Ngërçi politik apo ngërçi në kokë : Seanca konstituive u zhvillua ashtu siç nuk do të duhej të zhvillohej , me shantazhe , frikësime , linçime publike dhe terrorizim të deputetëve të shënjestruar dhe qytetarëve të Kosovës.
Deri me tani ishte vendosur një praktikë e mirë dhe nuk ka pasur probleme kur është dashur të zgjidhej kryetari i Kuvendit , nënkryetarët dhe Kryesia . Viti 2014 ishte viti kur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese u ngatërruan gjërat aq shumë duke krijuar një bazë ligjore për legalizimin e bllokimit të proceseve, që po vërehen pikërisht këto ditë, kur edhe dështoi seanca konstituive e Kuvendit . Deputetët u treguan të mirësjellshëm dhe korrektë vetëm deri sa u certifikuan si deputetë e që ua mundëson t’i marrin pagat , kryesisht të pamerituara .
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSeancën konstituive të Kuvendit , sipas një skenari të zbatuar deri më tani dhe që nuk u kundërshtua asnjëherë, e udhëhoqën deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i riu . Rastisi të jetë Adem Mikullovci nga VV dhe Teuta Rugova nga LDK . Jam i sigurt se asnjëri nga ta , po të pyeteshin , me dëshirë nuk do të uleshin në ato karrige . Adem Mikullovci nuk kishte përvojë në udhëheqjen e seancave paralamentare andaj bëri disa gabime që kurrsesi nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës së seancës konstituive . Ai e kishte përkrahjen e stafit mbështetës të sekretariatit të Kuvendit, mirëpo stafi nuk mund t’ia lexonte mendimet e pathëna apo të fliste në emër të tij. Ishte një situatë tragji-komike kur kryesuesi i seancës konstituive e deklaroi si të mbyllur seancën në vend se të thotë se seanca shtyhej për një kohë të caktuar apo pacaktuar .
Të pranishmit në sallë, por edhe ata para ekraneve televizive, e kanë parë reagimin plotë habi të stafit mbështetës , nga vendimi i kryesuesit të seancës. Nuk e besoj se këtë gabim Adem Mikullovci e ka bërë me qëllim, sepse askush nuk ishte përfitues nga kjo situatë. Mungesa e përvojës dhe situatat jashtë kontrollit kanë ndikuar në këtë gabim të paqëllimshëm të cilin, pastaj , thuaja të gjitha subjektet politike e përdorën dhe e keqpërdorën për qëllime politike. Adem Mikullovci , gjatë udhëheqjes së seancës konstituive është dashur të jetë i paanshëm politikisht e që nuk ishte , pa deklaruar se kush mund dhe kush nuk mund të bëhet kryetar i Kuvendit apo kryeministër .
Ky ishte gabimi i vetëm i nipit të nipit kurse gabimet tjera janë të papërfillshme. Arsyetimi se nuk ka mundur ta thërrasë seancën e re pa pëlqimin e subjekteve politike nuk është i qëndrueshëm, sepse kryesuesi i seancës konstituve të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë detyrim ta konsultojë ndonjë subjekt politik për seancë të re për faktin se ishte vetëm një pikë e rendit të ditës: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit , nënkryetarëve dhe këtu do të përfundonte roli i Adem Mikullovcit dhe Teuta Rugovës për të vazhduar pastaj me procedura tjera .
Nuk ishin as Adem Mikullovci e as Teuta Rugova përgjegjës për dështimin e seancës, por ishin deputetët e papërgjegjshëm dhe inatçorë përkatësisht liderët e tyre , të uritur për pushtet. Me kushtetutën që është sot në fuqi në Kosovë , koalicioni fitues parazgjedhor apo subjekti që merr më së shumti vota e ka të drejtën ekskluzive ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe se ky propozim nuk ishte kundërshtuar deri më tani . Jofituesit e zgjedhjeve nuk kanë asnjë të drejtë t’i caktojnë fituesit emrin e të propozuarit siç po veprojnë në rastin konkret . Jofituesit e zgjedhjeve kanë interes që të përshpejtohet zgjedhja e udhëheqësve të Kuvendit në mënyrë që pastaj ta fitojnë të drejtën , në rast të dështimit të PAN-it , ta formojnë qeverinë . Anjë koalicion normal apo fitues i zgjedhjeve nuk do të pranonte që jofituesi të vendosë se kush do të jetë kandidat i fituesit për kryetar të Kuvendit aq më parë që kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.
Në arsyetimin e VV për kundërshtimin e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit ishte se nuk është figurë unifikuese dhe se është figurë kontraverse . LDK ishte më radikale sepse thoshte se Kadri Veseli është i padenjë për kryetar të Kuvendit ndonëse për tri vite me radhë e luajti rolin e kurvës politike në shërbim të PDK dhe Kadri Veseli. Ka mjaftuar që Kadri Veseli ta prek rrypin e pantallonave dhe LDK i ka lëshuar brekët. Për çfarë dinjiteti flasin sot ! Për çfarë morali e kanë fjalën ?! Pse atëherë e votuan Kadri Veselin, në kohën kur e kundërshtonte një pjesë e LDK ! LDK nuk po udhëhiqet nga arsyeja pse e refuzon Kadri Veselin por nga inati dhe ndjenja e hakmarrjes për rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe këtë e përsërit në çdo rast dhe ky është edhe argumenti i vetëm . LDK –në e kanë rrëzuar në rend të parë vet deputetët rebelë të LDK-së e pastaj ekzekutimin e kanë bërë PDK dhe të gjitha partitë tjera, edhe VV . Nëse VV udhëhiqet nga një parim i kundërshtimit , LDK nuk ka parime për këtë sepse për tri vite me radhë ka qenë pjesë aktive e orgjisë politike .
Të kontrabanduarit dhe të dhunuarit : PAN ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për kryetar të Kuvendit dhe qeverinë Haradinaj . Doli se nuk i ka. Kam menduar se do t’i sigurojë 61 vota të nevojshme për formimin e qeverisë dhe Kuvendit ndonëse kam konsideruar dhe konsideroj se kjo do të ishte qeveri me këmbë të qelqit e cila do të shkërmoqej në çdo çast, aq më parë që nuk do të kishte jetgjatësi dhe nuk ishte interes që 61 deputetë shqiptarë ( tash 60 , pa Teuta Rugovën ) të mbesin në opozitë në një mjedis thuaja 94% shqiptare . Njihem si një kundërshtar i madh dhe pakompromis i politikës së Ibrahim Rugovës për të cilin mendoj se e ka penguar luftën çlirimtare.
A kam të drejtë a jo është çështje e kohës dhe historisë, pasi të hapen letrat, pas një kohe të caktuar. Nuk jam marrë asnjëherë me familjen e Rugovës por as me Rugovën ad personem. E kam përkrahë çdokend që ka punuar dhe punon për këtë vend dhe që ka bërë sakrificë për këtë vend dhe këtë gjysmëlirie që e kemi . Botërisht kam deklaruar se më shumë e çmoj sakrificën e një luftëtari të UÇK-së , edhe nëse ka luftuar një minut të vetëm, se disa personave dhe familjeve që kanë jetuar dhe mbijetuar në çdo sistem kryesisht duke punuar në dëm të popullit , gjuhën e të cilit , për fat të keq e kanë pasur të njëjtë me ata që kanë luftuar , vdekur dhe syrgjynosur për këtë popull dhe Kosovën , si pjesë e pandashme e Shqipërisë ,e ndarë në mënyrë të dhunshme nga shteti amë. Unë nuk bëjë dallim midis Fehmi Lladrovcit dhe Agim Ramadanit sikur as midis Ilaz Kodrës e Sali Çekut dhe shumë dëshmorëve tjerë që kanë rënë për lirinë e Kosovës .
