Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një takimi të hënën me Degën e Tretë të LDK-së, ka thënë se Prishtina në këto katër vite ka mësuar më së miri se si nuk duhet të qeveriset, ndërsa ka premtuar se koha e gazit lotsjellës, molotovit dhe dëmtimit të pronës publike nuk do të përsëritet pas fitores së 11 qershorit.
Ai ka thënë se qeveria e tij ka bërë shumë punë të mira, por nuk ka bërë zhurmë dhe as pompozitet, pasi punët e mira i shohin më së miri qytetarët, të cilët me votën e lirë vendosin për të ardhmen pa krim dhe korrupsion.
“Gabimi që është bërë para katër viteve më nuk do të përsëritet, sepse Prishtina e ka kuptuar se cili është dallimi ndërmjet qeverisjes së LDK-së dhe qeverisjes nga të tjerët. Ne do ta kthejmë qetësinë dhe perspektivën për familjet tona, do ta forcojmë sundimin e ligjit, do ta mposhtim krimin dhe korrupsionin dhe do ta zhvillojmë ekonominë”, ka thënë Hoti, përcjell ksp.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se LDK është model se si qeveriset shteti, si respektohen institucionet dhe si ruhet pasuria publike, ndërsa kryetari i Degës së Tretë të LDK-së, Hazir Borovci ka thënë se kjo Degë me të drejtë quhet Dega e Ibrahim Rugovës.
Ai ka thënë se kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, gjatë pozitës së tij të nënkryetarit të Prishtinës, së bashku me kryeministrin Mustafa i kanë vënë themelet e zhvillimit të kryeqytetit, andaj ka shfaqur besimin se ky sukses do të përsëritet edhe nga qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti në nivel të Kosovës.