Sport

Januzajt mund t'i shtyhet debutimi në La Liga

Mesfushorit kosovar Adnan Januzaj mund t'i shtyhet debutimi me fanellën e Real Sociedadit në La Liga të Spanjës.

Januzaj 22-vjeçar ka lënduar gjurin dhe pritet t'i mungojë Sociedadit në ndeshjen e parë të elitës së futbollit spanjoll kundër Celta Vigos.

"Prania e Adnan Januzajt në fushën e Celta Vigos është në dyshim. Edhe pse futbollisti i Belgjikës ka luajtur të shtunën kundër Sportingut në miqësoren që përfundoi 2:2, ka disa ditë që ankohet për dhimbje të gjurit", shkruan të hënën "mundodeportivo.com".

Mesfushori te skuadra spanjolle Real Sociedad u transferua muajin e kaluar nga skuadra angleze Manceshter United, për dhjetë milionë euro.

Me Socidedadin ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2022. Kampionati në Spanjë nis fundjavën e ardhshme.