Trajneri i “Kuqezinjve”, Christian Panucci, doli në një konferencë për shtyp, ku analizoi miqësoren me Turqinë dhe si trajtoi çështje të ndryshme të Kombëtares shqiptare.
“Nuk e di sesa ka ndryshuar skuadra. Unë mundohem t’i jap cilësinë më të mirë të mundshme, sepse kemi shumë pak kohë për të punuar. Qaka është një lojtar me shumë talent dhe unë jam shumë i kënaqur që e grumbullova. Ajdareviqi gjithashtu ka cilësi, por i duhet dhënë më shumë besim. Unë kam idetë e mia, De Biasi ka pasur të tijat, sigurisht që do të ketë ndryshim. Shpresoj të arrij rezultatet e De Biasit”, ka thënë Panucci, raporton Supersport.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër ndeshjen me Turqinë, ai thotë se ekipi i tij tregoi karakter të fortë, pikërisht ajo çfarë dëshiron ai.
“Mendoj se në pjesën e parë ndaj Turqisë pamë punën që kemi bërë në Antalia. Luajtëm një futboll të shkëlqyer. Në fakt, u bënë dy ndeshje, në pjesën e parë kishim shumë kualitet, ndërsa në pjesën e dytë kur, mbetëm me 10 lojtarë, luajtëm me karakter. U demonstrua ai karakter që unë dëshiroj, duke mos toleruar asgjë. Futbollistët kanë qenë të jashtëzakonshëm gjatë qëndrimit në Antalia, rezultati është produkt i këtij qëndrimi profesionist”, ka thënë ai.
Tekniku italian ka paralajmëruar prurje të reja në kombëtaren shqiptare, në mënyrë që të krijohet grupi për eliminatoret e Evropianit.
“Do të kemi një grumbullim në mars, ku do të shohim 2-3 futbollistë. Duhet të kemi një bazë të rëndësishme, për të krijuar grupin që do të jetë në eliminatoret e Europianit. Janë 5-6 lojtarë të cilët i kam parë në video, por duhet t’i shoh edhe nga afër. E sigurt që do të ketë prurje të reja në mars”, shprehet Panucci.
Ai më tutje ka shtuar se është shumë e rëndësishme puna e lojtarëve në klubet e tyre.
“Siç stërvitesh, ashtu do të luash. Mendoj se kemi cilësi për të arritur objektiva të rëndësishme. Është e rëndësishme që lojtarët e besojnë tek ato që unë them. Kam parë që lojtarët janë të drejtpërdrejtë, janë shprehur dhe kjo më pëlqen shumë. Është shumë e rëndësishme puna e lojtarëve në klubet e tyre”, ka thënë trajneri italian.
Ai më tutje ka shtuar se, “kam shumë besim te Aliji dhe Lenjani, te Memolla. Shpresoj shumë që Aliji të gjejë skuadër në janar. Më duket shumë e çuditshme që nuk ka skuadër. Do të vijë edhe në mars, nëse nuk transferohet diku. Edhe Veseli mund të luajë në atë krah. Hysaj për momentin është i paprekshëm në rolin e tij, por askush nuk e ka vendin të sigurt në kombëtare”.
Ai ka vlerësuar lart Ylber Ramadanin nga ekipi Shpresa të Shqipërisë, por edhe 4-5 lojtarë të tjerë pa përmendur emra.
“Ramadani është lojtar që do të bëjë pjesë në grupin tonë më pëlqen shumë, por janë edhe 4-5 lojtarë të tjerë për të cilët kam folur edhe me Bushin. Nuk i them emrat sepse janë të rinj”, thotë Panucci.
Panucci ka folur edhe për eliminimin e Italisë, për të cilën ka thënë se nuk është e rastësishme.
“Si italian më vjen shumë keq që përfaqësuesja e vendit tim ka mbetur jashtë Botërorit, por faji është i të gjithë sistemit, asgjë nuk është e rastësishme. Do të jetë shumë e vështirë për Italinë që të kthehet në nivelet më të larta. Italia nuk dëshiron t’i gjejë elementët për të ndërtuar një kombëtare të fortë, por ky nuk është problem im”, ka thënë ai.