Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çfarë po ndodh brenda Kombëtares?

Një ndeshje që nisi me himnin shqiptarë të duartrokitur nga italianët dhe nuk përfundoi me 90 minutat e luajtura aty. Kanë kaluar pak ditë, por shija e keqe e asaj ndodhie në Palermo, ende nuk ka kaluar.

Por çfarë ndodhi në Renzo Barbera? Për këtë u fol në Top Story këtë të hënë, ku i ftuar ishte kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një panel me gazetarë sportivë e dashamirës të sportit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kreu i FSHF-së tha se nuk justifikohet dhuna e prodhuar nga një grup tifozësh shqiptarë atje.

“Nuk kam përgjigje për veprime të tilla të papranueshme. Nuk gjej asnjë arsye që u japin të drejtë të bëjnë të tilla veprime në stadium. Nuk justifikohet në asnjë arsye”, thotë ai.

Por a nisi e gjitha kjo nga sjellja e Federatës me grupimet e tifozëve në ndeshjen me Serbinë dhe Izraelin në Elbasan Arena?

“Keqtrajtimi me Serbinë e Izraelin? Nuk më duken arsye sepse forcat e sigurisë kanë bërë detyrën e tyre në këto ndeshje. Edhe nëse e kanë tepruar në ndonjë rast, ka mënyra të tjera si mund të zgjidhet kjo. Kjo në asnjë rast nuk jep të drejtën që të cenosh të drejtat e të tjerëve që vijnë në stadium. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe në asnjë rast nuk mund të përkrahen nga askush”, tha ai.

Artan Hoxha, që ndoqi nga afër episodet në ndeshjen Itali-Shqipëri, tha se ato cenuan në përgjithësi imazhin e vendit.

“Gazetat e mëdha në Angli dhe në Gjermani u hapën me Shqipërinë, një imazh që ja dhamë vetë, pavarësisht se këto media nuk kanë qenë asnjëherë dashamirëse me shqiptarët”, deklaroi ai.

Sa i takon përgjegjësisë, përveç autorëve të trazirave, ai e ndan në dy pjesë, këtej dhe matanë Adriatikut.

“Autoritetet italiane kanë përgjegjësinë e tyre dhe për këtë do të dënohen nga FIFA si vend organizator. Por kjo është edhe përgjegjësi e Federatës, sepse trazirat kanë ndodhur në sektorin e stadiumit që i ishte besuar FSHF-së. Biletat kanë qenë në dispozicion të Federatës tonë dhe Federata ja ka dhënë një grupi tifozësh të caktuar”, deklaroi ai.

Hoxha, përkundër pretendimeve të tifo-grupimeve se janë keqtrajtuar nga Federata, ndan një tjetër qëndrim.

“Ata thonë që federata i ka keqtrajtuar, por unë them që Federata i ka përkëdhelur. Grupime të tilla tifozësh janë favorizuar në momente të caktuara”, thotë ai.

Gazetarja sportive, Enkelejda Zeko kërkon që të mos hiqet asnjë paralele mes asaj që ndodhi në Palermo me ato që ndodhen në Beograd.

“Krahasimi me atë që ndodhi në Beograd nuk qëndron dhe është shumë i gabuar. Mos e nxijmë akoma më shumë veten”, deklaroi ajo.

Gazetari Dritan Shakohoxha thotë se të tilla episode janë metoda të huliganizmit jugosllav.

“Është vetëm në vendet e lindjes. Huliganizmi ka qenë institucion në Jugosllavi dhe ka patur shumë lidhje me politikën. Justifikimi që e bëmë kundër Federatës është një justifikim idiot”, thotë ai.

Duka: I trembem huliganizmit të tifozerisë

Armand Duka është mes 13 kandidatëve për 8 vende në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Por sa e dëmton kandidaturën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë evropiane të futbollit ndodhia e Palermos?

“Sigurisht që nuk është një promocion pozitiv kjo që ndodhi”, thotë ai.

Megjithatë, më shumë sesa dëmtimi i mundësive për të qenë në Komitetin e UEFA-s, Duka ka një tjetër shqetësim.

“Ajo që më shqetëson më shumë është se nëse fenomene të tilla do të trashen dhe të arrijmë deri tek ajo që ndodhi në Beograd. Kemi shumë vende në Evropën Lindore që tifozeritë degjenerojnë dhe përdoren edhe për qëllime të tjera, jo vetëm sportive”, tha ai.

Për të shmangur këtë ai bëri thirrje që të bëhen bashkë kundër dhunës si media, shoqëria ashtu edhe FSHF.

Çfarë po ndodh brenda Kombëtares?

Armand Duka përsëriti mbështetjen e tij për vendimet e trajnerit De Biasi. Ai thotë se suksesi i skuadrës mund të sigurohet vetëm përmes disiplinës dhe punës në grup.

“Nuk përkrah asnjë vendim individual, por se kush luan dhe kush jo, atë e vendos trajneri. Xhaka nuk është aktivizuar, por nuk ka ikur pa lejen e trajnerit nga ekipi. Trajneri i ka dhënë leje atij dhe përsa kohë trajneri nuk thotë që Xhaka ka thyer disiplinën, Federata s’ka si e dënojë”, deklaroi ai.

Presidenti i FSHF-së fajëson euforinë e evropianit për gjendjen e skuadrës, por u shpreh optimist se ekipi po e tejkalon atë.

“Ekipi nuk ka të njëjtën performancë me atë para evropianit dhe në evropian. E kam thënë që duhet t’i japim fund festës dhe të rikthehemi me këmbë në tokë. Ne nuk jemi aq të mëdhenj. Ne mund të bëjmë rezultat duke djersitur shumë, duke dhënë më shumë sesa 100 për qind, duke bërë atë që bëmë para dhe gjatë Evropianit. Kjo është ajo që skuadra nuk ka bërë mirë pas Evropianit. Kam patur shumë dëshirë që ta fillonte kthesën me Italinë edhe me rezultat, se me lojë e bëri. Shpresoj që të fillojmë të marrim kthesën në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh ai.