Imagjino se je një lider tashmë i etabluar mirë i një shteti ballkanik, me kontroll solid të partisë në pushtet, dhe ke vendosur se për të mbetur në pushtet gradualisht duhet t’i rrënosh institucionet demokratike që janë ndërtuar me vite të tëra prej kolapsit të komunizmit, para një gjenerate.
Tashmë ke nisur shtypjen e mediave, frikësimin e kundërshtarëve politikë, dhe në heshtje ke rrënuar mekanizmat e kontrollit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor ka një problem: Po ashtu përpiqesh të anëtarësohesh në Bashkimin Evropian, një gjë që e di se do ta shtojë popullaritetin tënd te votuesit. Dhe kjo nuk do të funksionojë nëse nuk e bind Brukselin se je një liberal-demokrat i besueshëm që i respekton diversitetin dhe vlerat e tolerancës.
Në rastin e Serbisë, ti e emëron për kryeministre një grua të re, të arsimuar në Perëndim, pjesëtare e komunitetit LGBT. Kjo, në çdo rast, është çka ka bërë presidenti Aleksandar Vuçiq. Tani, pyetja është nëse dikush do ta marrë këtë emërim seriozisht.
E nominuara, Ana Brnabiq 41-vjeçare, nuk ka përkatësi partiake dhe kurrë nuk ka qenë e zgjedhur për asnjë pozitë. Ajo hyri në politikë vitin e kaluar, kur Vuçiqi e bëri atë ministre të Administratës Publike dhe vetëqeverisjes lokale. Derisa roli i presidentit supozohet se është në masën më të madhe ceremonial, gjerësisht pritet që Vuçiqi të vazhdojë të mbajë pushtetin. Ai madje edhe vetë e tha këtë, kur e shpalli se Brnabiq do të përqendrohet vetëm në ekonomi, derisa ish-kryeministri Ivica Daçiq, “në esencë, do të udhëheqë pjesën politike” të Qeverisë. (Si paradoks, Daçiqi, i cili sikur Vuçiqi e nisi karrierën si një aleat i ish të fuqishmit serb Slobodan Milosheviqit, ka një histori të deklarimeve e komenteve homofobe).
Serbia, e cila u bë kandidate për anëtarësim në BE më 2012, por edhe më tej mban lidhje të afërta me Moskën, është një vend me shoqëri konservatore: pak më pak se gjysma e respondentëve të një sondazhi nga viti 2012 thanë se “homoseksualiteti është një sëmundje që duhet të trajtohet”. Një “Pride”, paradë në vitin 2010 përfundoi me dhunë, pasi që gati 150 njerëz u lënduan kur u sulmuan nga protestuesit antigej. Paradat “Pride” nuk janë lejuar më nga autoritetet deri në vitin 2014. Në vitet e fundit ato u militarizuan shumë, me rreth 5.000 policë që mbronin rrugën nga kalonte parade.
Vendimi i Vuçiqit është lavdëruar menjëherë nga mediat perëndimore dhe është mirëpritur nga diplomatët ndërkombëtarë. Por disa vëzhgues janë skeptikë. Ata thonë se Serbia po përpiqet të risigurojë Perëndimin se ajo i përkrah vlerat evropiane, ndërsa po e maskon trendin e autoritarizmit në rritje.
Që nga nominimi, shumë pjesëtarë të partisë së presidentit dhe koalicionit qeverisës janë ankuar për zgjedhjen e Brnabiqit për shkak të orientimit të saj seksual dhe me ditë të tëra votimi i saj nga Parlamenti serb ishte vënë në pikëpyetje. Vuçiqi duket se ka siguruar mjaft përkrahje për të siguruar zgjedhjen e saj. Megjithatë, ka dyshime të përhapura se sa do të jetë ajo e aftë të arrijë.
Koen Slootmaeckers, një monitorues i Serbisë në Universitetin Queen Mary në Londër, thotë se nominimi është vetëm një shembull i freskët i strategjisë së presidentit për “evropianizimin taktik”, në të cilin ai i përkrah me fjalë vlerat e ashtuquajtura perëndimore derisa në të vërtetë i rrënon normat demokratike.
“Nominimi i Brnabiqit për kryeministre është një përpjekje për të fashitur opinionin perëndimor dhe për t’ua dhënë atyre një argument për komisarët e BE-së dhe kancelarët, si dhe diplomatët se, ai në fakt, nuk mund të jetë aq i keq nëse po e nominon një grua homoseksuale për kryeministre”, thotë Slootmaeckers.
Marrë parasysh dobësitë e opozitës, eurokratët e shohin Vuçiqin si politikanin më të rëndësishëm në Serbi dhe supozojnë se ai është çelësi i mbajtjes së paqes në rajonin e parehatshëm. Shumë politikbërës evropianë besojnë se ish të fuqishmit nacionalistë janë të vetmit liderë në Ballkan, që mund të realizojnë reformat e nevojshme për t’i sjellë vendet e tyre në krah të BE-së. Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, në Austri, i referohet kësaj qasje si “stabilitokraci”.
Në rastin e Serbisë, liderët evropianë po u japin prioritet negociatave delikate me Kosovën, Pavarësinë e së cilës Beogradi ende nuk e njeh, sikur edhe afrimin e Beogradit t’u bashkohet përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur nën kontroll ndikimin rus rajonal, që është në rritje. Por kjo strategji e mbështetjes në një person bart rrezikun e dëmtimit afatgjatë të demokracisë dhe tashmë po i bën disa serbë, përndryshe proevropianë, të ndihen të ngopur me BE-në.
Të premten, Vuçiqi u nderua me një inaugurim, të cilin partia e tij e krahasoi me funeralin e Mareshalit Jospi Broz Tito, i cili e udhëhoqi Jugosllavinë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij, më 1980. Liderët e 38 vendeve ishin të pranishëm në funeral, një testament për rolin e Titos si lider i Lëvizjes së të painkuadruarve. Ajo traditë e balancimit mes Lindjes dhe Perëndimit është e popullarizuar te publiku serb, dhe është një gjë që Vuçiqi ka dëshirë ta kopjojë.
Brnabiq pritet të betohet më 30 qershor, me shumë më pak fanfare. Një uebfaqe serbe kushtuar stilit të jetës së saj i përmblodhi pritjet për mandatin e saj në një artikull të titulluar “42 gjërat që do të ndryshojnë në Serbi me një kryeministre homoseksuale”. Pranë secilit numër në listën e postuar ishte një hapësirë boshe, përveç te numri 42, ku thjesht thuhej “ASGJË”.
Valerie Hopkins është gazetare e lirë që punon në Ballkan. Ky shkrim është nga gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post”. “Koha Ditore” ka marrë lejen për ribotim nga gazeta dhe autorja)
Klikoni KËTU për ta lexuar shkrimin në origjinal.