Pas qershorit 1999 u krijua një situatë tjetër ku shumë luftëtarë të lavdishëm hyrën thellë lakrave duke u shndërruar në milionerë dhe duke rënë në kundërshtim me parimet dhe sakrificat që i bënë para e sidomos gjatë luftës. Milionerë u bënë edhe paqësorët apo ata që ishin në shërbim të armikut dhe kundër intereseve të popullit por këta nuk binin në sy. Fillimisht , pas përfundimit të luftës , kolaboracionistët që nuk bënë as rezistencë paqësore , u strukën nga frika për jetën e tyre dhe pritën gabimet e krahut të luftës të cilat ishin të shumta për t’u shndërruar pastaj në denoncues dhe akuzues kryesorë të luftës dhe atyre që e bënë luftën e lavdishme, por që e shkelën me grykësinë e tyre . Tash , nuk po dihet se kush e bëri luftën çlirimtare , kush e tradhtoi atë , kush ishin të torturuarit në burgjet e Jugosllavisë dhe Serbisë dhe kush ishin torturuesit .
Edhe tash , ata që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë janë në ofensivë politike duke ua mohuar sakrificat e paimagjinueshme që i kanë bërë familjet Jashari , Haradinaj dhe të tjera sikur edhe luftën legjendare , në kushte tmerrësisht të vështira dhe të pafavorshme që e bënë trimat e UÇK-së ( pavarësisht përkatësisë politike dhe partiake ) sepse , ai që lufton për popull dhe liri nuk njeh parti e as politika të çastit. Adem Demaçi ishte alfa dhe omega e përpjekjeve për liri dhe bashkim kombëtar dhe , edhe nëse dikush ka qenë dhe është kundërshtar i tij , këtë nuk mund ta mohojë. Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e lehtë, e cila doli të jetë shumë e vështirë . Tash , ta sulmoni dhe linçoni publikisht Teuta Rugovën se e voton Kadri Veselin për kryetar Kuvendi dhe Ramush Haradinaj si kryeministër të Kosovës është skajshmërisht e pamoralshme dhe e ligë aq më parë që këta të cilët sot po e sulmojnë për tradhti , në vitin 2014 e detyruan ta votojë Kadri Veselin , kryetar të Kuvendit dhe më vonë Hashim Thaçin për president të Kosovës.
Cilat janë rrethanat e reja që atëherë paska qenë e moralshme dhe patriotike të votohen Kadriu dhe Hashimi, ndërsa sot qenka e pamoralshme dhe tradhti nëse votohet Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj përveç faktit se iu shkurtua mandati qeverisës Isa Mustafës ! A ishte edhe atëherë LDK parti rugoviste apo u bë tani kur po keqpërdoret Rugova dhe familja e tij për shkaqe politike dhe marrje të pushtetit ! Haxhi Abdyli u turpërua nga një dorë e ngritur e Teuta Rugovës që ishte në kundërshtim me ate të LDK –së e nuk po turpërohet nga qëndrimi shantazhues , joburrërorë dhe jonjerëzorë që e bënë duke e linçuar botërisht Teuta Rugovën . Turp dhe ligësi është t’ia mohosh të drejtën e shprehjes së vullnetit përmes votimit edhe atëherë kur nuk jeni në linja të përbashkëta. Ka mbetur te një pjesë e LDK –së ajo mendësia komuniste dhe jugosllave e imponimit të vullnetit politik në të kundërtën do të eliminoheni nga skena politike siç ngjau me një grup të anëtarëve të LDK –së , që nga koha e themelimit e që u eliminua nga LDK për shkak të mosbindjes së një mendësie politike.
Pafytyrësia është antologjike dhe mbamendja është e shkurtër duke u përputhur me interese partiake , politike dhe të marrjes së pushtetit. Jo vetëm te LDK por edhe te subjektet tjera politike ! Qenka e pamoralshme ta kontrabandoni një deputet ( pajtohem edhe unë ) por qenka e moralshme ta dhunoni vullnetin e një deputeti të votojë në bazë të përcaktimit apo interesit ( për këtë nuk pajtohem ). Po flas hipotetikisht ; nëse Teuta Rugova i kthehet kopesë politike , menjëherë do të falej dhe do të konsiderohej se po vepron në frymën rugoviane ! Nuk e them se PAN nuk ka bërë përpjekje ta bëjë për vete Teuta Rugovën duke përdorur të gjitha mjetet e lejuara dhe të ndaluara por të njëjtën gjë e ka bërë edhe LDK , duke e prekur në çështje më të ndjeshme, në çështje familjare e që do të duhej të ndaheshin nga politika. Këtu është paturpësia dhe imoraliteti i disa eksponentëve të LDK – që Rugovën e kanë dashur dhe e duan sikur borën e para 10 vjetëve.
Teuta Rugova është viktimë e të dy blloqeve politike që duan pushtet me çdo kusht. Në këtë drejtim solidarizohem me Teutën sikur edhe me të gjithë ata që i nënshtrohen një terroririzimi personal dhe familjar për arritjen e qëllimeve politike dhe intereseve të përfitimit material.
Figura tragjike e Labinot Tahirit :Labinot Tahiri ka bërë karrierë muzikore dhe mirëqenien personale dhe familjare e ka arritur në bazë të zërit që e ka. Ka qenë i angazhuar edhe në aktivitete bamirësie që është për çdo lëvdatë pavarësisht nëse ka kontribuar me mjete vetjake apo mjete të siguruara nga të tjerët. Është me rëndësi se i ka lëvizur gjërat në drejtim të duhur ; ndihmë njerëzve në nevojë. Gabimin më të madh e bëri kur hyri në një fushë që nuk e njihet , atë politike. E llogarisë si figurën më tragjike dhe më humbëse të zgjedhjeve të fundit, ani pse u bë deputet. Është fshehtësi publike se Labinot Tahiri llogaritej si vota e 61 –të e PAN-it gjë që edhe ky e bëri të ditur përmes deklarimeve publike.
Deklaroi publikisht se do ta votojë çdo kandidat shqiptar për kryetar të Kuvendit ndërsa , nën presion të politikës u bë ushtar i dëgjueshëm i partisë. Dje, kur besohej se do votonte për PAN , nga kolacionet jofituese u shpall Moisi Golem politik dhe kombëtar kurse kur u disiplinua partiakisht , po shpallet hero i ditëve të demokracisë. Edhe Labinot Tahiri është joshur nga fituesi i zgjedhjeve , nuk e di me çfarë premtimesh kurse është dhunuar nga koalicionet jofituese me vënien e damkës së tradhtarit që , për mjedisin tonë mediokër dhe folklorik është ballë e papërballueshme. Po është çështje e tij se si do të sillet në të ardhmen aq më parë që në mesin e atyre që e kanë akuzuar për tradhti kombëtare dhe politike , ka të tillë që e meritojnë Çmimin Nobel për tradhti kundër kombit dhe shtetit , nëse do të ndahej një çmim i tillë !
Për mendimin tim nuk është faji te Teuta dhe Labi as për fituesit që nuk i siguruan numrat e as për jofituesit që nuk i kanë numrat dhe është krijuar një pat – pozicion midis dy lojtarëve të pasinqertë dhe hileqerë. Ndërkaq , hijenat dhe orangutangët e prapaskenës politike janë në gjendje gatishmërie t’ua nxjerrin sytë të dyja palëve , fituese dhe jofituese.
