnë kamionët e eskavatorët ishte e mbyllur me një dry të madh.

Nga jashtë shihen pa problem punë të lëna në gjysmë. Punë të nisura e që nuk dihet se kur do të përfundojnë. Në vend të barit të rregullt, aty ku duhet të jetë fusha e futbollit, ka barëra të këqija. Shihen edhe disa gypa dhe gjëra të ndryshme që shërbejnë për ndërtimtari. Ka punime të vrazhda, që duhet punë për finalizim.

Qartë, më shumë ka punë të papërfunduara se punë të përfunduara. Dhe përfundimet nxjerren lehtë: stadiumi që është dashur të jetë i hapur në fund të vitit të kaluar, është shumë, shumë larg ditës së hapjes. 

Mbi 12,5 milionë euro ishte thënë se është investimi kur punët nisën për herë të fundit, në shkurt 2024. Punët është dashur të përfundojnë për 22 muaj që stadiumi të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s. Ai vazhdon të jetë kantier ndërtimi.

Shumë afate e premtime janë shkelur për këtë stadium. Është dashur të hapej edhe në vitin 2023. E edhe më herët në disa raste. Investime e renovime janë bërë disa herë. Por objekti për kohë të gjatë është i mbyllur. Të ecësh rreth tij të jep ndjenjë të keqe dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm për rrugën plot lloç. 

Për gjendjen e stadiumit “Adem Jashari” së fundi në Kuvendin e Kosovës është pyetur ministri për Sport dhe Rini, Blerim Gashani. Përgjigjja e tij ishte çdo gjë vetëm jo shpresëdhënëse.

“Kontrata për këtë projekt është nënshkruar në vitin 2019. Ka pasur vështirësi, ka pasur një dinamikë jo të duhur. Ka kaluar sfidat e pandemisë, pastaj ka pasur telashe me lejen. Edhe kur ka nisur puna në vitin 2024 dinamika nuk ishte e duhur”, ka pranuar Gashani.

Ai ka thënë se ka pasur “fokus të veçantë” për atë stadium, prej se mori detyrën. 

“Dinamika nuk ishte e duhur, prandaj kemi formuar edhe një komision për vlerësimin e punimeve të realizuara deri më tani, si dhe analizimin e gjendjes faktike dhe ecurisë tutje të projektit. Në këtë fazë ku jemi po presim që komisioni profesional të jap vlerësimin final. Shumë shpejt do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e projektit”, ka shtuar Gashani.

Pra, komision, vlerësim, analizim. Edhe një herë. Dhe më pas tentim tjetër për përfundim të projektit. 

E përgjegjësia? Fajtori për shumë e shumë dështime të deritashme?

Të paktën publikisht nuk dihet që dikush të ketë dhënë përgjegjësi, apo që dikujt t’i jetë kërkuar përgjegësi, që renovimi i stadiumit “Adem Jashari” u bë “përrallë”.

Ministri Gashani foli për stadiumin e madh në Mitrovicë kur ministria njoftoi për disa projekte të tjera që po nisnin. Kjo në fakt është praktika – bujë e publicitet kur nisin projekte e punime, por që gjithnjë e më rrallë po kompletohen e po përfundojnë. Të paktën sa i takon sportit. 

Stadiumi i madh në Mitrovicë është dëshmi.