Mimoza Kusari – Lila për herë të tretë radhazi zhvillon betejën për Gjakovën kundër kandidatit të AAK-së. Herën e parë në zgjedhjet e vitit 2009 kishte pësuar disfatë që në rundin e parë kundër Pal Lekajt, i cili atë vit kishte fituar pa balotazh me mbi 4 mijë vota diferencë.
Mirëpo në zgjedhjet lokale para 4 vjetëve, Kusari-Lila iu revanshua Lekajt me të njëjtën diferencë në vota në rundin e parë, derisa në balotazh Kusari-Lila fitoren e festoi me mbi dy mijë vota përparësi, duke ia marrë AAK-së Gjakovën nga dora, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë zgjedhjet e tashme lokale gjendja sërish është përmbysur në favor të AAK-së, më saktë kandidatit të saj Ardian Gjini, i cili më 22 tetor ka pasur 3 mijë e 500 vota më shumë se kandidatja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën AAK-ja duhet sërish të “luftojë” për Komunën e Gjakovës.
Gjini kishte 17 mijë e 219 vota (39,88%), derisa Kusari-Lila 13 mijë e 860 vota (32,10%). Me bindjen e Ardian Gjinit për fitore nuk do të jetë as luftë e as betejë, pasi ai është i sigurt se pa telashe do ta rikthejë Gjakovën nën qeverisjen e AAK-së. “Pas 19 nëntorit do të jem kryetar i Gjakovës”, është i bindur Gjini se të dielën do t’ia marrë Mimozës karrigen e kreut të Komunës. Mirëpo kjo siguri duket pak e zbehtë, ngase ai nuk i ka hyrë balotazhit vetë veç me subjektin e tij. Siç thotë ai, ka bërë marrëveshje me Nismën dhe PSHDK-në, derisa me PDK-në, sipas tij, kanë pasur marrëveshje paraprake. “Koalicionin do ta formalizojmë pas balotazhit, kurse me subjektet e tjera kemi biseduar dhe shumica prej tyre janë në mbështetje tonë”, thotë Gjini për KD-në.
Dallimit goxha të madh në vota në rundin e parë të zgjedhjeve nuk i frikësohet Mimoza Kusari-Lila, sipas së cilës tashti është situatë krejt tjetër që nisin krejt nga zeroja. Si përforcime për balotazh ajo shpreson t’i ketë edhe votuesit e LDK-së dhe LLV-së. Me këto dy subjekte Kusari-Lila ka krijuar një koalicion, për të mos lejuar, siç thotë ajo, që Gjakova të kthehet mbrapa, para vitit 2013. “Për balotazhin kemi një koalicion për të cilin parimisht jemi dakorduar me LDK-në dhe LVV-në. Jemi duke punuar bashkë në këtë pjesë të fushatës”, thotë ajo.
Ky bashkëpunim ka më tepër të bëjë për periudhën pas 19 nëntorit, kur ky koalicion shpreson të fitohet balotazhi të dielën dhe të bashkëqeverisin me Gjakovën 4 vjetët e ardhshëm.
Në bisedë për bashkëpunim, siç thotë Kusari-Lila, është edhe me Nismën dhe sipas saj bashkëpunimi është në finalizim. Me Nismën edhe Gjini thotë se ka bërë marrëveshje. Nisma si subjekt ka fituar më 22 tetor vetëm 1 mijë e 893, kurse partnerët e tjerë të AAK-së në balotazh, PSHDK dhe PDK, si subjekte kanë fituar 3 mijë e 892 vota, më saktë 5 mijë e 714 vota. Pa votat e Nismës janë 9 mijë e 606 vota të mundshme për Gjinin.
Në po kaq vota të mundshme mund të shpresojë edhe Kusari-Lila, nëse e gëzon mbështetjen edhe të elektoratit, njësoj sikur të drejtuesve të LVV-së dhe LDK-së në Gjakovë, të cilat më 22 tetor kishin fituar 5 mijë e 363 vota, përkatësisht 3 mijë e 896 vota. Pavarësisht koalicioneve, programet e të dy kandidatëve nuk kanë ndryshuar. Janë të njëjtët që e kanë shpalosur edhe gjatë muajit të fushatës të raundit të parë të zgjedhjeve.
Për Gjinin, projekti për lumin Krena është nga projektet e mëdha për 4 vjetët e ardhshëm, nëse bëhet kryetar. Projektet e tjera më rëndësi ka ndërtimet e hyrje-daljeve rrugore në Gjakovë me 4 korsi dhe rrugën qarkore në qytet. Pastaj ndërtimin e vendparkingjeve publike dhe infrastrukturës rrugore, ndër të tjera edhe rrugën e Radoniqit dhe rrugën deri në lokacionin e kodrinës të njohur në Gjakovë si Maja e Kunorës, janë prioritet në programin e tij qeverisës. Me këtë program qeverisës Gjini premton se do të rrisë edhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore, investime në rregullimin e plotë dhe afatgjatë të infrastrukturës shkollore dhe gjatë 4 vjetëve të mandatit edhe ndërtimin e 8 çerdheve publike në këtë komunë.
Edhe kundërshtarja e tij i ka mbetur besnike programit që e ka prezantuar gjatë muajit tetor. Nëse fiton mandatin e ardhshëm, në fokus ka avancimin e shërbimeve komunale, subvencionet në bujqësi, iniciativat e ndërmarrësisë lokale, zhvillimin ekonomik lokal. Këtë shtyllë ajo e ka nisur në mandatin e lënë pas, për tre vjet radhazi dhe do ta vazhdojë në vitin 2018. Nëse fiton balotazhin, pas 19 nëntorit programi i saj qeverisës mund të pësojë pak ndryshime, pasi, siç thotë ajo, subjektet në koalicion për balotazhin do të ulen dhe do të shikojnë pjesët e përbashkëta programore, me qëllim të krijimit të një platforme qeverise për të gjitha subjektet e përfshira në këtë koalicion.
“Jemi të sigurt në fitore”, shpreh ajo bindjen e saj se do ta mbajë edhe për 4 vjetët e ardhshëm timonin e Gjakovës. E fushata e nisur për të dielën po zhvillohet goxha ashpër mes dy kandidatëve. Madje kandidatja e Alternativës akuzoi subjektin e AAK-së se në forma të ndryshme është duke kërcënuar qytetarët, sidomos ata të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
“Këto forma janë shumë të dëmshme për vendin tonë dhe ne jemi duke apeluar që fushata zgjedhore gjatë këtyre ditëve të shkojë në mënyrë sa më të qetë dhe dita e zgjedhjeve të këtë një proces të drejtë dhe transparent”, ka thënë Kusari-Lila. Këto akuza të ngritura nga Kusari-Lila, Gjini i ka quajtur të pavërteta dhe false. “Nuk është e vërtetë. Ato deklarata të saj janë totalisht false. Nuk është e drejtë çka është duke bërë Alternativa. Ju garantoj që askush nga Aleanca nuk është duke i bërë askujt asnjë lloj presioni”, mohon Gjini akuzat e ngritura nga kundërshtarja e tij.