Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Greme të Ferizaj, se ky fshat është shembull se si punohet ndershëm, prandaj meriton një kryetar komune sikur Muharrem Sfarqa, i cili punon me vizion dhe transparencë për interesa të qytetarëve, trasnmeton Koha.net .
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka thënë se kemi investuar mbi 400 mijë euro për asfaltimin e rrugicave, si dhe për rrjetin e ujësjellësit, dhe ne presim që këto ditë të kemi festë të madhe në inaugurimin e tij, sepse Gremja asnjëherë nuk ka përjetuar kaq shumë investime sado që i ka merituar.
Ai ka premtuar se do të shikohen mundësitë për dhënien e pronës publike në shërbim, pasi deri tani janë dhënë 20 hektarë, por nga e cila janë investuar mbi 10 milionë euro, ndërsa kanë gjetur punë rreth 950 qytetarë.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdigjiku, ka thënë se krahasimi ndërmjet LDK-së dhe të tjerave është i thjeshtë. “Në njërën anë i keni ata punojnë nën hije dhe se në dritë i qesin disa kukulla. Ferizaj këtë e di më mirë se çdo qytet. Ferizaj nuk ka nevojë për kukulla. Në anën tjetër janë ata që provojnë eksperimente, ia nisin me eksperimentin e Republikës së tretë e të katërt, e deri te propaganda e bërjes politikë me fjalë të thata, ndërsa eksperimenti i tyre në Ferizaj është një njeri turist. Unë po ju them që Ferizaj nuk ka nevojë as për turistë e as për kukulla, por e ka kryetarin e duhur dhe duhet t’ia vazhdojë mandatin edhe për katër vjet”, është shprehur Abdigjiku.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka treguar një ndodhi që e ka pasur në Prizren. “Derisa po ecja nëpër qytet u ndala në tre-katër vende dhe po pyesja ku janë prodhuar këto mobile. Përgjigjja ishte e njëjtë, në Greme dhe unë fillova të dyshoj mos po tallen me mua. Por tani jam bindur se këtu ka njerëz të mirë e të mëdhenj, ashtu sikur ndërmarrës të mirë, të cilët nuk i mbështet askush më mirë se LDK-ja. Ju e mbani mend Xhabir Zharkun, i cili e bëri një krim dhe iku, sepse kishte një atdhe të dytë, këto ditë po e shihni një rast tjetër, tani te Vetëvendosja, Sadri Ramabaja. Edhe ai u përpoq të ikë, ndërsa kryetari juaj e lë luksin gjerman dhe vjen e merret me kanalizimet e Talinocit e Gremes. Njerëzit e LDK-së nuk ikin, nuk bëjnë krime, por rrinë e kthehen në atdheun e tyre”, ka thënë Selmanaj.