Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lajme

RrGGK bën thirrje që të votohen gratë

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) bën thirrje që të votohen kandidatet gra në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 11 qershor.

“Gratë ende mbeten shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në vendim-marrje në nivel kombëtar, komunal dhe partiak. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore është obligim i yni si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament, duke pasur parasysh që subjektet politike dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë dështuar në zbatimin e këtij Ligji”, thotë RrGGK.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne inkurajojmë gratë dhe burrat, që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë interesat e tyre në parlament dhe do të luftojnë për arritjen e barazisë gjinore. Duke vlerësuar zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë themelore të njeriut, ne e konsiderojmë më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u ipen mundësi të barabarta. Mungesa e demokratizimit dhe pjesëmarrja e pamjaftueshme e grave në vendim-marrje brenda shumicës së subjekteve politike historikisht ka privuar padrejtësisht gratë nga pjesëmarrja në vendim-marrje në nivel qendror e lokal”, thuhet në komunikatë.

“Duke qenë të paanshëm politikisht dhe pa dashur të favorizojmë asnjërin subjekt politik, ne bëjmë thirrje që të votohen gratë nëpër listat zgjedhore, që të kontribuojmë në përfaqësimin prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, ashtu siç e garanton Ligji nr. 05/L-020. Prandaj, për përfaqësim të barabartë, të votojmë për gratë”, përfundon RrGGK.