KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ποδόσφαιρο

Στα μάτια του Γκάσι, το Κόσοβο δεν απέχει πολύ από την πρόκριση στο Ευρωπαϊκό Πρωτάθλημα

Αρντιάν Γκάσι

“Nuk e di a më kujton më dikush, sepse ka kaluar shumë kohë që kur kam qenë aktiv si futbollist”.

Kështu e nis rrëfimin e tij Ardian Gashi, një prej emrave që luajti në kohën kur Kosova nuk ishte e pranuar UEFA dhe FIFA dhe kishte vështirësi në gjetjen e kundërshtarëve për të luajtur ndeshje miqësore.

Ai është një nga pak futbollistë që ka pasur mundësi të përfaqësojë ekipin A të vendit të lindjes Kosovës dhe vendit ku u zhvillua si futbollist Norvegjinë. 

Prej kujtimeve më të mira që i ka mbetur Gashit është kur Norvegjia dhe Kosova u përballën me njëra-tjetrën në miqësoren e vitit 2024 në Oslo.

“Federata Norvegjeze e Futbollit më kishte ftuar të flisja për Kosovën dhe të ndaja përvojat e mia si futbollist që kishte përfaqësuar si Norvegjinë, ashtu edhe Kosovën. Ishte një ditë jashtëzakonisht krenare për mua. Kisha marrë me vete tre fëmijët e mi dhe së bashku patëm mundësinë ta shihnim Kosovën duke luajtur kundër Norvegjisë. Për herë të parë në jetën time mund të thosha se kjo ishte një ndeshje që unë do ta fitoja, pavarësisht rezultatit”, kujton Gashi për KOHËN të enjten me krenari, duke shtuar se të njëjtin emocion e përjetoi edhe kur pa përfaqësuesen e femrave të Kosovës ndaj norvegjezeve. “Ta shihja Kosovën që kishte arritur deri në atë nivel, sa të luante edhe kundër Norvegjisë, ishte një dëshmi e gjithë punës së jashtëzakonshme që shumë njerëz, si në Kosovë ashtu edhe nëpër Evropë, kishin bërë ndër vite për ta realizuar këtë ëndërr”.

Gashi për Kosovën ka luajtur vetëm në miqësore. Ishte pjesë e Kosovës për ndeshjen kundër klubit shqiptar Renova në mars të vitit 2011 dhe në miqësoret kundër Haitit e Omanit në vitin 2014. 

Ndeshja kundër Haitit në marsin e vitit 2014 në Mitrovicë, për Kosovën ishte e para me leje të FIFA-s. Ndaj Omanit në Prishtinë kishte luajtur më 7 shtator.

Për Norvegjinë, Gashi i ka plot 14 ndeshje.

“Dua ta përmend edhe trajnerin tonë, Albert Bunjaki, i cili ishte një trajner jashtëzakonisht i mirë. Përveç aftësive të tij profesionale, ai kishte një dhunti të veçantë për të krijuar marrëdhënie të mira dhe të afërta me lojtarët. Ai dinte t’i bashkonte njerëzit dhe të krijonte një ambient ku secili ndihej i vlerësuar”, është shprehur ai.

Gashi 45-vjeçar nuk kishte rastin të luante për Kosovën në ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, Evropian apo më vonë edhe Ligën e Kombeve.

Por Gashi ka përcjellë me vëmendje ngritjen e Kosovës.

“Është një kënaqësi e madhe ta shohësh Kosovën duke shkëlqyer dhe duke sfiduar kombëtare të forta. Dikur, ëndrra ime më e madhe ishte t’ia hapja sytë botës, që të kuptonin se Kosova ka talente të jashtëzakonshme”, shprehet ai.

Largimi i detyruar nga Kosova dhe lufta për mbijetesë në Norvegji

Rruga e tij drejt majave të futbollit nuk ishte aspak e lehtë. Ajo nisi në moshën 7-vjeçare, kur u detyrua të largohej nga Kosova së bashku me familjen, duke u përballur me një vend të huaj dhe të panjohur.
“Gjatë asaj rruge jam përballur me shumë sfida, por gjithmonë jam munduar t’u qëndroj përballë dhe t’i tejkaloj ato”, ka theksuar Gashi. “Ishte një kohë krejt tjetër kur unë luaja futboll. Ëndrra ime më e madhe nuk ishte vetëm të bëhesha futbollist profesionist, por edhe të hapja rrugë për të tjerët. Kur u detyrova të largohesha nga Kosova së bashku me familjen time, gjithmonë i kisha në mendje shokët e mi që mbetën atje”. 

Puna e palodhur dhe sakrificat iu shpërblye. Gjatë 17 viteve në futbollin profesionist nga viti 2001 deri në vitin 2018, ai arriti suksese të mëdha në Skandinavi. Ai u shpall kampion i Norvegjisë me Valerengan në vitin 2005 dhe dy vjet më pas me Brannin.

Në Suedi ai fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën me Helsingborgun.

“Kur e shikoj rrugëtimin tim, ndihem shumë mirënjohës dhe nuk kam mbetur me asnjë peng të madh. Erdhi një moment në vitin 2018 kur trupi më tha 'mjaft është mjaft', dhe u ndala”, thotë ish-mesfushori.
Edhe pse i vari këpucët në gozhdë, Gashi mbeti në futboll. Ai mban një post të rëndësishëm në Federatën Norvegjeze të Futbollit. Është përgjegjës për edukimin dhe zhvillimin e trajnerëve për licenca të trajnerëve për rajonin e Vestfoldit. 

“Gjithashtu, kam përgjegjësinë të ndjek zhvillimin e trajnerëve në rajonin tim dhe të krijoj kushtet që ata të kenë njohuritë, kompetencat dhe mbështetjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë punën e tyre”, tregon Gashi.

Bindja e Gashit: Kosova është në prag të kualifikimit në Evropian

Gashi nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Kosovës. 

“Besoj shumë fuqishëm se Kosova do të arrijë të kualifikohet në Kampionatin Evropian. Dhe mendoj se do të ishte plotësisht e merituar. Do të ishte një moment historik dhe një arritje e jashtëzakonshme për vendin tonë, për popullin dhe për futbollin e Kosovës. Një kualifikim i tillë do të sillte gëzim dhe krenari të jashtëzakonshme për të gjithë ata që e kanë Kosovën në zemër. Unë e shoh veten si një pjesë të vogël të një historie shumë më të madhe. Kontributi im nuk është më i rëndësishëm se ai i mijëra njerëzve të tjerë që, secili në mënyrën e vet, kanë ndihmuar që Kosova të arrijë këtu ku është sot”, ka theksuar Gashi.

Gashi nuk mund ta shpreh me fjalë gëzimin nëse do ta shihte Kosovën duke u paraqitur në një ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror.

“Besoj se Kosova është shumë pranë pjesëmarrjes në një Kampionat Evropian dhe se edhe Kampionati Botëror mund të bëhet realitet në vitet e ardhshme. Për mua, ta shoh Kosovën në një Evropian apo Botëror do të ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe një ndjenjë e thellë krenarie. Jo sepse do të ndihesha se kam arritur diçka personalisht, por sepse do të shihja se një ëndërr që e kemi ndarë me kaq shumë njerëz, më në fund është bërë realitet”, ka thënë Gashi.

Kosova të shtunën e luan ndeshjen e parafundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. Do të përballet me Izraelin, ndërsa tri ditë më pas do të përballet në ndeshjen e fundit të Grupit B3 kundër Irlandës në Dublin.

Në dhjetor, Kosova do t’i mësoj kundërshtarët për ciklin e ri kualifikues për Evropianin e vitit 2026.
Kualifikimet nisin në mars, ndërsa Kosova synon kualifikimin historik në Evropian.