Takimi ndërmjet Gjilanit dhe Lirisë, 0-0, ka qenë mjaft e tensionuar.
Liria përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Gjilanin për dhunë ndaj lojtarëve të saj, transmeton Koha.net. Sipas klubit prizrenas Albin Memaj është në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, pasi ishte grushtuar nga futbollisti i Gjilanit, Gëzim Rusi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Lirisë nuk kishin munguar edhe fyerjet e “Skifterave”ndaj futbollistëve të saj.
“Loja ka qenë shumë e tensionuar tërë kohën si pasojë e presionit të vendësve. Ndërkaq, publiku ka qenë po ashtu agresiv duke fyer e kërcënuar futbollistët dhe bankinën prizrenase. Në minutën 20-të Gëzim Rusi i vendasve qëlloi më grusht, Albin Memajn e Lirisë pas së cilës pati një ndërprerje 7-të minutëshe, derisa u përjashtua Rusi”, thuhet në postimin e Lirisë.
Me këtë rast Memaj ka lënduar rëndë syrin e tij dhe ende është në tretman mjekësor në Gjilan.
“Memaj u bartë me autoambulancë në Spitalin e Gjilanit. Ai, pësoi një lëndim në syrin e djathtë. Albin Memaj, me gjasë ka lëndim serioz ngase në ORL-në e Gjilanit ai ndodhet ende për trajtim mjekësor”, thotë Liria.

Klubi nga Prizreni gjithashtu thotë se nën presion ranë edhe referat, sidomos i katërti, Mentor Baliu.
“Pas kësaj presioni i vendasve shtohet edhe më shumë. Në këtë situatë referët, sidomos i katërti , Mentor Baliu bie nën ndikim, dhe për çudi, pa të drejtë ndëshkon me të kuq Fisnik Ramadanajn (ishte rezervë) dhe trajnerin ndihmës, Bekim Bakaj , e largon nga banka”, thuhet në postimin e klubit prizrenas.
Gjithashtu thuhet se edhe pjesa e dytë vazhdon me agresivitet dhe sjellje të ashpra, e sidomos fyerjet e kërcënimet nga tribunat drejtuar bankinës së Lirisë. Por, fatmirësisht kjo menaxhohej disi, duke mos rënë në provokime.
“Pas përfundimit të ndeshjes, pati një tentim sulmi ndaj Ramadan Kryeziut dhe Robert Gjerajt, me mjet të fortë, por më e keqja u shmang. Fare në fund, kur ndeshja kishte përfunduar, tifozë që ishin jashtë rrethojave të stadiumit, hodhën gurë e gjësende të forta drejt autobusit të Lirisë, parkuar prapa portës. Fatmirësisht policia reagoi shpejt, dhe autobusi pati një thyerje të farit dhe disa gërvishtje në llamarinë”, thotë Liria.
Liria më tutje thotë se habiti sjellja e zyrtarëve gjilanas, që ishte tejet jo korrekte.
Më tutje thuhet se, “pas përfundimit të ndeshjes, policia e ka përcjellë Lirinë deri në dalje të Gjilanit, për çka klubi i është mirënjohës”.