Inati si mjet bllokues apo interesi qytetar si mjet zhbllokues: Mbështetur në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014 , PAN e ka të drejtën e vetme të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit , cilin të dojë e jo sipas dëshirës së jofituesve . Jofituesit mund ta votojnë apo të mos e votojnë kandidatin e PAN-it por jo të vendosin për emër të kandidatit . Këto janë rregulla të demokracisë ; vota e përcakton postin e jo dëshira . Deri sa nuk ndryshon Kushtetuta e Ahtisarit në Kosovë , do ta kemi këtë gjendje e cila , sipas meje duhet të ndryshojë në favor të shumicës parlamentare dhe pa të drejtë në në pakufi ta propozoni kandidatin edhe kur nuk i keni numrat e nevojshëm për zgjedhje të tij , pavarësisht emrit. Insistimi i jofituesve që ata të vendosin për emrin e kandidatit të PAN-it është joserioz , në kundërshtim me Kushtetutën dhe me logjikën. Ky qëndrim imponues i jofituesve është përpjekje për bllokim dhe shkuarje në zgjedhje të reja të cilat i konvenojnë VV por jo edhe LDK-së . Këto zgjedhje i konvenojnë edhe PDK-së. Shkuarja në zgjedhje të reja nuk u konvenon disa deputetëve të cilët , në të ardhmën , jo që nuk do të bëheshin deputetë por do ta shihnin Kuvendin vetëm nga perspektiva e një kalimtari të rastit. Kadri Veseli , po të udhëhiqej nga inatet personale , kurrë nuk do të pranonte të dorëhiqej nga mundësia e të qenit kryetar i Kuvendit që ligjërisht i takon , nëse sigurohen votat .
Me Kushtetutën në fuqi ka mundësi që deri në infinit të votohet për kryetar të Kuvendit . PAN , përkatësisht PDK bëri kompromis me këtë post të cilin VV nuk e pranon e as LDK që e quajnë shantazh ndonëse edhe këta e shantazhojnë PAN-in duke kërkuar tjetër emër ani pse nuk kanë të drejtë . Kjo i bjen sikur nëse Albin Kurti e fiton të drejtën për formimin e qeverisë dhe , nëse mbetet 60 vota me 60 vota , PAN do pajtohej që të mbështesin jofituesit me largimin e emrit të Albin Kurtit nga manadatari për formimin e qeverisë. Nëse dikujt i konvenon funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës pavarësisht emrave , atëherë këta janë jofituesit e zgjedhjeve të fundit . Por këtu pikërisht qëndron problemi ; jofituesit nuk e votojnë kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit shkaku se kanë frikë se ato vota do të përdoren edhe për formimin e qeverisë Haradinaj . Këtu jemi në qorrsokak dhe pa dalje deri sa ndërkombëtarët nuk e prejnë nyjën e Gordit sikur që e kanë bërë gjithmonë! Atëherë do të shpërfaqet mjerimi i këtyre që po luftojnë për pushtet.
Lufta nuk po bëhet për kryetar të Kuvendit sepse kjoi është e përcaktuar me Kushtetutë por lufta po bëhet për Ramushin apo për Albinin kryeministër. Nëse fillimisht Ramushi ishte jashtëzakonisht i angazhuar për postin e kryeministrit tash mund të thuhet se ka mbetë nën hije të ambicieve të Albinit ku Avdullah Hoti as që hynë në ndonjë kombinim ndonëse LDK e mashtron anëtarësinë se nuk hyjnë ma askend në koalicion nëse nuk e marrin udhëheqjen e qeverisë. Këto janë përralla sepse , i gjallë Albin Kurti , Avdullah Hoti as që mund t’ i marr erë postit të kryeministrit nëse në ndërkohë Ramushi nuk fiton . Në rrethana normale , asnjë forcë politike që është në skenën politike në Kosovë nuk e meriton udhëheqjen e shtetit e më së paku orangutangët e prapaskenës por se Kosova duhet të udhëhiqet nga një forcë krejtësisht e re politike . Po ku ta gjejmë atë forcë politike dhe ata politikanë të rinj?! Mbase t’i sjellim nga Kina !