Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rreth 30 mijë euro shpërblim për Smajlajn

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, ka pritur kampionin e Evropës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj.

Në këtë takim, Nikolla e vlerësoi atletin 23-vjeçar, duke i premtuar edhe mbështetjen e mëtejshme të qeverisë, në mënyrë që ai të stërvitet sa më mirë për të synuar objektiva më madhorë.

“Ne do të mbështesim me zemër dhe jo vetëm, në mënyrë që ti të vijosh stërvitjen dinjitoze, e pse jo, të shpallesh edhe kampion bote. Na ke dhënë një shtysë të fortë që të bëjmë edhe më shumë për sportin”, tha ministrja.

Vetë Smajlaj nuk e fshehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe premtimet që i janë dhënë, sidomos në këtë periudhë pas suksesit në Europian: “Shpërblim do të ketë sepse është e caktuar me ligj. Thjesht po pritet përgjigjja e antidopingut. Më tej, i di vetë shteti punët”.

Përfitimin financiar në bazë të ligjit prej 4 milionë lekësh (rreth 30 mijë euro), Izmir Smajlaj do ta marrë pas mbërritjes së përgjigjes së analizës së dopingut, e cila ka një afat rreth 2 javë pas garës, raporton TCH.

Pritja në Ministrinë e Arsimit e Sporteve nuk ishte i vetmi event ku mori pjesë Izmir Smajlaj. Kampioni i Evropës në atletikë u takua edhe nga drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar. Në të njëjtën kohë, në adresë të Federatës Shqiptare të Atletikës erdhi edhe një urim nga legjenda e atletikës botërore, 9 herë kampioni olimpik, Carl Lewis: “Zoti Ruli, dua t'ju komplimentoj për arritjet tuaja në atletikë, në mënyrë të veçantë në kërcim së gjati. Urime! Me respekt, Karl Ljuis”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo