Valon Behrami nga sot është lojtar i klubit italian Udinese.
Lajmin për Kohën Ditore e ka bërë publik babai i mesfushorit, Ragip Behrami, teksa është shprehur i kënaqur me kontratën e re të të birit.
Mesfushori i kombëtares së Zvicrës, deri tash lojtar i Watfordit të Anglisë, do të ketë kontratë 2+1 vjeçare me klubin italian.
“Valoni nga sot është lojtar i Udineses. Nesër udhëtojmë për në Udinese, për një kontratë 2 plus 1. Jemi të kënaqur”, ka thënë Behrami për Kohën Ditore.
Gazeta kishte raportuar edhe më parë se mesfushori kosovar Valon Behrami është i pari në listën e futbollistëve të kërkuar nga skuadra elitare e Italisë, Udinese.
Behrami 32-vjeçar nuk ishte në planet e trajnerit të skuadrës angleze Watford për edicionin e ri, 2017/2018. U la i lirë të kalojë në ndonjë klub tjetër ndonëse kishte kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.
Interesim për reprezentuesin e Zvicrës kishin shprehur edhe skuadra e Sionit. Më herët Behrami ka luajtur edhe për Hamburgun, Napolin, Fiorentinën, Lazion, West Ham Unitedin, Genoan, Veronan dhe Luganon.