Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

A t'i ndalet paga kujt mendon ndryshe nga shefi?

Sot kur diskutimi për liritë individuale është i stërfryrë, ndoshta si kurrë më parë në histori, ngjan pak e habitshme prirja e disa opinionistëve kosovarë apo e disa përdoruesve të rrjeteve sociale për t'ia ndalur të drejtën e fjalës e veprimit të lirë Visar Ymerit, meqenëse ky kritikon simbolet e pushtetit. Dëshira për t'i heshtur a ndalur kritikat, apo edhe përqeshjen e simboleve në kontekstin e sotëm global përgjithësisht është prirje e fondamentalistëve.

Në dy raste pati fushatë agjitacioni kundër Visar Ymerit, fillimisht kur ai me një status në facebook uroi përfaqësuesen shqiptare për rezultatin e saj, pa e përmendurpërfaqësuesen kosovare, si edhe në rastin tjetër, kur si i ftuar në një aktivitet të një partie tjetër, Visar Ymeri nuk u ngrit në këmbë për të nderuar himnin kosovar, por u ngrit në këmbë vetëm për të respektuar himnin shqiptar. Të dyja këto veprime të Ymerit janë në konsistencë të plotë me qëndrimet e subjektit të tij, i cili dëshiron që populli i Kosovës simbolet e veta dhe formën e vet shtetërore, meriton t'i zgjedhë demokratikisht, vetë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Argumenti kryesor i "qortuesve", me aq sa kam mundur të shoh në rrjetet sociale prej shfrimeve plot fyerje e gabime gramatikore, ka qenë se Visar Ymeri na qenka hipokrit, pasi ai paguhet prej Republikës së Kosovës (rrogë deputeti) ndërkohë që nuk ia respekton asaj shtetësinë. Më tej, argumenti zgjerohet për të përfshirë edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kryetar i së cilës është Ymeri, e cila merr fonde prej buxhetit të shtetit, si çdo subjekt parlamentar, por e konteston shtetësinë. Më ekstremistët prej "qortuesve" e çojnë deri në skaj këtë lloj argumentimi dhe e barazojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! me një tjetër subjekt parlamentar të Kosovës, Listën "Srpska".

Përgjigjet nuk kanë munguar, fatkeqësisht shpesh edhe ato përplot gabime gramatikore e fyerje të ngjashme, shenjë e një kulture në regëtimat e fundit pas shkatërrimit të vlerave shoqërore e infrastrukturës kulturore e arsimore. Argumentët e "mbrojtësve" kanë qenë se Visar Ymeri së pari pikërisht si deputet e ka të garantuar lirinë e fjalës dhe të veprimit politik; së dyti se ai është bërë deputet pikërisht duke mbrojtur tezat e njëjta, pra përfaqëson atë pjesë të popullit (apo taksapaguesve të Kosovës) që mendojnë ngjashëm me të në lidhje me ato çështje; së treti se Ymeri e Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk kontestojnë shtetësinë e Kosovës, por llojin e shtetësisë, shkallën e pavarësisë, dhe simbolet e imponuara së jashtmi kundër vullnetit të popullit; e së katërti se prirja e Listës "Srpska" është pikërisht e kundërta e asaj të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sepse Lista "Srpska" synon ta zhbëjë mundësisht sovranitetin dhe çlirimin e popullit të Kosovës e ta kthejë atë nën Serbi, ndërsa Lëvizja VETËVENDOSJE! synon ta forcojë sovranitetin e të njëjtit popull duke e mundësuar vetëvendosjen mbi formën e shtetit, që do të ishte edhe realizim i aspiratës çlirimtare.

Ndërkohë që secili lexues ka të drejtë të tundë kokën e vet ndaj argumentave të "qortuesve" apo "mbrojtësve", dhe të pranojë qëndrimin që i duket më bindës ose më i drejtë në një debat që nuk duket se do të shterohet së shpejti, unë dëshiroj të merrem me një fenomen tjetër që e shpërfaqi kjo përplasje e opinionistëve me Visar Ymerin rreth kufijve të lirisë së fjalës.

Dikush tha se Visar Ymeri nuk duhet lejuar të guxojë e të flasë a veprojë kundër asaj që i jep rrogën (metaforikisht, kundër shtetit të Kosovës), ndërsa dikush tjetër edhe kërkoi që Visar Ymerit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! t'i ndërpriteshin fondet dhe pagat prej buxhetit të shtetit, meqenëse ata "nuk e duan atë shtet".

Kjo më bën të mendoj për realitetet e mijëra njerëzve të pazëshëm, të punësuar që me rrogën e tyre mbajnë familjet, a kanë ata të drejtë fjale?

