Kamberi thotë se Bahtiri ka gabuar që po rikandidon në Mitrovicë

Kamberi thotë se Bahtiri ka gabuar që po rikandidon në Mitrovicë

11 tetor 2017 23:49

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi, ka kritikuar kryetarin aktual të kësaj komune, Agim Bahtirin, për dështim të realizimeve për punësimin e mitrovicasve. Sipas tij, Bahtiri ka gabuar që ka pranuar të kandidojë për një mandat të dytë.

Kamberi ka thënë se Bahtiri do të marrë goditje nga qytetarët në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Unë besoj që Bahtiri gabimin më të madh e ka bë kur ka pranuar të rikandidojë. E dimë të gjithë se Bahtiri ka qenë reaksion kundër keqqeverisjes së PDK-së dhe i është dhënë besimi për shkak të premtimit për 15 mijë vende pune. Do të marrë goditjen më të madhe nga qytetarët e Mitrovicës me mosbesim”, ka thënë ai.

Në Interaktiv të KTV-së, Kamberi, i cili me LDK-në deri vonë ishin në koalicion lokal me AKR-në e Bahtirit, ka thënë se Bahtiri as që është afër realizimit të premtimit të dhënë para katër vjetëve për punësimin e 15 mijë qytetarëve.

“Në 2013-n premtimi kryesor i Bahtirit ka qenë punësimi dhe ky ka qenë besimi jonë që ne t’i japim mbështetje që të ndodhë ky zotim i tij. Me kohë e kemi kuptuar se kjo s’ka ndodhë. Kryetari i komunës nuk është ai që hapë vende pune, por që krijon ambient të shëndoshë për investitorë për të investuar atje. Kemi parë se ka pasur investim në fabrikën e kërpudhave, por aty janë punësuar 50-60 punëtorë. Bahtiri nuk është pronar i fabrikës, por merr qera të majme aty. Mirë që e ka sjellë fabrikën, por nuk është as afër premtimeve të tij”, ka thënë Kamberi i cili nga plani i tij për zhvillim ekonomik ka premtuar heqjen e taksave për bizneset. Ato sipas tij arrijnë deri në 100 mijë euro në vit.

Kamberi po ashtu ka kritikuar edhe Vetëvendosjen për drejtorinë e Arsimit në vitin e fundit duke thënë se ka tentuar të bëjë punësimin e disa militantëve dhe se e ka futur komunën në borxh te disa mësimdhënës që janë jashtë listave.

Kandidati i LDK-së i ka vlerësuar qentë endacakë si problem serioz në Mitrovicë. Ai ka premtuar se këtë problem do ta heqë për gjashtë muaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme