KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Ο Μπαϊράμ Ισούφι μνημονεύεται για τη συμβολή του στην εθνική υπόθεση και τη θεσμική ζωή.

Μπαϊράμ Ισούφι

Në Gjilan është mbajtur mbledhje komemorative për Bajram Isufin, drejtorin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, i cili vdiq të premten pasdite në moshën 60-vjeçare. Në ceremoninë e organizuar të shtunën nga Komuna e Gjilanit, ai u kujtua për kontributin në çështjen kombëtare, luftën e UÇK-së dhe angazhimin e tij në jetën institucionale e publike.

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, ka thënë se Isufi gjatë gjithë jetës së tij kishte dhënë kontribut për atdheun, vendlindjen, institucionet dhe shoqërinë.

“Bajram Isufi ishte një njeri që gjatë gjithë jetës dha kontribut të çmuar për atdheun, vendlindjen, institucionet dhe shoqërinë. Në vitet e rinisë iu bashkua veprimtarisë së rezistencës kombëtare në vitet ’90, e më pas edhe rezistencës ushtarake. Pas përfundimit të studimeve, dijen e tij e vuri në funksion të jetës institucionale dhe publike”, ka thënë Sadiku.

Ish-kryetari i Gjilanit dhe miku i afërt i Isufit, Qemajl Mustafa, e përshkroi atë si njeri të përkushtuar, të urtë, paqësor dhe pozitiv, duke thënë se vdekja e tij ishte e papritur.

“Bajrami ishte aktiv, i shëndetshëm, me disponim për punë, angazhim e kontribut. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kushtet tona të rënda të Kosovës në vitet ’90, para çlirimit, gjatë luftës dhe pas çlirimit. Ishte njeri i përkushtimit, i urtë, paqësor, ekuilibrues dhe shumë pozitiv. Ishte njeri që donte ta bënte gjithnjë më të mirën”, u shpreh Mustafa.

Shoku i studimeve dhe bashkëveprimtari i tij në çështjen kombëtare, Fatmir Halili, ka thënë se me Isufin kishte ndarë jo vetëm studimet dhe angazhimin kombëtar, por edhe sfida e sakrifica.

“Bajrami ishte pjesë e brezit që nuk u pajtua me robëri dhe liria kërkon angazhim, guxim e përkushtim. Në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë, Bajram Isufi u rreshtua në shërbim të vendit, në mbështetje të organizimit të luftës së UÇK-së e më vonë duke qenë vetë pjesë e saj. Pas luftës, punoi për ndërtimin e institucioneve të Kosovës”, u shpreh Halili.

Në emër të familjes, djali i tij, Shqiprim Isufi, falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe kujtoi babanë e tij si një njeri që la pas vetes vlera dhe mësime të rëndësishme.

“E kam të vështirë të gjej fjalë për babin, por ka lënë rrënjë të forta pas vetes. Do të vazhdojmë me krenari dhe me kokën lart, ashtu siç na ka mësuar ai, për të mirën e vendit”, ka thënë Shqiprim Isufi.

Bajram Isufi, përveç detyrës së drejtorit të NPL “Tregu”, më herët kishte mbajtur edhe disa pozita në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Ai ishte i angazhuar në çështjen kombëtare dhe kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Isufi u varros të shtunën në Gjilan.