Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Grupi KOHA sot shpall më të mirët

Tradita e shpalljes së më të mirëve të vitit në sport nga Grupi KOHA vazhdon. Më të mirët e vitit 2017 do të shpallen të premten (sot) nga ora 19:30, në ceremoninë që do të mbahet në Hotel Emerald, në Prishtinë. Do të ndahen shumë mirënjohje për sportistët dhe klubet që kanë pasur rezultate të dalluara gjatë vitit 2017.

Do të vlerësohen sportisti më i mirë i ri i vitit, sportistja më e mirë e re e vitit, sportisti i vitit, sportistja e vitit. Po ashtu do të ndahen mirënjohje për klubin më të mirë të vitit te meshkujt dhe klubin më të mirë të vitit te femrat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për më të mirët vendos juria shtatë anëtarësh e përbërë nga personalitete të ndryshme të sportit, në bazë të propozimeve të bëra nga redaksitë e sportit të gazetës "KOHA Ditore" dhe televizionit KTV. Po ashtu do të shpallet sportisti i vitit sipas votimit në internet, përkatësisht në koha.net, ndërsa Grupi KOHA ndan edhe disa mirënjohje të veçanta për personalitete të ndryshme të fushës së sportit.

Ceremonia e Grupit KOHA tashmë është prej më prestigjiozeve në vend për shpalljen e më të mirëve. Çmimet e Grupit KOHA shpesh vlerësohen si matësi më i mirë para vlerësimit që sportistët marrin nga federatat përkatëse.

Konkurrenca për më të mirët e vitit ishte e madhe, sidomos në disa kategori. Në vitin 2017 sërish janë dalluar xhudistët, me medalje në kampionate evropiane dhe në ngjarje tjera të mëdha. Klubet e sporteve ekipore nuk kanë pasur suksese shumë të mëdha, por ka pasur individë që janë dalluar në sukseset historike të përfaqësueseve. Juria nga bota e sportit ka marrë për bazë sukseset e sportistëve me klube e përfaqësuese kur ka vendosur për më të mirët.

Tradita e shpalljes së më të mirëve të vitit nga KOHA ka nisur në vitin 1997.