Zyrtarët që po merrnin pjesë në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kanë bërë të ditur të mërkurën se palët kanë rënë dakord për një shkëmbim të madh të robërve të luftës.
“Një nga rezultatet pozitive është se kemi rënë dakord për lirimin më të madh humanitar të të burgosurve, ndërsa numrin përfundimtar do ta përcaktojmë nesër”, ka thënë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, pas përfundimit të mërkurën të dy ditëve të bisedimeve në Abu Dhabi.
Shkëmbimin e planifikuar e kanë konfirmuar edhe kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, dhe udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov.
Pritshmëritë për ndonjë përparim të madh në këto bisedime, të parat pas nëntë muajsh, ishin të ulëta.
Rusia dhe Ukraina kanë realizuar herë pas here shkëmbime të robërve gjatë gati pesë vjetëve të luftës.
Zyrtarët amerikanë thonë se janë të vendosur të ringjallin përpjekjet diplomatike të Uashingtonit për arritjen e paqes, të cilat deri më tani nuk kanë dhënë rezultate të rëndësishme.
Kushner ka bërë të ditur se ai dhe i dërguari amerikan, Steve Witkoff, do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës, ku do të takohen me presidentin rus Vladimir Putin. Më pas, ata do të shkojnë në Dublin për t'u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Konteksti i negociatave ka ndryshuar që nga takimi i fundit në shkurt, në Gjenevë.
Administrata Trump tashmë duhet të përballet edhe me demokratët, të cilët pas zgjedhjeve të mesmandatit pritet të marrin kontrollin e Kongresit amerikan në janar dhe mund të kërkojnë mbështetje më të madhe për Ukrainën.
Ndërkohë, ekonomia ruse po përballet me presion të madh për shkak të luftës, ndërsa Ukraina vazhdon të vuajë pasojat e sulmeve shkatërruese ajrore ndaj infrastrukturës së saj energjetike.
Umerov ka thënë se delegacioni ukrainas pritet të takohet të mërkurën edhe me zyrtarë evropianë.
Moska kundërshton përfshirjen e vendeve evropiane në negociatat e drejtpërdrejta, për shkak të qëndrimit të tyre kritik ndaj veprimeve të Rusisë dhe synimeve të saj në kontinent. Megjithatë, përfaqësues të qeverive evropiane, Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndodheshin në Abu Dhabi dhe zhvilluan konsultime me delegacionin ukrainas.
Presidenti Zelenskyy i ka cilësuar seancat e së martës si “konstruktive dhe mjaft përmbajtësore”.
Sipas tij, bisedimet u përqendruan kryesisht në çështjet humanitare, përfshirë shkëmbimin e mundshëm të robërve, kthimin e civilëve ukrainas të mbajtur në robëri dhe të fëmijëve të dërguar jashtë vendit.
Në tryezë u diskutuan edhe garancitë e sigurisë, por Rusia dhe Ukraina nuk kanë dhënë ende shenja se janë të gatshme të bëjnë kompromis për kërkesat e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar takimin “shumë produktiv”, por ka paralajmëruar se arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës do të kërkojë kohë.
Bisedimet në Abu Dhabi po zhvillohen në një kohë kur luftimet vazhdojnë në vijën e frontit, ku gjatë këtij viti ka pasur pak ndryshime territoriale. Ndërkohë, të dyja vendet po vazhdojnë të godasin njëra-tjetrën me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe dronë.