Zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në Obiliq kanë thënë se nuk janë të njoftuar se ka pasur fotografim të votave në vendvotimet e kësaj komune, siç ka raportuar Demokracia në Veprim (DNV).
Në një konferencë për shtyp, kryeshefi ekzekutiv i DNV-së, Ismet Kryeziu tha se deri tash kanë evidencuar 131 raste të fotografimit të votës, ndërsa më së shumti kjo ka qenë e theksuar në Fushë Kosovë, Obiliq, Mamushë e Istog. Në Obiliq thuhet se ka pasur edhe votim familjar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, kryesuesi i KKZ-së në Obiliq, Afrim Krasniqi, ka thënë se nuk është i njoftuar për këtë.
“Për Obiliq unë nuk jam i informuar se ka pas fotografim të votave. Për votim familjar, të moshuarit nuk mundin me marrë tjetërkënd me veti, kur e ka djalin te shtëpia. Ai nuk është votim familjar. Ma mirë është me marrë djalin e vet me i asistua se me marrë dikë tjetër, kjo është që po e keqpërdorin me pleq e pensionistë, se nuk është votim familjar”, ka thënë Afrim Krasniqi, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Obiliqi.
Sipas tij, deri tash gjithçka ka shkuar mirë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme që janë duke u mbajtur për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, asgjë nuk ka munguar se paraprakisht jemi furnizuar me material. Procesi deri tash ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe nuk vlen diçka të ceket, veç ishalla shkon deri në fund kështu”, është shprehur Afrim Krasniqi, i cili nuk ka mundur të jap shifrat për numrin e votuesve, pasi ka thënë se ato është duke i mbledhur nga menaxherët e qendrave të votimit.
Ndërsa, nga Fushë-Kosova nuk ka qenë e mundur të merren deklarata nga KKZ-ja, pasi kryesuesja, Hyrie Dumani, ka thënë më herët se nuk kanë të drejtë të prononcohen për media.
Rezultatet e orës 15:00 të KQZ-së flasin për një rritje të numrit të votuesve nga ato që ishin paraqitur në orën 11:00. Sipas të dhënave preliminare të kësaj kohe, në Podujevë kanë votuar 26.78 për qind, në Fushë-Kosovë 27.55 për qind, në Obiliq 28.88 për qind dhe në Graçanicë 29.74 për qind.