KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Απάντηση στην αντίδραση του ASK στο άρθρο με τίτλο «Υπάρχουν αμφιβολίες ότι το ASK υπολογίζει λανθασμένα τον πληθωρισμό στο Κοσσυφοπέδιο»

χρόνος

Derisa qytetarët hasin për çdo ditë në çmime të reja të rritura të produkteve të ndryshme të shportës, niveli i inflacionit që i jep shifra zyrtare Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk përkon me realitetin me të cilin ballafaqohen ata nëpër markete. KOHA raporton në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e çmimeve, ndërsa në artikujt e saj përfshin qytetarët, ekspertët e fushës dhe ASK-në, kur ajo kthen përgjigje. Në artikullin e parafundit për këtë temë, në të cilin ligjëruesi në Universitetin Teknologjik të Dublinit, Albian Krasniqi, deklaron mes tjerash: “Pra është një diskrepancë e madhe në bazë të Anketës të Buxhetit të Ekonomive Familjare dhe peshës që e kanë vendosur në inflacion...”, ASK-ja i ka dërguar redaksisë reagim, ndonëse ka pasur mundësi të përgjigjet në pyetje nga e mërkura (11.11.) deri të dielën (15.11) kur është botuar artikulli, dhe këtë nuk e ka bërë. Reagimin po e botojmë veç në funksion të informimit të publikut për metodologjinë e ASK-së, edhe pse aty nuk sqarohet çështja tjetër që ka ngritur ligjëruesi Krasniqi se mungon “një shpjegim zyrtar nga Agjencia e Statistikave pse është ulur pesha e produkteve ushqimore ndër vite”. Po ashtu, në lidhje me artikullin ndaj të cilit reagon ASK-ja, duhet theksuar se kjo Agjenci nga viti 2022 nuk e ka realizuar ABEF-in dhe shifrat e fundit janë të para katër vjetësh. Koha u është referuar këtyre shifrave, por edhe atyre të IHÇK-së (2026), duke e cekur në artikull që këta dy janë tregues të ndryshëm.

REAGIMI I AGJENCISË SË STATISTIKAVE TË KOSOVËS (ASK)

Lidhur me shkrimin e publikuar në Koha.net: “Ngrihen dyshime se ASK-ja po e keqllogarit inflacionin në Kosovë”

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në përmbushje të mandatit të saj profesional dhe institucional për prodhimin e statistikave zyrtare, vlerëson të nevojshme të sqarojë çështjet metodologjike që lidhen me matjen e inflacionit dhe përcaktimin e peshave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

ASK-ja e vlerëson debatin publik dhe analizat e ekspertëve ekonomikë për çmimet dhe koston e jetesës. Megjithatë, interpretimi i statistikave zyrtare duhet të mbështetet në metodologjinë përkatëse, në konceptet e matjes dhe në standardet ndërkombëtare. Krahasimi i drejtpërdrejtë i treguesve që matin koncepte ose mbulojnë popullata të ndryshme statistikore, pa harmonizimin paraprak të tyre, mund të çojë në përfundime të pasakta.

Në shkrimin e publikuar më 15 nëntor 2026, Koha.net krahason pjesëmarrjen e ushqimit dhe pijeve joalkoolike në shpenzimet e raportuara nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2022, prej rreth 55%, me peshën e kësaj kategorie në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për vitet 2025 dhe 2026, prej rreth 32–33%. Mbi këtë krahasim ngrihet pretendimi se ASK-ja mund të jetë duke e matur gabimisht inflacionin.

ASK-ja sqaron se ky pretendim mbështetet në një krahasim që nuk është metodologjikisht i vlefshëm, pasi bëhet fjalë për tregues që dallojnë jo vetëm për nga periudha referente, por edhe për nga koncepti statistikor, mbulimi dhe mënyra e përcaktimit të shpenzimeve. Veçanërisht, IHÇK-ja bazohet në konceptin e shpenzimeve monetare finale të konsumit brenda territorit ekonomik dhe ka rregulla të përcaktuara për përfshirjen dhe klasifikimin e transaksioneve. Për këtë arsye, përqindjet e raportuara nga ABEF-ja nuk mund të barten automatikisht dhe as të përdoren drejtpërdrejt si pesha në IHÇK. Përcaktimi i këtyre peshave bëhet në bazë të burimeve dhe kritereve metodologjike të përcaktuara nga standardet evropiane, ku Llogaritë Kombëtare kanë rol bazë, ndërsa ABEF-i dhe burimet e tjera statistikore shërbejnë për plotësimin dhe detajimin e tyre.

Rrjedhimisht, dallimi ndërmjet këtyre përqindjeve nuk përbën dëshmi të ndonjë gabimi në përcaktimin e peshave ose në përllogaritjen e inflacionit. Përfundimi se ASK-ja e mat gabimisht inflacionin, i nxjerrë vetëm nga ky krahasim, është metodologjikisht i pabazuar.

ASK-ja thekson se krahasimi i drejtpërdrejtë ndërmjet rezultateve të ABEF-it dhe peshave të IHÇK-së, pa marrë parasysh dallimet në koncept, mbulim statistikor, burime të të dhënave dhe metodologji të përllogaritjes, është metodologjikisht i pasaktë dhe nuk mund të përdoret si bazë për të pretenduar se peshat e IHÇK-së janë të gabuara ose se inflacioni në Kosovë është llogaritur gabimisht.

Një përfundim i tillë nuk mbështetet në kriteret dhe standardet statistikore evropiane. ASK-ja thekson se peshat e IHÇK-së përcaktohen dhe përditësohen në përputhje me metodologjinë e harmonizuar të Eurostat-it, duke u mbështetur në burimet përkatëse statistikore dhe përshtatjet metodologjike të përcaktuara.

Rrjedhimisht, pretendimet për gabime në përllogaritjen e inflacionit nuk mund të ngrihen mbi një krahasim të tillë, por duhet të mbështeten në dëshmi konkrete për shkelje të metodologjisë statistikore.

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) nuk është burimi i vetëm dhe as burimi kryesor për përcaktimin e peshave të IHÇK-së

Një nga çështjet kryesore që kërkon sqarim është dallimi ndërmjet Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) dhe metodologjisë së Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

ABEF-i është një burim i rëndësishëm statistikor që ofron informacione mbi strukturën dhe modelet e shpenzimeve të ekonomive familjare. Megjithatë, nuk është projektuar që të jetë burimi i vetëm për përcaktimin e peshave të IHÇK-së dhe rezultatet e saj nuk mund të transferohen drejtpërdrejt dhe pa përshtatje në shportën e këtij indeksi.

Kjo nuk është vetëm çështje e praktikës statistikore të ASK-së, por një kërkesë e qartë e metodologjisë evropiane.

Sipas Manualit Metodologjik të Eurostat-it për IHÇK-n, edicioni 2024, kapitulli 3, seksioni 3.3.5, peshat në nivelin përkatës të agregimit deri në nivelin pesëshifror të klasifikimit ECOICOP (Level I, sipas terminologjisë së manualit) duhet të nxirren nga të dhënat e Llogarive Kombëtare, përkatësisht nga agregati i Shpenzimeve Monetare Finale të Konsumit të Ekonomive Familjare (Household Final Monetary Consumption Expenditure – HFMCE).

Për nivelet më të detajuara të klasifikimit, nën nivelin pesëshifror (Level II), mund të përdoren ABEF, të dhënat e tregtisë me pakicë, të dhënat nga skanerët e shitjeve (scanner data), hulumtimet e tregut, burimet administrative dhe burime të tjera statistikore, me kusht që të përshtaten me fushëveprimin e IHÇK-së.

Prandaj, ABEF-i është burim plotësues dhe i rëndësishëm për detajimin e peshave në nivelet më të ulëta të klasifikimit, por nuk e zëvendëson burimin bazë të përcaktuar për peshat në nivelin përkatës të agregimit të IHÇK-së.

Ky dallim është thelbësor për interpretimin e drejtë të të dhënave.

Baza ligjore evropiane përcakton qartë përdorimin e Llogarive Kombëtare

Kjo metodologji mbështetet në legjislacionin e Bashkimit Evropian për IHÇK-n dhe përcakton burimet e të dhënave dhe mënyrën e përditësimit të peshave.

Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2020/1148, e datës 31 korrik 2020, neni 3 (1) (a), përcakton se, nga 1 janari 2023, për llogaritjen e peshave të nënindekseve dhe agregateve elementare përdoren të dhënat e Llogarive Kombëtare për vitin t-2. Këto të dhëna mund të plotësohen me informacione nga një anketë e fundit e buxhetit të ekonomive familjare dhe nga burime të tjera.

Neni 3 (1) (b) kërkon që pjesëmarrjet e shpenzimeve të vitit t-2 të rishikohen dhe të përditësohen në mënyrë që të jenë përfaqësuese për vitin t-1, ndërsa neni 3 (1) (c) kërkon përshtatjen e pjesëmarrjeve të shpenzimeve me ndryshimet përkatëse të çmimeve deri në dhjetor të vitit t-1.

Neni 3 (2) përcakton se peshat e nënindekseve mbahen konstante gjatë gjithë vitit kalendarik.

Këto dispozita dëshmojnë se peshat e IHÇK-së nuk përcaktohen thjesht duke marrë përqindjen e shpenzimeve të raportuara në një anketë familjare dhe duke e bartur atë drejtpërdrejt në indeks.

Po ashtu, Rregullorja (BE) 2016/792 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, neni 3 (10), përcakton detyrimin për përditësimin vjetor të peshave të nënindekseve të indekseve të harmonizuara.

Këto akte përbëjnë bazën metodologjike evropiane për harmonizimin dhe krahasueshmërinë e matjes së inflacionit.

Pse pesha e IHÇK-së nuk duhet të jetë identike me rezultatet e ABEF-it?

Një dallim i rëndësishëm ndërmjet këtyre dy burimeve lidhet me mbulimin statistikor dhe konceptin e konsumit që matet.

IHÇK-ja bazohet në konceptin territorial (domestic concept), që nënkupton se përfshin shpenzimet monetare finale të konsumit të ekonomive familjare brenda territorit ekonomik të vendit, pavarësisht nëse shpenzimet kryhen nga ekonomitë familjare rezidente a jo-rezidente.

Në anën tjetër, sipas Manualit të Eurostat-it, ABEF-ja mbulon ekonomitë familjare private rezidente dhe, për këtë arsye, nuk ka domosdoshmërisht të njëjtin mbulim me IHÇK.

Gjithashtu, IHÇK-ja bazohet në shpenzimet monetare finale të konsumit, ndërsa rezultatet e një ankete familjare duhet të shqyrtohen sipas definicioneve, kategorive, periudhës referente dhe mënyrës së regjistrimit të shpenzimeve.

Për rrjedhojë, dallimi ndërmjet përqindjes së shpenzimeve në ABEF dhe peshës përkatëse në IHÇK nuk mund të interpretohet si gabim statistikor.

Për të bërë një krahasim të vlefshëm, duhet të harmonizohen së paku:

Koncepti i konsumit që matet;

Mbulimi i ekonomive familjare dhe territori ekonomik;

Përfshirja vetëm e transaksioneve monetare që janë brenda fushëveprimit të IHÇK-së;

Klasifikimi dhe grupimi i produkteve dhe shërbimeve;

Periudha referente e shpenzimeve;

Përshtatjet metodologjike dhe burimet plotësuese të të dhënave.

Prandaj, fakti që ABEF-i për vitin 2022 raporton një pjesëmarrje të caktuar të shpenzimeve për ushqimin, nuk nënkupton se e njëjta përqindje duhet të përdoret automatikisht si peshë në IHÇK për vitin 2025 ose 2026. Krahasimi duhet të bëhet pasi të harmonizohen koncepti i konsumit, mbulimi, periudha referente dhe klasifikimi.

Shembull konkret nga metodologjia e Eurostat-it: Blerja dhe shitja e automjeteve të përdorura

Një shembull shumë ilustrues i dallimeve metodologjike është trajtimi i blerjes dhe shitjes së automjeteve të përdorura.

Në Manualin Metodologjik të Eurostat-it për IHÇK 2024, seksioni 3.4.2, faqet 46–48, sqarohet se trajtimi i automjeteve të përdorura në llogaritjen e peshave është specifik dhe nuk bazohet thjesht në vlerën bruto të të gjitha transaksioneve të realizuara.

Sipas këtij manuali:

Blerjet e automjeteve të përdorura nga auto-sallonet, garazhet apo sektorët e tjerë institucionalë përfshihen në shpenzimet përkatëse të konsumit.

Shitjet e automjeteve të përdorura ndërmjet dy ekonomive familjare brenda territorit ekonomik nuk regjistrohen si shpenzim neto i konsumit, sepse transaksioni brenda sektorit të ekonomive familjare anulohet në nivelin e sektorit.

Shitja e automjetit të përdorur nga ekonomia familjare tek autosalloni ose te një subjekt tjetër institucional trajtohet si shpenzim negativ.

Pesha përkatëse përcaktohet në bazë të shpenzimeve neto, pra blerjet minus shitjet përkatëse.

Për shembull, një familje mund të blejë një veturë të përdorur nga një familje tjetër për 8.000 euro. Në ABEF ky transaksion mund të evidentohet si shpenzim i familjes blerëse. Por në IHÇK, blerja dhe shitja ndërmjet dy ekonomive familjare rezidente brenda territorit ekonomik nuk krijon shpenzim neto për sektorin e ekonomive familjare.

Ndryshe ndodh nëse një familje blen një veturë të përdorur nga një autosallon. Ky transaksion përfshihet në shpenzimet përkatëse të konsumit, duke marrë parasysh edhe trajtimin neto të shitjeve dhe vlerën e automjeteve të këmbyera.

Manuali i Eurostat-it paraqet edhe shembuj numerikë për trajtimin e blerjeve dhe shitjeve të automjeteve të reja dhe të përdorura, për të ilustruar mënyrën e përcaktimit të shpenzimit neto.

Pse Llogaritë Kombëtare janë burimi bazë?

Llogaritë Kombëtare ofrojnë një kornizë më të gjerë dhe më të harmonizuar për matjen e konsumit final monetar të ekonomive familjare.

Sipas Eurostat-it, një nga përparësitë kryesore të këtij burimi është se të dhënat:

Përgatiten në baza vjetore dhe përputhen me periudhën referente të peshave të IHÇK-së;

Mundësojnë mbulimin e shpenzimeve të ekonomive familjare brenda territorit ekonomik;

Mund të integrojnë informacione nga prodhimi vendor, shitjet me pakicë, të dhënat tatimore, importet dhe eksportet;

Mundësojnë përshtatjen e shpenzimeve sipas konceptit dhe fushëveprimit të IHÇK-së.

Në veçanti, Eurostat-i sqaron se qasja e bilancimit të ofertës dhe përdorimit të produkteve në Llogaritë Kombëtare mundëson shfrytëzimin e një game më të gjerë informacionesh, duke përmirësuar vlerësimin e shpenzimeve për kategori të ndryshme të konsumit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kategoritë ku anketat familjare mund të kenë nënraportim ose ku mostrat statistikore nuk janë mjaftueshëm të mëdha për të prodhuar vlerësime të besueshme në nivele të detajuara.

Prandaj, metodologjia e Eurostat-it përcakton përdorimin e Llogarive Kombëtare si burim bazë për peshat në nivelet përkatëse të IHÇK-së, ndërsa burimet e tjera përdoren për plotësimin dhe detajimin e peshave në nivelet më të ulëta.

