DnV: Procesi zgjedhor po përcillet me parregullsi të vogla

DnV: Procesi zgjedhor po përcillet me parregullsi të vogla

19 nëntor 2017 09:57

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha 1777 vendvotimet në territorin e Kosovës.

Rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë të komunave të 22 tetorit kanë çuar në raund të dytë gjithsej 19 komuna, përfshirë këtu edhe komunën e Parteshit e cila shkon në rivotim.

Të drejtë pjesëmarrje në zgjedhje kanë 1,353,613 votues me të drejtë vote.

Hapja e vendvotimeve

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave po zhvillohet në 614 Qendra Votimi me 1777 Vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionerëve. Komunat ku ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina dhe Rahoveci (nga një rast).

Në qendrën e votimit 2042 A në vendvotimin 07R në shkollën e 11 Marsi në komunën e Prizrenit, kryesuesi i vendvotimit nuk është paraqitur në vendvotim deri në orën 7:30. Procesi më pastaj ka rrjedhur normalisht.

Prania e materialit propagandues

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), nenin 85, është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të QV në nivel vendi.

Komunat ku janë shënuar këto raste janë: Gjilani, Podujeva, Prizreni, Suhareka (me nga 3 raste), Malisheva (me 2 raste).

Disponueshmëria e materialit zgjedhor

Nga terreni raportohet se në 3.4% të vendvotimeve (ose 60 VV) në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore. Prijnë komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës (me nga 8 raste), Klina dhe Prishtina (me nga 7 raste) dhe Gjakova (6 raste).

Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionerëve në vendvotim. Komunat ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur janë: Prizren (në 3 raste), Rahoveci (në 2 raste).

Prania e personave të paautorizuar në vendvotim

Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 44 raste, ose 2.6% të vendvotimeve e shprehur më shumë në komunat e Mitrovicës (në 7 raste), Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit (në 6 raste).

Parregullsi tjera të shënuara

Qendra e votimit 0805 C në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës në ora 07:45 është goditur nga jashtë me gurë, duke i dëmtuar derën e hyrjes. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, autorët nuk janë identifikuar.

Është raportuar për raste ku disa persona kanë votuar jashtë kabinës së votimit, në shkollën “Hysni Zajmi”, QV 0606C, vendvotimi 04R në komunën e Istogut.

*****

Vëzhguesit e DnV-së do të vëzhgojnë procesin zgjedhor gjatë gjithë ditës deri në përfundim të procesit të numërimit. Informatat nga terreni do të jenë të disponueshme për publikun në kohë reale.

DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. DnV ju rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim.

***

Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni më i madh vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, 19 nëntor, DnV ka akredituar rreth 1800 vëzhgues, ndërsa 100 ekipe mobile, 130 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra staf shtesë janë vënë në mbështetje të këtij kontingjenti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme