Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Korrupsioni i FIFA-s, dëshmitari thotë se Messit i jepnin 200 mijë dollarë për miqësore

Hijet e ryshfetit dhe korrupsionit që dy vite më parë përfshinë krerët e FIFA-s dhe të futbollit botëror, tashmë duket se po shtrihen edhe mbi futbollistin më të famshëm të botës, Lionel Messi.

Emri i “pleshtit” argjentinas është përmendur nga bashkëkombasi i tij, Alejandro Burzaco, ish-administrator i deleguar i “Torneos y Competencias”, në atë që është kthyer në dëshminë kyç të procesit që po zhvillohet në Nju Jork.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dëgjesën e fundit të zhvilluar dje, e treta në total që e ka pasur për protagonist, Burzaco ka deklaruar se kishte paguar shpesh ryshfete prej 200 mijë dollarësh për Messin dhe futbollistë të tjerë të kombëtares “albiceleste” për të marrë pjesë në miqësoret e organizuara nga Federata argjentinase e Futbollit “AFA”.

Aktualisht në arrest shtëpiak, Burzaco ka arritur një akord me drejtësinë amerikane në këmbim të reduktimit të dënimit. Marrëveshja parashikon që Burzaco të tregojë fije e për pe sesi ishte strukturuar sistemi i ndërlikuar i korruptimit brenda FIFA-s, që doli në dritë dy vite më parë nga një kontroll i autoriteteve zvicerane në hotelin ku ndodheshin krerët më të lartë të futbollit botëror, transmeton Top Channel.

Në ditët e fundit, Burzaco ka përmendur emra të fuqishëm, duke nisur nga Julio Grondona, ish-numri një i futbollit argjentinas dhe ekonomist i FIFA-s, për të cilin ka deklaruar se i kishte paguar në mënyrë të paligjshme rreth 15 milionë dollarë për të drejtat televizive të Botërorëve deri në vitin 2030.

Veç Grondonës, i cili u nda nga jeta në korrik të vitit 2014, ish-shefi ekzekutiv i “Torneos y Competencias” ka folur edhe për përfshirjen e grupeve të mëdha editoriale, si “Globo” apo “Televisa”, që kanë hedhur menjëherë poshtë çdo akuzë.

Emri i fundit i përmendur nga ish-drejtuesi argjentinas është ai i Messit, i akuzuar se ka marrë disa herë ryshfete prej 200 mijë dollarësh.

“Po, i paguanim Messit 200 mijë dollarë për çdo ndeshje miqësore të zhvilluar”, ka konfirmuar Burzaco ndaj pyetjes së magjistratit amerikan në krye të këtij hetimi. “Shuma i paguhej atij, e më pas ai ngarkohej me detyrën për ta shpërndarë me disa nga shokët e tjerë të skuadrës”.

Një deklaratë kjo për t’u hetuar më tej, sepse Burzaco nuk ka dhënë detaje të mëtejshme që do të ndihmonin në vërtetësinë e saj, por që me shumë mundësi drejtësia amerikane do të kërkojë më shumë drejt vlefshmërisë.