Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Falënderim Rusisë

Rajoni dhe problemet e tij pas një kohe më të gjatë të mungesës tani u gjendën sërish në radarët e SHBA-së dhe të BE-së, Perëndimi përshpejton zgjidhjet dhe kërkon demokratizim të vërtetë, ndërsa e gjithë kjo falë frikës nga depërtimi i shtuar i ndikimit rus

Parashikimet janë shumë mosmirënjohëse, posaçërisht nëse ato kanë të bëjnë me të ardhmen, ka thënë shumë kohë më parë fizikani i famshëm danez Nils Bor, por unë do ta marr përsipër rrezikun: Viti 2018 do t’i sjellë Ballkanit Perëndimor shumë lehtësime. Ka arsye për optimizëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Diplomati amerikan Hoyt Brian Yee në maj vizitoi Maqedoninë dhe Shqipërinë. Duke mos harxhuar shumë kohë e preu krizën në Shkup, ndërsa Zoran Zaevi u instalua për kryeministër të ri. Në Tiranë, amerikani me të njëjtin efikasitet arriti që opozita të ndërpresë bojkotin e zgjatur të Kuvendit dhe të dalë në zgjedhje.

SHBA-ja është e vendosur që në Ballkanin Perëndimor të ndihmojë “aty ku është e dëshiruar”, andaj dhe Hoyt Yee agjil, në tetor, u nis për vizitë në Serbi dhe Kosovë, me qëllim të qartë për të bërë me dije se Amerika nuk do të lejojë që kontesti i ndërsjellë të shndërrohet në një “konflikt të ngrirë”.

Është e mundur që evropianët më shumë sesa amerikanët i kuptojnë konfliktet etnike, por SHBA-ja është më praktike, e me këtë edhe më efikase nga burokracia anemike, e ngadalshme e shpeshherë edhe sterile e BE-së dhe e ndërmjetësve të saj. Washingtoni merr iniciativë duke ia lënë Brukselit prerogativat e tij ekzistuese.

Rezultatet tashmë po vërehen. Presidenti Aleksandar Vuçiq për herë të parë në muajin nëntor, pas vizitës në selitë e BE-së dhe të NATO-s në Bruksel, ka nisur ta përgatisë publikun serb për “ndryshimet dramatike“, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do t’i pranojë: pa një marrëveshje juridikisht të obligueshme me Kosovën, Serbia nuk mund të ketë anëtarësim në BE.

Nuk do të jetë kjo një njohje zyrtare e Pavarësisë së Kosovës, por braktisja nga Vuçiqi e “qasjes mitike“ me gjasë nënkupton ndërprerjen e kundërshtimit të Beogradit për një ulëse të Kosovës në Kombet e Bashkuara – sipas modelit të dikurshëm të dy Gjermanive.

Do të ketë këtu ende përplasje rreth formatit të përfshirjes së amerikanëve në dialogun e Brukselit (prej të cilit ata kurrë as nuk kanë qenë të përjashtuar), por po kristalizohet qëndrimi se koha për negociata skadon nga fundi i vitit 2018. Që, jo rastësisht, është i njëjti afat që u është dhënë edhe Maqedonisë dhe Greqisë që të zgjidhin kontestin rreth emrit.

Mbase ka të drejtë komisari për Zgjerim, Johannes Hahn, kur thotë se „është herët“ të flitet për atë se si do të duket normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk dihet si do të duket ai, është gjithnjë më e pritshme se një gjë e tillë duhet të ndodhë dhe se do të duhej të përmbyllej shpejt. Do ta kuptojmë së shpejti: Hahn në shkurt do të paraqesë strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Për dallim nga BE-ja, e cila me një dozë mosbesimi e pranon Prishtinën, Amerika ka potencialin më të madh të ndikimit në të dy “palët e interesit“, pa marrë parasysh që Beogradi ka një mosbesim të ngjashëm ndaj amerikanëve. Vetëm amerikanët mund t’u bëjnë presion Hashim Thaçit e Ramush Haradinajn që të përmbushin Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe. Vetëm ata mund t’i bëjnë presion Vuçiqit që të ndërpresë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, prej UNESCO-s dhe Interpolit, deri te Kombet e Bashkuara.

Amerikanët e kanë vënë në lëvizje Ballkanin Perëndimor. Zgjidhni krizat, stabilizojeni rajonin, ndërsa ne do të ndihmojmë në rrugën e integrimeve evropiane dhe të NATO-s. Paralajmërimet e një angazhimi të forcuar amerikan janë konfirmuar nga fundi i vitit edhe me analizën e Këshillit Atlantik, një organizatë analitike me ndikim në Washington.

Ka aty edhe një gjë, e cila ka gjasa se i brengos politikanët, por që do të duhej të jetë një lajm i mirë për banorët e rajonit: nuk mjafton të kryhen detyrat e shtëpisë rreth negociatave.

Komisari Hahn është shumë i qartë kur në Beograd porosit se normalizimi me Kosovën është “parakusht“ për hyrje në BE, por lista nuk mbaron me kaq. Do të insistojë paralelisht në reformat demokratike, në sundimin e ligjit, ndërtimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës, lirinë e mediave dhe gjithë liritë e tjera.

Mesazhi i dërgohet edhe Prishtinës: BE-ja e ndihmon Kosovën në përgatitjen e terrenit për anëtarësimin e ardhshëm, ashtu që do të përmirësojë strukturën ligjore, performancën ekonomikë, do të rrisë të hyrat, që është me rëndësi në rastin e Kosovës, sepse një e treta e të hyrave vjen nga doganat, të cilat nuk do të ekzistojnë në një treg të përbashkët.

