Mustafa: Mitrovica ka nevojë për LDK-në

Mustafa: Mitrovica ka nevojë për LDK-në

27 shtator 2017 20:59

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Mitrovicë, se ky qytet ka nevojë për programin e LDK-së dhe një kryetar siç është Safet Kamberi.

“Konkurrentët e LDK-së në Mitrovicë nuk janë të denjë. Ata me punë i mundim dhe shkojmë larg prej tyre, edhe PDK-në, edhe Vetëvendosjen edhe Agim Bahtirin, edhe të gjithë. Ne do t’ua dëshmojmë qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës se dimë dhe mundemi me qeveris pa korrupsion, sepse këto dëshmi i kemi dhënë në nëntë komuna që ka qeveris LDK-ja”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se praktika e LDK-së që të punojë shumë dhe të flas pak duhet të ndryshohet, sepse nëse nuk e tregojmë të vërtetën për veten, askush nuk flet për ne.

“Ajo çka na mungon neve është se nuk dimë të bëjmë propagandë. Ne marrim më pak përkrahje sesa që bëjmë punë dhe që meritojmë. Të tjerët janë ata që punojnë pak e bëjnë propagandë shumë. Kemi raste kur zhvillojnë fushata, japin premtime, nuk i realizojnë dhe nuk japin llogari”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se për këto vite demokraci, qytetarët e kanë kuptuar se kush i mban premtimet, kush qeveris pa korrupsion dhe kush i mbron interesat e tyre.

“Edhe në nivel qendror ne kemi dëshmuar se si qeveriset pa korrupsion. Për tri vite qeveria e drejtuar nga LDK nuk ka pas asnjë aferë korruptive. Kjo nuk u ka pëlqyer ish partnerëve tanë dhe shokëve të tyre, prandaj u bënë të gjithë bashkë dhe e rrëzuan qeverinë. Kur është puna kundër LDK-së, të gjithë bëhen bashkë, mirëpo kur ne bëhemi bashkë dhe mobilizohemi, do t'i mundim të gjithë së bashku”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Mustafa ka thënë se më shumë ka investuar qeveria e drejtuar nga LDK në Mitrovicë, sesa që është investuar 10 vite përpara, edhe pse PDK-ja para këtij mandati e ka qeveris këtë qytet.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi, ka thënë se Platforma për zhvillim ekonomik të Mitrovicës garanton që, në katër vitet e ardhshme do të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese dhe do të përmirësohet infrastruktura urbane dhe rurale.

“Programi ynë parasheh përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj”, ka thënë Kamberi.

Ai ka shtuar se rritja e transparencës dhe eliminimi i burokracisë në komuna do të jetë hapi i parë i qeverisjes dhe do të ngritët një sistem llogaridhënës sa i përket shpenzimit të taksave të qytetarëve dhe bizneseve.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, kryetari i LDK-së ka vizituar edhe fshatin Çabër ku ka bashkëbiseduar me banorët e këtij fshati.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme