Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhokeri i gjeneratës së artë

Ka plastifikuar dhjetëra faqe të rubrikës së sportit në “Rilindje”. Secila prej tyre pasqyron suksese të Nazif Gashit si pjesë e Klubit të Boksit të Prishtinës në ish-Jugosllavi. Mirëpo, suksesin e madh të Gashit dhe boksit kosovar e kishin veçuar edhe teknikisht redaktorët e gazetës së vetme të përditshme të kohës.

“GASHI E MUNDI KAMPIONIN EVROPIAN”, shkruhej në 2 dhjetorin e vitit 1974. Shkrimi shoqërohej me një fotografi të Gashit, teksa e godet me të majtën direkt në fytyrë Marjan Beneshin me gardin e shpartalluar, shkruan “Koha Ditore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gashi do ta plastifikojë edhe një fotografi që e përjetëson momentin kur gjyqtari ia ngre dorën e djathtë si fitues i meçit historik kundër boksierit që la gjurmë në historinë e boksit jugosllav. “Muharrem Spanca, pensionist i policisë, njeri që i kishte ruajtur gazetat e atëhershme të Jugosllavisë, ma dërgoi një ditë. E kishte fotografuar”, thekson Gashi, që për pak shkëputet prej “Rilindjes”, duke spikatur fotografinë në celular.

Marjan Benesh ishte boksier me të cilin në vitet shtatëdhjetë krenohej tërë Jugosllavia. Ishte kampion i katërfishtë i ish-Jugosllavisë, nëntë herë kampion i Bosnjë-Hercegovinës, kampion i boksit amator evropian më 1974 dhe kampion i Evropës në profesionalizëm më 1979.

Hakmarrja e madhe

Gashi iu hakmor Beneshit për humbjen e parë që ia shkaktoi kur u ndeshën më 1971 me Prishtinën si mysafire e ekipit “Sllavija” nga Banja Lluka. Ishte dueli i dytë në karrierën e Gashit, lindur më 1951, në fshatin Mramor në Prishtinë. Megjithatë, ai nuk u dorëzua dhe shumë shpejt rimori veten. Shënoi fitore të njëpasnjëshme me klubin më të suksesshëm të sporteve kolektive në Kosovë në ligat jugosllave. Pesë herë do të shpallej kampion në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit prishtinas. Për katër vjet me radhë ishte pjesë e përfaqësues së Jugosllavisë.

“Jam sportisti i parë që e kam çelë derën e reprezentacionit të Jugosllavisë. Kam dokumente, sepse ka të tjerë që thonë, por pse nuk i nxjerrin dokumentet”, thekson Gashi gjatë një interviste të gjatë. Nëpërmjet fotografive e shkrimeve në “Rilindje” shpalos pjesë të karrierës. Fitorja ndaj Beneshit në dyluftimin e dytë në fakt ishte meçi i finales së turneut të tetëmbëdhjetë “Dorëza e artë” në Beograd.

“Gongun e artë” do ta fitonte në Shkup dy herë radhazi më 1975 e 1976. Gashi thotë se kishte derdhur shumë djersë për arritjen e sukseseve. Nuk kishte munguar në asnjë stërvitje a meç si pjesë e klubit nga Prishtina. Madje preferonte që të shkonte i pari e të dilte i fundit nga palestra ... (më gjerësisht lexoni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)