Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lajme

Vetëvendosje në Fushë Kosovë: Me ne në Qeveri nuk ka negociata me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur tubimin e tretë elektoral sot. Tubimi po mbahet në Fushë Kosovë, ku i pranishëm është Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, por edhe kandidatë të tjerë për deputetë.

Fjalën hapëse në këtë tubim e mbajti Kryetarja e Qendrës së Fushë Kosovës dhe kandidatja për deputete, Albana Gashi, e cila prezantoi disa nga prioritetet e Vetëvendosje gjatë qeverisjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Si grua e re e kam kuptuar prej vitesh që përveç angazhimit të drejtpërdrejtë në politikë nuk ka asnjë rrugë tjetër për të lufta për barazi në shoqëri. Nëse ne, gra dhe vajza, nuk merremi me politikë atëherë vendimmarrja u ngelet atyre që e kanë nëpërkëmbur këtë shoqëri", tha Gashi.

Ajo shtoi se qeverisja e Vetëvendosje-s parasheh barazi shoqërore dhe gjinore. Ajo shprehu po ashtu zotimin se me qeverisjen e Vetëvendosje-s parashihet pushimi i lehonisë për 12 muaj, hapja e 140 çerdheve, pagesat për fëmijët dhe ndërtimi i 4000 banesave sociale.

Në tubimin elektoral të Fushë Kosovës, kandidati për deputet, Xhevdet Qeriqi, para qytetarëve tregoi arsyet pse i hyri politikës dhe u rreshtua me Vetëvendosje-n.

"Duke e parë gjendjen në të cilën gjendemi ne si popull, unë si një qytetar i zhgënjyer dhe invalid i luftës vendosa që t’i bashkohem subjektit të shpresës, subjektit të së ardhmes vendosa t’i bashkohem Vetëvendosje-s", tha Qeriqi.

Qeriqi tha po ashtu se menjëherë pas luftës ndodhi ajo që nuk e pritnim asnjëri prej nesh, politikanët tanë nuk e rimëkëmbën vendin, por në fakt i shkatërruan ato përfundimisht, duke përfituar vetë e duke e lënë vendin tonë në mjerim.

"U deshën 15 vite që të protestojmë dhe të organizojmë protesta që të kalonte një ligj. Këta nuk janë krahu i luftës, se përndryshe do të kishin bërë më shumë për ata që dhanë gjithçka që Kosova të ishte një vend i lirë", tha tutje Qeriqi.

Qeriqi tha po ashtu se një pjesë e madhe e veteranëve të luftës jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike, sociale dhe shoqërore dhe askush nuk e çan hallin për ta. Ai shtoi se dhjetëra veteranë luftë bënë vetëvrasje, e patën guximin për ta luftuar Serbinë, por të lënë mënjanë nga pushtetarët tanë morën vendimin më të dhimbshëm.

Në tubimin elektoral të Vetëvendosje-s në Fushë Kosovë, nga kandidatët për deputetë ka folur edhe Liburn Aliu. Ai vuri theksin tek bashkëkombësit nga Presheva, Medvegja e Bujanovci, ku shumë prej tyre jetojnë në qytetin e Fushë Kosovës.

"A ka ndonjë fakultet, luftë, protestë e demonstratë në të cilën nuk kanë marrë pjesë qytetarët nga Medvegja, Bujanovci dhe Presheva? A ka ndonjë familje të ndonjë të burgosuri politik,ndonjë nënë ta kalojë natën në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë për të vizituar fëmijët e burgosur. Ashtu siç gjithmonë Kosova i ka pas sytë nga Tirana, ashtu sot qytetarët nga Medvegja, Bujanovci, e Presheva i kanë sytë nga Prishtina", tha Liburn Aliu.

Ai ka akuzuar pushtetin se nuk është interesuar kurrë për qytetarët e kësaj pjese.

"Me Vetëvendosje-n në qeveri nuk ka negociata me Serbinë në të cilat nuk është kusht çështja shqiptare në Medvegjë, Bujanovc, e Preshevë. Për të gjithë ata që jetojnë atje e punojnë këtu duhet me patjetër të sigurohen dokumentet. Për të gjithë ata që nuk e kanë të rregulluar çështjen e nënshtetësisë, me qeverisje e Vetëvendosje kjo çështje do të rregullohet", premtoi Liburn Aliu.

Nga Fushë Kosova, në tubimin zgjedhor në këtë komunë, në fillim të fjalës së tij, Shpend Ahmeti ka ironizuar me një deklaratë të Hashim Thaçit, ku ky i fundit kishte folur për mungesën e patriotizmit tek disa liderë politikë.

"Është e vërtetë që disa liderë kanë mungesë patriotizmi, duke filluar nga Hashim Thaçi, duke filluar nga këta kandidatët që bënë koalicionet e natës", tha Ahmeti.

Për Haradinajn e Hotin, Ahmeti tha se nuk dalin në debate me Albin Kurtin sepse frikësohen.

"Duke u fshehur pas njëri-tjetrit nuk duan t’i ballafaqojnë idetë e programet e tyre me ato të Vetëvendosje-s", tha Ahmeti tutje.

Në fund, Ahmeti theksoi se në njërën anë kanë pasur premtime të rrejshme prej 17 vitesh dhe nga ana tjetër kanë VV-në që i ka rezistuar dhe ka protestuar kundër veprimeve të dëmshme dhe e cila i ka realizuar premtimet në komunën e Prishtinës.