KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ποδόσφαιρο

Rashica, το «όπλο» του Κοσσυφοπεδίου κατά του Ισραήλ

rashica

Po luhej minuta e 41-të e ndeshjes Kosovë - Izrael. Vedat Muriqi shtyu me kokë topin para. Milot Rashica ndodhej në mesin e dy lojtarëve kundërshtarë. Ai pranoi topin në fushën e rënduar të stadiumit “Fadil Vokrri”, dhe fitoi duelin e shpejtësisë me kundërshtar. Me goditje të fortë nga zona mposhti portierin e Izraelit për rezultatin 1:0. 

Goli i shënuar nga Rashica doli të ishte i fitores 1:0 në ndeshjen e zhvilluar më 12 nëntor 2023. Rashica ishte shpallur lojtar i ndeshjes që i takoi kualifikimeve për “Euro 2024”.

Paraqitje të mirë Rashica pati edhe në ndeshjen e parë kundër Izraelit, në Tel Aviv më 25 mars 2023. Ajo ndeshje ishte mbyllur 1:1. Goli i Kosovës ra pas një krosimi të tij. 

Futbollisti nga Vushtrria luajti edhe në ndeshjen e muajit të kaluar kundër izraelitëve. Ndeshja e grupit B3 të Ligës së Kombeve në Hungari përfundoi 0:0.

Nëse për bazë merret e kaluara, Rashica do të konsiderohet nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjen e 14 nëntorit. Ndeshja Kosovë - Izrael luhet në “Fadil Vokrri”.

Rashica shpreson ta fitojë rastin. 

“Çdo ndeshje me Kombëtaren është e rëndësishme për mua. Është gjithmonë kënaqësi dhe krenari ta përfaqësoj Kosovën. Jam i gatshëm çdo herë që ka nevojë Kombëtarja për mua dhe gjithmonë do të jap maksimumin”, ka thënë Rashica për KOHËN të dielën.

Është ndeshja e parafundit e edicionit të pestë Ligës së Kombeve për Kosovën. 

Ndeshjen e fundit “Dardanët” e zhvillojnë më 17 nëntor në Dublin kundër Irlandës.

Pozita në grup do të jetë përcaktues edhe për vazon për shortin e kualifikimeve për “Euro 2028”.

“Normalisht, të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Besoj dhe shpresoj që do të dalim fitimtarë në të dyja, sepse kemi kualitetin dhe forcën e duhur për t’ia dalë”, ka theksuar Rashica.

30-vjeçari ka shënuar 12 gola në 67 paraqitje për Kosovën. Është prej lojtarëve më me përvojë te “Dardanët”.

Rashica shpreson të paraqitet me Kosovën në ndonjë ngjare të madhe futbolli.

“Është një ëndërr e madhe për mua të arrij të luaj në një ngjarje madhore me Kosovën. Do të ishte diçka e veçantë dhe një moment që do ta mbaja mend gjithë jetën. Ky është synimi i të gjithë neve që jemi aty dhe shpresoj shumë që një ditë ta realizojmë se bashku këtë ëndërr”, ka theksuar Rashica.

Rashica në fillim të muajit u kthye nga lëndimi i pësuar gjatë grumbullimit të fundit me Kosovën. 

Ai ka folur edhe për Beshiktashin. Ka lënë të kuptohet se do të mbetet deri në fund të kontratës te klubi turk.

“Jam rikuperuar 100% nga lëndimi që pata muajin e kaluar me Kosovën. Jam duke u stërvitur çdo ditë me ekipin, ndërsa në ndeshjen e fundit pata mundësinë të luaj disa minuta. Kam kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe na mbetet të shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, ka thënë Rashica.