Yjet e Kosovës përshëndeten me Bunjakin

Yjet e Kosovës përshëndeten me Bunjakin

12 tetor 2017 22:26

Yjet e përfaqësueses së Kosovës kanë përshëndetur përzgjedhësin Albert Bunjakin dhe e kanë falënderuar atë për gjithçka që ka bërë për përfaqësuesen gjatë kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”.

Bunjaki është larguar nga Kosova menjëherë pas eliminatoreve, gjatë së cilës fazë nuk arriti më shumë se një pikë në dhjetë ndeshjes.

Ndër të fundit që kanë reaguar janë Milot Rashica, Amir Rrahmani e Hekuran Kryeziu.

“Të gjithë e dimë se rezultatet nuk janë ashtu siç i kemi pritur ne dhe e gjithë Kosova, por ju siguroj se unë dhe bashkëlojtarët e mi kemi dhënë maksimumin. Ndeshje pas ndeshje jemi bërë më të fortë duke iu treguar të gjithëve se shumë shpejt do të jeni krenar me ne. Është vetëm viti i parë dhe ne sapo kemi filluar rrugëtimin tonë. Faleminderit Dardanëve dhe gjithë atyre që na përkrahën pa marrë parasysh rezultatet. Dhe në fund, faleminderit Albert Bunjaki, njeriu që ka dhënë gjithçka nga vetja për përfaqësuesen e Kosovës. Gjithmonë do të mbahesh mend si trajneri i parë historik, Kosova dhe historia e saj nuk do të ju harrojnë asnjëherë”, ka shkruar Milot Rashica në Facebook.

Në Facebook ka shkruar edhe Rrahmani i cili ka thënë se i vjen keq që s’kanë arritur të shijojnë suksese të mëdha bashkë me Bunjakin. “Falënderim i madh për trajnerin Albert Bunjaki për të gjitha. Për mua do të jetë një njeri i veçantë në jetën time”, ka shkruar ai.

Hekuran Kryeziu i ka uruar sukses trajnerit në të ardhmen.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme