KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ποδόσφαιρο

Στη Λίρια, όλοι είναι ενωμένοι για να την επαναφέρουν στη Σούπερ Λίγκα.

ΚΦ Λιρία

Në Prizren krenohen me Vedat Muriqin. Rruga e tij drejt skenës së madhe ndërkombëtare mbetet një prej historive me të cilat qyteti dhe klubi kanë arsye të mburren.

Por trajneri i Lirisë, Ismet Munishi, është i bindur se qytetarët e Prizrenit do të kenë arsye të mburren edhe me arritjet e klubit Liria në Superligë.

“Unë besoj fuqishëm me atë që kemi treguar deri më tani, do të jemi pjesë e Superligës. Besoj se më shumë ka nevojë Superliga për Lirinë se Liria për Superligën”, thotë Munishi për KOHËN të hënën. 

Liria është në rrugë të mirë për t’u rikthyer në Superligë. Të dielën u konfirmua si kampione vjeshtore në Ligën e Parë pas fitores bindëse 3:0 ndaj Rilindjes 1974, në stadiumin “Përparim Thaçi” të mbushur me shikues, për herë të parë nën ndriçimin e reflektorëve. 

Nën drejtimin e trajnerit Munishi, Liria ka gjetur stabilitetin, rezultatet dhe besimin se mund ta përmbushë objektivin. Pas një fillimi jo të lehtë, prizrenasit kanë ndërtuar një skuadër konkurruese, ndërsa trajneri vlerëson se meritat për këtë e kanë të gjithë ata që janë përfshirë në rikthimin e Lirisë në Superligë.

“Ka qenë fillim i vështirë. Meritat kryesore i ka drejtorit sportiv, Valon Bytyqi. Ai ka qenë figura kryesore në koordinim me kryesinë duke i afruar lojtarët që i kam kërkuar dhe me të vërtetë ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces”, thotë Munishi për KOHËN të hënën.

Ai ka theksuar se rezultatet e deritanishme janë fryt i standardeve të vendosura në skuadër, duke kërkuar nga futbollistët lojë të shpejtë, organizim të mirë në mbrojtje dhe angazhim maksimal në fazën sulmuese.

“Kur i krijon standardet, rezultatet janë të pashmangshme”, ka deklaruar trajneri Munishi.
Munishi ka vlerësuar se Liria ka treguar dominim në pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke veçuar faktin se nuk e ka humbur asnjë derbi. 

Munishi kërkon rritje të cilësisë dhe konkurrencës brenda ekipit, ndërsa fazën përgatitore e sheh si mundësi për ta ngritur edhe më shumë nivelin e skuadrës.

“Duhet që të vazhdojmë të punojmë njësoj. Duhet të ngritët cilësia e ekipet, të rritet edhe pak konkurrenca, duke shkuar të përmirësohemi në të gjitha aspektet. Jemi në rrugë të mirë por duhet të përmirësohemi ende. Tashmë e kemi edhe fazën përgatitore ku do ta shfrytëzojmë për t’u përmirësuar dhe për të shkuar në nivele edhe më lart”, është shprehur Munishi.

Për Lirinë, Munishi refuzoi oferta të klubeve të Superligës

Për Munishin, Liria ka të gjitha parakushtet për sukses. Ai ka thënë se Prizrenit identifikohet me Lirinë.

“Klubi ka traditë të madhe, ka tifozeri të jashtëzakonshme. Prizreni e ka simbol Lirinë, identifikohet me Lirinë. Mbetet vetëm ana sportive ku ne kemi intervenuar sepse të gjitha parametrat tjerë kanë qenë. Jam pritur mirë, klubi është organizuar shumë mirë dhe po e ndiej veten shumë komod. Kemi punuar me gjithë stafin me shumë pasion edhe me futbollistët që t’i arrijmë këto rezultate. Punën që e bëj e kam edhe pasion. Pasionin tim po e përcjellin të gjithë në klub, drejtuesit e klubit, lojtarët, tifozët dhe qytetarët e Prizrenit. Jam tepër i kënaqur”, është shprehur ish-trajneri i disa skuadrave në Kosovë.

Munishi ka zbuluar se ka refuzuar oferta nga klube të Superligës dhe jashtë Kosovës për të çuar deri në fund projektin e nisur me Lirinë e Prizrenit.

Ai mori drejtimin e Lirisë në shkurt.

Besimi i Munishit për rikthimin në elitë është i madh. Ai mendon se Liria Superliga ka nevojë për një klub me historinë dhe peshën e prizrenasve.

“Jemi duke vendosur themele të forta në klub. Unë për Lirinë kam refuzuar rregullisht oferta të klubeve të Superligës dhe jashtë Kosovës. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen që unë kam për momentin te Liria”, thotë ai.

Liria kishte pritur katër vjet për t’u kthyer në Superligë

Munishi thotë se merita për arritjet e deritashme të Lirisë kanë edhe ish-drejtuesit. 

Ai thotë se te Liria do ta kujtojnë “për rimëkëmbje të klubit”.

“Sa i kam dhënë futbollit të Kosovës nuk kam marrë mbrapsht. Unë besoj se futbolli i Kosovës më ka borxh shumë. Pres prej të gjithëve në raport me mua personalisht dhe klubin të jenë korrekt”, thotë Munishi.

Para përfundimit të stinorit vjeshtor, Lirinë e pret edhe derbi me Ferizajn

“Ka mbetur edhe një ndeshje në kampionat, kundër Ferizajt, të stabilizuar me udhëheqjen e Arbnor Morinës, ka bërë rezultate fantastike. Do të jetë ndeshje e vështirë. Do të përgatitemi për këtë ndeshje dhe për Kupë. Do të shkojmë në pushim të shkurtër, të merituar, por më pas do t’i kthehemi punës në përgatitje, pak në Shqipëri e pak në Turqi, që të jemi sa më të gatshëm për stinorin pranveror”, ka thënë ai. 

Munishi beson se interesimi për Lirinë do të rritet edhe më shumë në pranverë dhe se skuadra do t’ua shpërblejë besimin me futboll atraktiv.

“Ne gjithë kohën kemi pasur mbështetjen e ‘Arbagjikëve’, qytetarëve të Prizrenit dhe futbolldashësve. Unë besoj se stadiumi do të jetë i vogël për ata që dëshirojnë të jenë prezent. Unë besoj fuqishëm që do t’ua dhurojmë atë që meritojnë shikuesve – spektaklin”, ka thënë Munishi. 

Liria kishte pritur katër vjet për t’u kthyer në Superligë. Por nuk i rezistoi më shumë se një vit qëndrimit në Superligë. Për herë të fundit në Superligë garoi në edicionin 2023/2024.