Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lajme

Vetëvendosja thotë se Vushtrria dhe Shtërpca besojnë në fitoren e tyre

Vetëvendosje hapi ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, në Shtërpcë dhe në Vushtrri.

Vetëvendosje mori mbështetje të madhe nga qytetarët e Shtërpcës dhe Vushtrrisë, ku sipas Vetëvendosjes, do t’i jepet fundi atyre që zhvatën shtetin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këto tubime morën pjesë deputetët Shpejtim Arifi, Valon Ramadani, Krenare Koqi, Albulena Haxhiu, Kryetari Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Albin Kurti, Vlora Haxhimehmedi, Rexhep Selimi dhe Aida Dërguti.

Në Shtërpcë, kandidati për deputet, Shpejtim Arifi, theksoi se varfëria e pabarazia e ka kapluar Kosovën, si dhe përmendi problemet me shtrirjen e sovranitetit në gjithë vendin.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës figuron vetëm në letër. Në komunën e Shtërpcës ende valon flamuri i shtetit të Serbisë. Nuk jemi kundër, por siç e dinë gjeneratat më të vjetra në kohën e ish-Jugosllavisë, ne kemi pasur flamurin kombëtar, ndërsa sot nuk kemi asnjë shenjë të Republikës së Kosovës. Po ashtu popullata shqiptare po braktis vendet e tyre të lindjes për shkak se pushteti i harroi dhe i la anash ato”, tha Arifi.

Kandidati tjetër për deputet, Valon Ramadani, tha se nga 11 qershori duhet ta instalojmë në vendin tonë drejtësinë shoqërore, ta forcojmë shtetin e ta zhvillojmë atë.

Ndërkaq, kandidatja tjetër për deputete, Krenare Koqi, vuri theksin tek pabarazia gjinore që është prezentë në vend, duke deklaruar se vetëm politikat e VETËVENDOSJE!-s mundësojnë barazi për të gjithë.

Më pas, qytetarëve të Shtërpcës iu drejtua ish-deputetja dhe kandidatja për deputete edhe për legjislaturën e ardhshme, Albulena Haxhiu, e cila u shpreh e bindur se qytetarët me 11 qershor do t'i ndëshkojnë zhvatësit e matrapazët, servilët e tradhtarët.

E në fjalën përmbyllëse, Kryetari Visar Ymeri tha se edhe 18 vite pas çlirimit, kemi vendbanime në Kosovë ku situata është si para vitit 1998, e krejt kjo si pasojë e këtij pushteti që qeverisë gjithë këto vite.

Fare në fund, Visar Ymeri, tha se plani i dy koalicioneve ka prioritet vetëm korrupsionin e krimin, kurse VETËVENDOSJE! ka alternativën. Ai përmbylli tubimin duke numëruar 40 prioritetet e Lëvizjes dhe bëri thirrje që me 11 qershor të votohet numri 35, të votohet Lëvizja Vetëvendosje.

Në tubimin e dytë gjatë ditës së tretë të fushatës në Vushtrri u hap nga kandidatja për deputete, e cila muaj më parë la Norvegjinë dhe u angazhua si Drejtoreshë e Shëndetësisë pranë Komunës së Mitrovicës, Vlora Haxhimehmedi.

Në fjalën e saj, ajo tha se nuk është i vetmi person që e la Perëndimin për t’u kthyer në Kosovë e për të kontribuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Vlora shtoi se, “Kosova është e zhytur në varfëri, vetëm VETËVENDOSJE! e shpëton vendin nga kjo gjendje”.

Kandidati për deputet, Rexhep Selimi mes brohoritjeve të të pranishmëve u shpreh: "Ka shumë vite që VETËVENDOSJE! i ka prirë ndryshimit të ecjes së shtetit të Kosovës. Ka shumë vite që LVV e ka mbjellur farën e Kosovës, me 11 qershor do ta korrë këtë fitore.

Në tubim ka folur edhe Nënkryetarja e Kuvendit dhe kandidatja për deputete nga kjo komunë, Aida Dërguti.

“Heronjtë e këtij vendi janë të gjithë ata që vendosën të qëndrojnë nën regjimin e Millosheviqit, të gjithë ata që u detyruan ta lëshojnë Kosovën nga presioni i këtij regjimi, por nuk e harruan vendin e tyre: u organizuan dhe mbajtën gjallë me bukë popullin e Kosovës dhe shkollat shqipe, financuan dhe morën pjesë në luftën çlirimtare”, tha Dërguti.

Ndërsa Glauk Konufca, në fjalën e tij nuk i kurseu kritikat thumbuese duke iu referuar koalicioneve si të klanit “Pronto” dhe të “nga fryn era”, në të cilat liderët Veseli dhe Mustafa kanë vendosur të kandidojnë për kryeministër Haradinajn dhe Hotin, pasi e dinin se përballë Albin Kurtit të dy ishin të humbur.

Në mbyllje të tubimit Albin Kurti tha: “Gjatë qeverisjes tonë synimi im është ta largoj frikën prej Kosovës dhe ta kthej shpresën këtu.”

Më tej, Kurti vazhdoi duke rikaluar edhe njëherë prioritetet e Kosovës me zotimet se me VETËVENDOSJE!-n në pushtet, mes shumë të tjerash, nuk do të ketë familje pa kulm mbi kokë, fshatra pa kanalizime dhe ujësjellës, prodhim pa treg dhe treg pa prodhim.

Kurti nuk la pa sulmuar edhe kundërshtarët politikë në lidhje me ushtrinë e Kosovës dhe historinë e UÇK-së.