Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muqolli i kënaqur me fitoren në EHF Cup

Trajneri i skuadrës Besa Famgas, Arben Muqolli, është i kënaqur me rezultatin e takimit të parë të rrethit të parë të Kupës së EHF-së (EHF Cup).

Kampionia e Kosovës në hendboll (meshkujt), të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë e mposhti Beykozin turk me tetë gola dallim, 29:21. Ndeshja e kthimit luhet më 10 shtator në Turqi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Besa është në situatë të mirë për të kaluar në raundin e dytë, ku pret skuadra suedeze Malmo.

Ndaj Beykozit, ekipi pejan ishte vazhdimisht në epërsi të lartë dhe në fund arriti fitore bindëse.

“Jam i kënaqur me rezultatin, por me paraqitjen nuk jam edhe shumë i kënaqur. Kjo për faktin që Besa mundet edhe më mirë”, ka thënë Muqolli të hënën, një ditë pas ndeshjes. Besa është skuadra e parë kosovare që garon në kupa evropiane të hendbollit këtë edicion. Do të garojnë edhe Trepça te meshkujt dhe po ashtu tri skuadra të femrave.

“Tetë gola është epërsi e mirë. Edhe më parë kam thënë që jam i kënaqur me epërsi mbi gjashtë gola nga ndeshja e parë. Por e përsëris që kemi mundur të fitojmë edhe më bindshëm”, ka shtuar tekniku pejan.

Sipas Muqollit e rëndësishme për ndeshjen e dytë është që referimi të jetë në nivel.

“Më i rëndësishmi do të jetë referimi. Ne jemi bazuar në një mbrojtje të fortë dhe nuk e di sa do të tolerojnë referët nga Italia”.

Ndeshja është luajtur para afro 800 shikuesve. Muqolli ka pritur numër edhe më të madh të shikuesve, ndërsa hendbollisti kroat i Besës, Goran Biljaka ka folur për përkrahjen që skuadra kishte nga tribunat.

“Kryesisht jemi të kënaqur me lojën dhe fitoren. Pas një kohe të gjatë kemi pasur përkrahje shumë të mirë nga tribunat, dhe ishte mirë të luajmë në një atmosferë të tillë. Në ndeshje kemi dhënë maksimumin. Kemi luajtur një ndeshje të mirë, kemi fituar, por kjo është vetëm gjysma e punës. Na pret ndeshje e vështirë në Turqi, por mendoj se mund të kalojmë në rrethin tjetër”, ka thënë Biljaka, transmeton Koha.net.

Me shtatë gola të shënuar ai ishte më efikasi, së bashku me lojtarin e ri të Besës, Tarik Mediq. Kontribut të madh dhanë edhe Haris Berisha, Kastriot Jupa, Drilon Tahirukaj, Jon Muqolli dhe të gjithë ata që luajtën.