KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Όλα όσα γνωρίζουμε μέχρι στιγμής για την επίθεση στην Κρακοβία που σκότωσε έξι ανθρώπους

Κρακοβία

Të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, pasi një person i armatosur, i dyshuar për lidhje me të djathtën ekstreme, hapi zjarr në qendër të Krakovit, qyteti i dytë më i madh në Poloni.

Gjatë kontrollit të banesës së tij nga policia, u gjetën tre trupa të pajetë. Ja gjithçka që dihet deri më tani për ngjarjen.

Si ndodhi sulmi?

Sulmi nisi pak para orës 15:00 sipas kohës lokale (14:00 GMT), në sheshin kryesor të Krakovit, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, e cila është gjithashtu shumë e vizituar nga turistët.

Policia bëri të ditur se një person hyri me makinë në shesh dhe më pas filloi të qëllonte “në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve nga automjeti i tij”.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes tregojnë momente paniku, teksa njerëzit largoheshin me vrap, ndërsa zhurma e të shtënave dëgjohej qartë.

Gjatë sulmit, i cili duket se ishte i rastësishëm, u qëllua edhe një tramvaj që po kalonte në atë zonë. Nga të shtënat u thyen xhamat e tij, por asnjë nga pasagjerët nuk mbeti i plagosur.

Pjestarët e armatosur të policisë mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me të dyshuarin. Sipas zyrtarëve, ai u qëllua brenda tre minutave nga nisja e sulmit, duke parandaluar kështu një masakër edhe më të madhe.

Një 25-vjeçar, i cili u arrestua, ndodhet ende në spital, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një plage të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Pamjet tronditëse, autenticiteti i të cilave është verifikuar nga BBC Verify, tregojnë momentin kur një polic përballet me të dyshuarin, i cili ndodhet i shtrirë në tokë, përpara se ta qëllojë disa herë me armë.

Më pas, efektivi bie edhe vetë në tokë, me sa duket pasi është plagosur.

Vitrinat e dyqaneve në shesh paraqesin shenja dëmtimi, që duket se janë shkaktuar nga plumbat, ndërsa copëza xhamash janë shpërndarë nëpër dysheme.

Autoritetet e qytetit u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve që të qëndrojnë larg zonës, ndërsa hetimet vijojnë.

Vetura e të dyshuarit, e gjetur në kryqëzimin e rrugëve Dietla dhe Stradomska, u kontrollua nga policia për praninë e mundshme të mjeteve shpërthyese, por nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Policia bëri të ditur se banorët e ndërtesave pranë zonës ishin evakuuar gjatë zhvillimit të operacionit.

Sa persona kanë humbur jetën dhe sa janë plagosur?

Gjashtë persona, katër gra dhe dy burra, janë konfirmuar të vrarë, mes tyre edhe një shtetas britanik. Tre nga viktimat janë shtetas polakë, ndërsa identiteti i dy të tjerëve ende nuk është përcaktuar.

Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë pesë shtetas të huaj, dy pjestarë policie dhe autorin e dyshuar të sulmit, u dërguan në spital.

Ministria e Brendshme bëri më vonë të ditur se shtetasit e huaj ishin nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, bëri më vonë publike edhe emrat e dy poicëve të plagosur: nënoficerët e lartë Jakub Kulik dhe Artur Morański.

Njëri prej policëve u përshkrua nga një ministër i qeverisë polake si në gjendje “shumë kritike”, pasi ishte qëlluar tri herë gjatë arrestimit të autorit të sulmit. Sipas ministrit, efektivi po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Autoritetet polake ende nuk kanë bërë të ditur emrat dhe moshat e viktimave të tjera.

Tusk deklaroi se gjatë kontrollit të banesës së personit të dyshuar, pas sulmit, u gjetën tre trupa të pajetë: dy gra dhe një burrë.

Çfarë dihet për të dyshuarin dhe motivin e sulmit?

Policia e ka identifikuar autorin e sulmit si një shtetas polak 25-vjeçar, por ende nuk e ka bërë publik emrin e tij.

Sipas një zëdhënësi të policisë, i dyshuari ishte i veshur me “veshje të stilit ushtarak” dhe posedonte një armë të nivelit ushtarak. Megjithatë, autoritetet kanë sqaruar se ai nuk ishte ushtar.

“Në automjetin e tij u gjetën shumë lloje armësh dhe municionesh”, shtoi zëdhënësi.

Mediat polake kanë raportuar se i dyshuari kishte leje për armëmbajtje dhe se mund t'i ketë siguruar armët nga banesa e familjes së tij.

Një ministër deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se ai ishte i frymëzuar nga “ideologjitë e së djathtës ekstreme”. Ministri e cilësoi gjithashtu atë si një “ultranacionalist”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Banesa e tij në Ostrowiec Świętokrzyski, një qytet që ndodhet rreth 200 kilometra larg Krakovit, është kontrolluar me mbështetjen e njësive kundër terrorizmit të policisë.