Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje: Dardana vulosi fitoren, Kastrati do të jetë kryetari i saj

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin e radhës zgjedhor në qytetin e Dardanës.

Në njoftimin për media thotë se mijëra përkrahës shprehën fuqishëm edhe një herë mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë këtij tubimi u demonstrua nevoja urgjente për një qeverisje të re me një mendësi përparimtare, të cilën në Dardanë pas 22 tetorit do ta mundësojë kandidati për kryetar, Qëndron Kastrati”, thuhet në njoftim.

Fjalimin e hapjes së tubimit e mbajti nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Durguti. Ajo tha se Dardana po përgatitet për festën e madhe.

“Dardana i dha Vetëvendosjes kryetarin Visar Ymeri dhe kryetarin e Komunës së saj Qëndron Kastratin. Me Qëndronin kryetar, Dardana do t’i gëzohet progresit”, tha Dërguti në këtë tubim.

Ndërsa, deputeti Albin Kurti tha se Dardana ka shkallë të lartë të papunësisë, por u zotua se me udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë komunë punësimet nuk do të bëhen më me librezë partie dhe as me mbiemër të preferuar. Ai tha po ashtu se infrastruktura nëpër fshatra është shumë e dobët.

“Me fitoren e Vetëvendosjes, pushteti bëhet infrastrukturë politike për çdo infrastrukturë tjetër që i takon, që e meriton dhe që i nevojitet Dardanës”, tha Kurti ndër të tjera.

“Shëndeti i qytetarit nuk është i rëndësishëm e i vlefshëm për ish komunarët e Dardanës, prandaj këta ish komunarë do t`i shpallim të parëndësishëm e të pavlefshëm më 22 tetor”, tha tutje Kurti.

Pas Kurtit, kryetari Ymeri tha se pjesëmarrja masive në tubimin e sotëm është treguesi për fitoren e madhe në Dardanë me 22 tetor. Ai tha se me hovin që po i jepet i Lëvizjes Vetëvendosje në Dardanë, po i jepet zemër gjithë Kosovës.

“Popullit tonë jetë i kanë dhënë ata që janë flijuar. Shtigjet ia kanë hapur ata që kanë guxuar. Zemër i kanë dhënë ata që s’janë dorëzuar, dritën ia kanë sjellë ata që kanë menduar. E shpresën ia kanë dhënë ata që kanë qëndruar, e ata që kanë qëndruar, gjithmonë kanë fituar”, ka thënë Ymeri, duke thënë se Qëndroni e Lëvizja Vetëvendosje kanë qëndruar dhe për atë, edhe do të fitojnë.

Më tej, para qytetarëve të Dardanës ka folur kandidati për kryetar, Qëndron Kastrati, i cili ka thënë se në takime të shumta ka parë se qytetarët kanë shumë brenga që duan zgjidhje.

“Ndryshimi i cili do t’ua marrë Komunën atyre që kanë keqqeverisur e vjedhur për 17 vjet, e do t’ia kthejë qytetarit. Me 11 qershor, qytetarët e Dardanës dhanë mesazhin e tyre. Nuk do të lejojmë më qeverisje që na mashtron, vjedh e manipulon. Dhe kjo frymë po ndjehet edhe sot këtu. Ky tubim kaq madhështor,më shumë po më ngjanë në festë sesa në tubim të zakonshëm. Sepse fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje po shihet në fytyrat tuaja, e po ndjehet në zemrën e gjithësecilit”, ka thënë para dardanasve Kastrati.

“Një fëmijë i cili nuk ka kushte ta blejë një burek gjatë pushimit të mësimit, ka rëndësi për mua edhe nëse nuk është fëmiu im. Një bujk i cili nuk mund ta shesë rendimentin e tij, ka rëndësi për mua edhe nëse nuk është daja im. Një grua e cila nuk po mund të gjejë punë, ka rëndësi për mua edhe nëse nuk është motra ime. Unë nuk jam person perfekt, madje këtë ma kujtojnë shokët e mi çdo ditë. Shyqyr që as ata vetë s’janë t’përsosur. Nuk do të jem as kryetar perfekt. Por për një gjë mund t’ju sigurojë. Unë gjithmonë do t’u tregojë çfarë mendoj dhe ku qëndroj. Do të jem i sinqertë për sfidat që na dalin përpara”, ka premtuar Kastrati.

Ai ka shpalosur pastaj planin e tij për katër vite mandat, si dhe ka prezantuar listën me kandidatët për Kuvendin Komunal, për të cilën tha se është listë e fitores dhe ndryshimit të madh që moti i është dashur Dardanës.