Perëndimi ka hequr dorë nga insistimi kalkulues në forcimin e kapaciteteve stabilizuese kur e ka vërejtur se ato nuk përcillen me forcimin e demokracisë në vendet e rajonit, shumë prej të cilave, falë orientimeve tradicionale, të ardhmen e vet e shohin në njëfarë “absolutizmi të ndritur“. Nuk ka më tolerancë për nacionalizëm dhe ambicie autoritare. “Autoritarizëm që shkon zvarrë“, siç e quan Këshilli Atlantik.

Uncle Sam do të mundë t’i sjellë Kosovës në dhjetëvjetorin e Pavarësisë një dhuratë të bukur. Sikur edhe Serbisë, e cila do ta hapte të ardhmen e vet dhe do të lirohej nga ëndrrat feudale të cilat e pengojnë.

Por falënderimin që rajoni dhe problemet e tij pas një kohe të zgjatur të mungesës sërish u gjetën në radarët e SHBA-së dhe BE-së, që Perëndimi po i përshpejton zgjidhjet, duhet dërguar në adresën e papritur – në Moskë. Perëndimi është zgjuar vetëm kur e ka parë se në rajon për një periudhë të shkurtër janë aktivizuar pikat kronikisht neuralgjike,të cilat kanë mundësuar një depërtim të fuqishëm të ndikimit rus.

Që nga koha e shpërthimit të krizës ukrainase, Moska e ka vendosur Ballkanin në hartën e interesave të veta strategjike, duke ia dërguar Perëndimit porosinë: nëse vazhdoni me afrim të NATO-s te kufijtë tanë, do të tregojmë se mund t’i destabilizojmë rajonet e tjera. Ballkani është treguar si poligon i përshtatshëm, marrë parasysh potencialet e tij shpërthyese si një “fuçi baruti“.

Rusët në tre vjetët e fundit prej hapjes së krizës ukrainase po punojnë intensivisht. Është hapur konflikti mes pushtetit dhe opozitës proruse në Mal të Zi rreth synimit të kryeministrit Milo Gjukaniviq që vendin ta anëtarësojë në NATO. Më pas konflikti mes bllokut prorus dhe atij properëndimor në Maqedoni është bartur në rrugët e Shkupit, duke shkaktuar një krizë serioze politike.

Ishin këto dy raste të shkëlqyeshme që Rusia në praktikë të provojë mbështetjen e saj në metodat e sofistikuara të “fuqisë së butë“, por edhe të tregojë se nuk heziton t’i fusë standardet e dyfishta në politikën pragmatike: në Podgoricë Kremlini ishte në krah të “rrugës“ anti-NATO, në Shkup ishte kundër “rrugës“ prodemokratike.

Ndalesa në negociatat serbo-kosovare është në kontrast drastik me premtimet e politikanëve, të cilët në Bruksel zotohen se janë të dedikuar për “normalizim“, por se pala tjetër po i minon. Ka shumë në Serbi që shpëtimin nga “humbja e Kosovës“ edhe tutje e presin nga “nëna Rusi“, për të cilën Kosova është një prej levave kryesore për ndikim në Serbi.

Njëkohësisht, Perëndimi i ka injoruar paralajmërimet që deficiti i demokracisë do të mundësojë destabilizimin. Është vënë në lëvizje vetëm kur e ka hetuar suksesin e fushatës ruse jo vetëm kundër NATO-s, por edhe kundër BE-së si “projekt gjithnjë e më pak atraktiv“, “mit nga vitet nëntëdhjetë“.

Fakti që ka lëshuar rastin që prej liderëve të rajonit të kërkojë me vendosmëri respektimin e standardeve demokratike, ua ka hapur derën forcave antievropiane, proruse, të cilat promovojnë vlera shoqërore në të cilat qytetarët i shërbejnë shtetit, dhe jo shteti qytetarëve.

Rritja e nacionalizmit dhe e retorikës së konflikteve u shkon për shtat autokratëve të rajonit, andaj dhe vakuumi i demokracisë shpejt i ka mundësuar ashpërsimet e rrezikshme. Republika Sërpska është shndërruar në filial të Kremlinit, rusofilët shëtisin nëpër Mal të Zi e Maqedoni, Rusia themelon organizata joqeveritare në veri të Kosovës, një pjesë e liderëve serbë gjithnjë e më hapur ofrohen që ta harrojnë BE-në dhe t’i kthehen alternativës së Lindjes.

Beogradi, pas “këshillës“ amerikane se nuk mund të jetë i ulur në dy karrige, gjithnjë e më pak do të mundë të mbështetet në oscilimin e vet komod. Politikën e jashtme do të duhet që intensivisht ta harmonizojë me diplomacinë e Brukselit, me çka do të ndërpritet trendi i largimit nga Evropa dhe afrimit të heshtur Rusisë, që assesi nuk i shkon një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

Vërejtja për vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos luajnë me nacionalizmin, por t’i zgjidhin problemet mes vete dhe të nisin seriozisht të reformohen dhe të ndërtojnë shtete demokratike që i respektojnë të gjitha normat juridike, do të mundë të jetë një “përfitim kolateral“ nga brengosja e dukshme e Perëndimit për shkak të politikës ruse Drang Nach Westen.

Në kontekst të tillë mund t’u jem falënderues rusëve. Po të mos ishte ambicia e tyre që të vendosin sferat e ndikimit në Ballkanin Perëndimor, nuk do të kishim as aktivizim të Perëndimit.

(Autori është gazetar i njohur nga Beogradi)