Peshat e IHÇK-së përditësohen çdo vit dhe nuk janë të pandryshueshme

Një aspekt tjetër me rëndësi është se struktura e konsumit dhe peshat e IHÇK-së rishikohen dhe përditësohen çdo vit, sipas rregullave metodologjike përkatëse.

Sipas metodologjisë së Eurostat-it, peshat bazohen në të dhënat e shpenzimeve për vitin t-2, të cilat përshtaten për të reflektuar sa më mirë strukturën e konsumit të vitit t-1 dhe përditësohen me ndryshimet e çmimeve deri në dhjetor të vitit paraprak.

Kjo nënkupton se peshat e vitit 2025 dhe 2026 nuk duhet të krahasohen në mënyrë të drejtpërdrejtë me strukturën e shpenzimeve të raportuara në ABEF për vitin 2022, pa marrë parasysh përditësimet dhe përshtatjet ndërmjet periudhave.

Po ashtu, ndryshimi i peshës së ushqimit ndër vite nuk është në vetvete dëshmi e gabimit statistikor. Ai duhet të analizohet në kontekstin e të dhënave të shpenzimeve, metodologjisë së përllogaritjes, ndryshimeve në strukturën e konsumit dhe përditësimit vjetor të peshave.

Bashkëpunimi dhe mbështetja ndërkombëtare në zhvillimin e IHÇK-së

ASK-ja, në procesin e zhvillimit dhe harmonizimit të IHÇK-së me standardet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me ekspertët e Eurostat-it, në kuadër të mbështetjes përmes programeve IPA, si dhe me ekspertët e Statistics Sweden (SCB), në kuadër të projektit të bashkëpunimit për periudhën 2024–2027, “Useful and reliable quality statistics produced through efficient and effective processes”.

Ky bashkëpunim përfshin asistencë teknike, misione ekspertësh dhe mbështetje profesionale për zbatimin e klasifikimit të ri COICOP 2018, përmirësimin e peshave të IHÇK-së dhe dokumentimin e proceseve të prodhimit statistikor. Në kuadër të këtij procesi janë realizuar hapa konkretë, përfshirë rishikimin dhe zbatimin e peshave të artikujve, kalimin nga klasifikimi i mëparshëm COICOP në klasifikimin e ri COICOP 2018, si dhe transmetimin mujor të të dhënave të IHÇK-së në Eurostat.

Vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar

Gjatë misionit të realizuar në Kosovë më 23–27 shkurt 2026, ekspertët e Departamentit të Statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë vlerësuar cilësinë e statistikave zyrtare, përfshirë edhe Indeksin e Çmimeve të Konsumit (CPI). Në vlerësimin e përgjithshëm, FMN-ja konstaton se CPI-ja e Kosovës është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare statistikore dhe se struktura e peshave të shportës është përfaqësuese e shpenzimeve të ekonomive familjare. Raporti gjithashtu vlerëson se peshat përditësohen çdo vit dhe mbështeten në vlerësimet e Llogarive Kombëtare për shpenzimet e ekonomive familjare. Ky vlerësim përbën një konstatim të rëndësishëm të një institucioni ndërkombëtar lidhur me bazën metodologjike dhe cilësinë e statistikave të çmimeve në Kosovë.

Στατιστική Υπηρεσία του Κοσσυφοπεδίου (ASK)

Βιβλιογραφικές αναφορές:

Eurostat, HICP Methodological Manual 2024, veçanërisht kapitulli 3, seksionet 3.3.5 dhe 3.4.2.

2.         Commission Implementing Regulation (EU) 2020/1148, veçanërisht neni 3.

3.         Regulation (EU) 2016/792, neni 3.

4.         Statistics Sweden (SCB), Economic Statistics – Harmonised Consumer Price Index, Terms of Reference, 12 shkurt 2025, projekti 2024–2027.

International Monetary Fund (IMF), Republic of Kosovo: 2026 Article IV Consultation, IMF Country Report No. 26/79, prill 2026, paragrafi 31 (vërejtja për nevojën e ribazimit të CPI-së).