Zgjedhjet lajme

Haradinaj: Gjakova nuk i fal mashtrimet

Kandidati i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se qëndrimi në Gjakovë është mburrje e kënaqësi, ndërsa ka theksuar se ajo nuk i falë mashtrimet, transmeton Koha.net.

“Gjakova nuk i falë mashtrimet. Mburrje, kënaqësi, triumf është qëndrimi në Gjakovë. Kjo ndjenjë nuk është vetëm e sotme, por e përhershme. Gjakova e burrave të mëdhenj, e rinisë së guximshme të “djemve të asfaltit” e sa e sa vajzave dhe djemve të kësaj treve që iu falën lirisë e atdheut, gjithmonë ishte kjo që është - krenare dhe e padorëzuar kurrë. Jam i bindur se këtij qyteti, kësaj treve fisnikësh e bujarësh të vendit tonë, bashkërisht do t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur padrejtësisht nga të tjerët”, ka thënë Haradinaj.

Ai më tutje ka shtuar se, “Gjakova ishte dhe është bastioni krenar dhe i palëkundshëm i projektit tonë të përbashkët për një Kosovë shtet - shtet dhe të zhvilluar ekonomikisht. Unë e di se çka duhet të bëjmë për ta rivendosur Gjakovën aty ku e ka vendin, për ta rikthyer dinjitetin e qytetit dhe qytetarit të këtij qyteti. E shoh këtë dhe e ndjej, pikërisht në projektin në të cilin u bashkuam të gjithë, si mundësinë më të mirë për të arritur objektivat tona për qytetin e Gjakovës dhe gjithë Kosovën”.

Haradinaj më tutje ka shtuar se “Fillimi i Ri” do ta ribëjë Gjakovën, dhe do t’i japë asaj vendin e merituar në ballë të shtetit.

“Gjakova e heroizmave të mëdhenj, punës, kulturës dhe qytetarisë së vjetër, do të ketë sërish vendin e merituar në ballë të shtetit tonë. Ne do ta ribëjmë Gjakovën. Garant jam unë. Garant jemi secili prej nesh, në projektin e përbashkët për fillimin e ri të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.