KB Sigal Prishtina nesër bën debutimin historik në Ligën e Kampionëve.
Klubi më i trofeshëm në vendin tonë, kundër skuadrës bjelloruse, Tsmoki-Minsk, do ta bëjë sefte aventurën në Ligën e Kampionëve, sfidë kjo që luhet në Pallatin e Rinis dhe Sporteve në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKrerët e kryeqytetasve, të hënën në një takim me media, kanë bërë më dije se kanë bërë me kohë të gjitha përgatitjet për debutimin në Champions.
Ata shprehen të vetëdijshëm për sfidat që e presin skuadrën “bardhekaltër” në Ligën e Kampionëve, por sipas tyre, Sigal Prishtina do të japë më të mirën në sezonin e parë në këtë garë të madhe evropiane, transmeton KosovaPress.
Drejtori i Sigal Prishtinës, Florian Miftari tha se kjo ndeshje është sfida më e rëndësishme në historinë e klubit prishtinas. Ai ka ftuar adhuruesit e basketbollit që të jenë në numër sa më të madh, sepse sipas tij, tifozët janë lojtari i gjashtë i skuadrës nga kryeqendra e Kosovës.
“Ekipi është i kompletuar, gjithçka është gati, përgatitjet për këtë ndeshje janë maksimale dhe do të ketë shumë befasi në organizim, ku do të ketë edhe lojëra shpërblyese dhe aktivitetet të ndryshme kulturore. Normalisht, unë jam këtu që të bëjë thirrje që të vini në numër sa më të madh, ta përcillni këtë ndeshje, sepse është historike dhe është njëra nga ndeshjet kryesore që Sigal Prishtina e luan si klub e që ekziston nga viti 1970. Andaj i ftoj të gjithë adhuruesit e basketbollit, pavarësisht se nga janë, në radhë të parë “Plisat” dhe të gjithë ata që e donë basketbollin të vijnë dhe ta ndihmojnë këtë klub, sepse prezenca e juaj, të jeni të bindur, atmosfera që dini t’i krijoni është jetike për ne dhe numri sa më i madh i juaj në palestër, motivi për lojë do të jetë shumë më i madh”, ka thënë Miftari.
Optimist për paraqitje të mirë të Sigal Prishtinës në duel me Tsmoki-Minsk, është shprehur edhe trajneri Ahmet Kandemir.
Ai thotë se skuadrat që luajnë në Ligën e Kampionëve kanë buxhet shumë më të madh se skuadra e Prishtinës, por sipas tij, në parket luajnë kapaciteti i lojtarëve e jo buxheti. Tekniku turk mendon se kjo ndeshje është e rëndësishme jo vetëm për Sigal Prishtinën, por edhe për shtetin e Kosovës. Kandemir thekson se skuadra e tij është në formë të mirë, dhe sipas tij, basketbollistët do të japin gjithçka nga vetja për ta fituar ndeshjen kundër skuadrës bjelloruse.
“Në këtë ligë të kampionëve ka ekipe që kanë buxhet shumë më të madh dhe ekipe shumë serioze. Për shtet dhe për klub është një fillim i ri, normal se kur të dalim në buxhet nuk luajnë rol buxhetet, por kapacitetet e lojtarëve. Edhe për kohën shumë të shkurtër që kemi pas me ekip për përgatitje, lojtarët kanë reaguar shumë mirë dhe janë shumë mirë të përgatitur, sikurse të kishim pak më shumë kohë për me u përgatit, mirëpo, ky është realiteti. Normalisht se edhe ardhja e reprezentacionit të Kosovës me vonesë na ka shkaktuar pak probleme dhe kundërshtari i parë është Minsk. Çdo lojë e fillojmë prej arenës tonë, në këto eliminatore, është shumë më mirë që të fillojmë si mysafirë lojën, është avantazh i madh, është shumë më mirë të luhet loja si vendas e dyta, normal që është edhe koshdallimi, nëse mendojmë më thjeshtë është t’i fitojmë dy ndeshjet, në atë do të punojmë. Normalisht se ne duhet ta fitojmë lojën e parë. Besoj dhe shpresoj se do të kemi përkrahje të madhe nga tifozët, jo vetëm për adhuruesit “Plisat”, por edhe për shtet është shumë e rëndësishme kjo lojë, duke e marrë parasysh se Sllovenia me një numër të vogël banorësh u bë kampion i Evropës, ka mundësi që kjo i jep shpresë Kosovës të reagojë. Jemi në formë të mirë dhe do të bëjmë çmos që ta fitojmë ndeshjen”, ka theksuar Kandemir.
Edhe basketbollisti më i mirë në radhët e Sigal Prishtinës, Dardan Berisha është i bindur se skuadra e tij do të jap më të mirën në duelin kundër ekipi bjellorus. Ai thotë se bashkë më bashkëlojtarët e tij do të japin maksimumin që të shkruajnë historinë e re për klubin prishtinas.
“Definitivisht jemi të përgatitur mjaft mirë për ndeshjen historike që do ta zhvillojë klubi, por besoj edhe në përgjithësi sporti i Kosovës. Në emër të gjithë lojtarëve e di që do të japim 100 përqindëshin angazhim për ta fituar ndeshjen që është shumë e rëndësishme për ne. Pres të vijnë sa më shumë shikues, e di që “Plisat” do të jenë aty, por edhe gjithë qytetarët dhe adhuruesit e basketbollit duhet të jenë aty dhe të na ndihmojnë sa më shumë, sepse dihet për ne janë lojtari i gjashtë, kështu që jemi të motivuar dhe e dimë përgjegjësinë tonë çfarë e kemi. Unë për këtë sfidë kam ardhur në KB Prishtina, kështu që definitivisht do të bëjmë gjithçka për të shkruar edhe një herë histori në klubin më të madh në shqiptari të basketbollit, kështu që do të jetë një sfidë shumë e madhe edhe për ne, por besoj edhe për sportin e Kosovës”, ka pohuar Berisha.
Në fund u tha se biletat për ndeshjen Sigal Prishtina- Tsmoki-Minsk, do të dalin në shitje nesër në orën 15:00 tek NewBorn, ndërsa ndeshja fillon në orën 18:00.