KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Η Nvidia σταματά τις αποστολές τσιπ στη Νοτιοανατολική Ασία

Τζένσεν Χουάνγκ

Φωτογραφία: Associated Press

Nvidia u ka kërkuar partnerëve të saj prodhues që të ndalojnë dërgesat e serverëve drejt katër vendeve të Azisë Juglindore, ndërsa SHBA-ja po ashpërson kontrollet e eksporteve për të penguar Kinën të ketë qasje në fuqinë kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Partnerët prodhues, si Dell dhe Supermicro, të cilët integrojnë çipat e Nvidia-s në serverë, i kanë njoftuar blerësit në Malajzi, Singapor, Tajlandë dhe Indonezi se Nvidia nuk do të lejojë dërgimin e porosive të tyre, sipas tre personave që kanë njohuri për këtë çështje, raporton Financial Times.

Nuk është e qartë nëse ndalimi është i përkohshëm, ndërsa Nvidia dhe partnerët e saj po përpiqen të gjejnë mënyrën se si të veprojnë në përputhje me kontrollet e reja të eksporteve të vendosura nga Washingtoni, kanë thënë këta persona.

Katër vendet e Azisë Juglindore janë shndërruar në destinacione të preferuara për zhvilluesit kinezë të inteligjencës artificiale, të cilët kërkojnë të kenë qasje në çipat më të avancuar të Nvidia-s, eksporti i të cilëve është i kufizuar nga Washingtoni.

Ky rajon është shumë fitimprurës për Nvidia-n. Kompania e prodhimit të çipave ka regjistruar 104 miliardë dollarë të ardhura përmes filialit të saj në Singapor gjatë vitit 2025, një rritje prej 72 për qind brenda 12 muajve, sipas raporteve financiare të kompanisë. Nvidia regjistron gjithashtu një pjesë të të ardhurave nga Tajvani dhe Kina përmes njësisë së saj në Singapor.

Shumë kompani kineze i anashkalojnë kontrollet amerikane të eksporteve duke marrë me qira qasje në këta çipa përmes ofruesve të shërbimeve kompjuterike në cloud, të cilët blejnë serverë të pajisur me çipa të Nvidia-s.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Tregtisë ka prezantuar rregulla të reja që synojnë ndalimin e kësaj praktike. 

Masat janë marrë pasi Jensen Huang është larguar përkohësisht nga posti i drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s, pas raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një lidhje me një grua të afërt me një kompani të shërbimeve cloud, e cila u kishte dhënë me qira kapacitete kompjuterike kompanive kineze dhe po hetohet për përfshirje të dyshuar në kontrabandë.

Këto zbulime e ndërlikuan qëndrimin e Huangut, i cili ka argumentuar se SHBA-ja duhet të vazhdojë t'ua shesë çipat e Nvidia-s kompanive kineze, në mënyrë që ato të bëhen më të varura nga teknologjia amerikane.

Pavarësisht përpjekjeve të Pekinit zyrtar për të zhvilluar alternativa vendore, laboratorët kryesorë kinezë të inteligjencës artificiale vazhdojnë të varen shumë nga procesorët e Nvidia-s për zhvillimin e modeleve të tyre kryesore, veçanërisht gjatë fazave fillestare të trajnimit, të cilat kërkojnë kapacitete të mëdha kompjuterike.

Edhe pse shumë kompani shpresonin se rikthimi i Huangut në krye të Nvidia-s këtë javë do të hapte rrugën për zbatim më pak të rreptë të rregullave të reja, nuk ka shumë shenja se kompania do të hezitojë t'i zbatojë ato, kanë thënë personat në dijeni të çështjes.

Departamenti i Tregtisë ka vendosur një afat prej 90 ditësh, brenda të cilit ofruesit e shërbimeve cloud duhet të sigurojnë një licencë, duke dëshmuar se përdoruesit e tyre përfundimtarë nuk përfshijnë subjekte ndaj të cilave zbatohen kufizimet.

“Ekziston ky rregull i ri, por nuk ka udhëzime se si duhet të zbatohet”, ka thënë një drejtues i një kompanie të shërbimeve cloud.

“Askush nuk e di se si të aplikojë për këtë licencë, ndërkohë që afati prej 90 ditësh po ecën. Kjo po shkakton kaos të plotë në rajon”.

Kërkesa nga kompanitë kineze të teknologjisë ka nxitur bumin e ndërtimit të qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore, veçanërisht në Malajzi dhe Indonezi, ku janë investuar miliarda dollarë në ndërtimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale. Kufizimet e reja amerikane kanë vënë në rrezik një pjesë të madhe të këtyre investimeve.

Ndër kompanitë e prekura është edhe Aolani, një kompani e shërbimeve cloud me seli në Singapor, e cila kishte planifikuar t'i ofronte kapacitete të avancuara kompjuterike ByteDance-it, kompanisë kineze që zotëron TikTok-un, përmes marrëveshjeve të qirasë, kanë thënë dy nga personat në dijeni të çështjes.

Ndërprerja e këtyre dërgesave ka bërë që disa bankierë, të cilët më parë kishin rënë dakord të financonin projektin, të ndalonin dhënien e kredive me vlerë rreth 500 milionë dollarë. Kjo mund ta shtyjë edhe ByteDance-in të tërhiqet nga marrëveshja.