KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Αλβανός στρατηγός που νίκησε τον Μλάντιτς: Δεν ήταν στρατιώτης, ήταν «γενναίος» μόνο εναντίον αμάχων

Ραχίμ Αντέμι

Gjenerali Rahim Ademi dhe njësitë e tij të Ushtrisë së Kroacisë i mundën në shtator të vitit 1991, pranë Shibenkikut, forcat serbe nën komandën e Ratko Mlladiqit.

Rruga e luftës e Ratko Mladiqit - kriminelit të dënuar të luftës, i cili vdiq në burgun në Scheveningen të Holandës -  e shtruar me krime, filloi në Kroaci, në zonën e brendshme të Dalmacisë, ku në verën e vitit 1991 u bë komandant i Korpusit të Nëntë të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në Knin.
Në atë zonë, JNA-ja dhe forcat paraushtarake serbe terrorizonin popullsinë kroate dhe kryen masakra masive. Forcat e Mladiqit bombarduan dhe tentuan ta pushtonin Zarën, Shibenikun dhe Sinjin, ndërsa qëllimi përfundimtar i Ratko Mladiqit ishte të dilte në det.

Më së afërmi realizimit të këtij plani ai iu afrua me sulmin ndaj Shibenikut në shtator të vitit 1991, kur forcat e JNA-së arritën deri pranë qëllimit të tyre, te Ura e Shibenikut.

Por më tej nuk arritën – aty i priste mbrojtja e Shibenikut, të cilën e komandonte gjenerali shqiptar i Ushtrisë së Kroacisë, Rahim Ademi, ish-oficer i JNA-së që iu bashkua Ushtrisë Kroate. Ai dhe njësitë e tij atëherë i ndalën në Urën e Shibenikut forcat agresore serbe, shkruan “Jutarnji List”. 

Ademi, në një intervistë për Al Jazeera Balkans në nëntor të vitit 2017, me rastin e aktgjykimit dënues ndaj Mladiqit, kujtoi ngjarjet e atyre ditëve të luftës, duke shpjeguar se qëllimi i Mladiqit ishte ta ndante Kroacinë përgjysmë në atë pjesë, me drejtime drejt Sinjit dhe Biogradit.

Në atë rast do t’i hapeshin drejtime të reja, veçanërisht drejt Splitit dhe më në jug, ndërsa rënia e Shibenikut, siç tha ai, do të nënkuptonte çështjen e mbrojtjes së tërë Dalmacisë. Për këtë arsye, mbrojtjen e Shibenikut e konsideron një nga fitoret më të mëdha kroate.

Ishte kjo humbja e parë ushtarake e Ratko Mladiqit në Kroaci, ndërsa shumë thonë se Mladiqi nuk regjistroi asgjë tjetër përveç humbjeve.

“Ushtria ishte e modernizuar, me tanke, ndërsa në atë kohë ne nuk kishim me çfarë të mbroheshim. Pastaj organizova pushtimin e kazermës në Rogoznicë, ku arritëm të siguronim armatim të rëndë dhe topa, dhe aty brenda natës formuam bateri artilerie dhe vendosëm mbrojtjen përpara Shibenikut. Dhe kështu e mbrojtëm Shibenikun, ndërsa më pas shkuam rreth 25 kilometra pas Vodicës, arritëm të kalonim drejt Gaçelezës dhe me këtë e realizuam zhbllokimin e Shibenikut. Kjo ishte humbja e tij, ndërsa unë, si ushtar, e konsideroj këtë fitoren më të madhe të Ushtrisë Kroate dhe fitoren e parë në Luftën Atdhetare, në luftën në Shibenik”, tregoi Ademi.

Ademi, ndërsa ajo zonë ishte nën komandën e tij, e pengonte Mladiqin edhe në marrjen e digës së Peruçës, shkatërrimin e së cilës ai e kërcënoi më vonë. Në atë kohë ishin të rrezikuar më shumë se 50 mijë njerëz.

“Isha atje komandant i Brigadës së 126-të në Sinj dhe në atë kohë, derisa unë isha komandant, ai kurrë nuk arriti t’i afrohej Peruçës, ndërsa minimi i Peruçës ndodhi pas largimit tim nga Brigada e 126-të.”

Ai thotë se nuk e ka takuar apo njohur kurrë Mladiqin – “falë Zotit”, tha Ademi.

Ata shiheshin vetëm përmes shënjestrave të armëve dhe, në çdo sulm ndaj Shibenikut, thekson ai, “i theu dhëmbët”.

“Mund të them se ai nuk ishte kurrfarë ushtari. Ai kurrë nuk i tregoi aftësitë e tij ushtarake të luftimit, ai tregoi ‘trimëri’ vetëm ndaj civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz që ishin të paarmatosur. Sa u përket betejave, aty ai gjithmonë ishte humbës i madh, ndërsa personi i tij shihet më së miri në Shkabrnjë, me atë që bëri – aty vriste civilë – dhe në Srebrenicë. Kjo është turpi i tij më i madh, kreu krim lufte ndaj civilëve, dhe jo vetëm një, por disa. Ai ishte komandant aty, më përgjegjësi dhe e vetmja gjë që dinte ishte të godiste civilët, ndërsa kur përballej me Ushtrinë Kroate, gjithmonë tërhiqej – aty ku ndiente se kishte civilë, popullatë të paarmatosur, dërgonte tanke dhe kryente krime, ndërsa aty ku haste në rezistencë të Ushtrisë Kroate gjithmonë tërhiqej, kështu që pësoi humbje nga Ushtria Kroate për aq kohë sa ishte këtu”, tha Ademi.

Kameramani i luftës dhe ushtari kroat Petar Malbasha, pati rastin  të bindej drejtpërdrejt për arrogancën dhe karakterin e Ratko Mladiqit. E kujton, siç thotë, si një njeri pa ndjenja.

Kjo ndodhi në negociatat e 26 shtatorit 1991, të cilat Malbasha i xhiroi dhe në të cilat Mladiqi mbërriti me tri tanke dhe dy transportues të blinduar.

“Kur ai doli nga tanku ose transportuesi – nuk jam 100 për qind i sigurt – kërceu jashtë me uniformë dhe jelek antiplumb dhe bërtet: ‘Vritni gjithçka që nuk është ushtri!’ Dhe, natyrisht, ne të gjithë aty ishim me rroba civile, e vetmja armë që kishim ishte kamera ime, ndërsa fillimisht as nuk më lejoi të xhiroja, sepse për gjysmë ore ai e fyente të gjithë ekipin nga pala kroate”, kujtoi Malbasha për “Al Jazeera Balkans”. 

Në këto negociata, thotë ai, Mladiqi demonstronte forcë dhe vazhdimisht theksonte se luftonte për Jugosllavinë e tij dhe mbronte interesat e JNA-së.

“Një moment ai më thotë mua në kamerë – dhe kjo është edhe e regjistruar: ‘Unë personalisht e kam minuar urën e Maslenicës dhe digën e Peruçës. Ju e dini se, kur bëj diçka, e bëj në mënyrë efektive dhe cilësore dhe unë e mbaj Dalmacinë në bllokadë’”, tregoi Malbasha.