Sipas konceptit të demokracisë liberale, e drejta e shprehjes së mendimit të lirë është një e drejtë universale njerëzore, e cila nuk mund të kufizohet, dhe askush nuk do të duhet të kishte pasoja prej saj. Jo rrallë diktaturat e regjimet autoritare përkufizohen kryesisht edhe përmes mos-respektimit të kësaj të drejte themelore.

Mirëpo, çfarë ndodh me këtë të drejtë në një shoqëri ku udhëheqësit e opinionit publik, analistët që e mbajnë veten edhe si ekspertë të demokracisë liberale, lëshojnë kërkesa që dikujt t'i mbyllet goja, apo në mos që t'i mbyllet goja, t'i ndërpritet paga meqenëse flet "kundër punësuesit të vet".

Çfarë do të mund t'i ndodhte një të punësuari në Kosovë nëse flet mendimin e vet politik pa marrë leje prej punëdhënësit? Apo nëse ndjek bindjen e vet qytetare dhe del në një protestë gjatë kohës së lirë, pa e njoftuar punëdhënësin? Nuk e dini? Mjafton të kontrolloni profilet në rrjete sociale të ndonjë mikut a mikeshës suaj që punon në ndonjë degë të administratës apo në ndonjë shërbim publik a privat, psh. në ndonjë bankë. Do të shihni se si, edhe pse në Kosovë ka pasur kohët e fundit ngjarje që kanë tronditur apo kanë frikësuar së tepërmi opinionin, tek ta nuk reflektohet ndonjë mendim mbi këto gjëra, madje as nuk postojnë lajme mbi situatën, siç bëhet rëndom në të tilla raste. Pse? Sepse shumë të shpeshta, madje të zakonshme janë rastet kur për një postim të ndonjë mendimi personal në rrjete sociale të punësuarit kanë marrë paralajmërim prej punëdhënësit, ndonjëherë edhe përjashtim prej pune.

I njëjti fenomen shpjegon (deri në një masë të caktuar) edhe mungesën e pjesëmarrjes së profesionistëve apo profesorëve në debate publike, me shkrime dhe ekspertizë. Nëse një profesionist shkruan ndonjë analizë të argumentuar mbi fushën e vet të ekspertizës, dhe ajo analizë është në kundërshtim me ndonjë politikë qeveritare apo me ndonjë interes privat të ndonjë milioneri, atëherë dihet se ai profesionist ka shumë gjasa të jetë ndërkohë i papunë, apo të jetë i punësuar diku jashtë.

Kjo situatë e heshtjes së imponuar ndaj të punësuarve është në kontradiktë direkte me pretendimet për demokraci liberale – dhe këtë e dimë. Por që kësaj situate shpirt-ngulfatëse t'i kontribuonin edhe analistët liberal-demokratë, këtë nuk mund ta shpjegojmë.

Një i punësuar, qoftë kamarier, qoftë punonjës banke, qoftë i ndonjë profesioni tjetër, kur hyn në punë diku nuk e shet bashkë me punën secilën të drejtë të vetën. Puna nuk është skllavëri, dhe të ardhurat që i merr prej saj nuk janë nder që po ta bën punësuesi. Kur shet punën, shet veç punën, dhe jo lirinë e fjalës apo angazhimit politik. Në një shoqëri normale avancimi në punë, apo edhe heqja prej punës, nuk do të duhet të ndërlidheshin me shprehjen e mendimeve dhe me angazhimin politik, por me cilësinë e punës që bëhet. Fatkeqësisht, jetojmë të kundërtën e asaj që do të duhet të ishte normale.

Në kushte të tilla kur detyrimi financiar i heq prej diskutimit publik profesionistët dhe përgjithësisht të punësuarit, diskutimi publik pushtohet në rrjete sociale nga të papunët e të pakulturuarit, ndërsa në mediat "prestigjioze" nga ata njerëz të cilët paguhen "për të qenë të lirë", siç janë analistët. E pikërisht këta bëjnë thirrje që dikujt që shprehet e angazhohet qytetarisht sipas vullnetit të vet "t'i ndalet paga"?

Thirrjet për censurim ekonomik (ndalje të pagës) ndaj Visar Ymerit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk janë vetëm goditje politike ndaj partisë opozitare, nuk janë as thjesht kundërshtim i idesë për bashkim me Shqipërinë, apo për ruajtje të flamurit e simbolikave shqiptare në Kosovë. Ato janë thirrje për varfërim të diskutimit publik e kufizimit të angazhimit politik, janë thirrje për ndalje të lirisë së fjalës për ata që marrin pagë apo për ndalje të pagës për ata që kanë liri fjale. Kësisoj, ato thirrje janë për të kundërtën e progresit shoqëror dhe të demokracisë.