Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Gazmend Bardhi, i ka dërguar një shkresë zyrtare homologut të tij kroat, Drazhen Boshnjakoviq, ku kërkohet të mos ekstradohet në serbi Ballist Morina.
Në shkresën, e cila mban datën 9 gusht, nënvizohet se autoritetet serbe mund të keqpërdorin politikisht këtë rast, dhe se vihet në rrezik jeta e shtetasit shqiptar.
Ministri i Drejtësisë bën një analizë të ngjarjes së vitit 2015 kur Morina ngriti në stadiumin “Partizani” në Beograd ku luhej ndeshja Serbi-Shqipëri, flamurin Autoktonus. Bardhi sjell në vëmendje se gjykata e arbitrazhit të sporteve në Gjenevë e ka vendosur në favor të Shqipërisë çështjen, kur tifozët serbë në nisje të sfidës Serbi-Shqipëri thërrisnin, “vrisni vrisni shqiptaret deri sa ata të shfarosen”. Madje në dosjen e kësaj gjykate është pranuar dhe dhuna ndaj futbollistëve shqiptare çka ka sjellë ndërprerjen e ndeshjes, raporton "OraNews".
Në analizën e ngjarjes, Bardhi shton se arbitrazhi ka nënvizuar se të gjitha ngjarjet nuk ishin me natyrë raciale apo ksenofobike, por janë të bazuara në arsye politike. Madje dhe deklaratat e partive serbe gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatë kanë forcuar bindjen e trupës se çështja e ndeshjes Serbi-Shqipëri është thjesht politike. Ndaj dhe ekstradimi i morinës në Beograd mund të përdoret për qëllime politike
Një tjetër element është dhe rreziku i përndjekjes së Ismail Morinës prej Serbisë dhe kjo bëhet në kuadër të sensacionit mediatik.
Bardhi sjell në vëmendje shkrime të gazetës serbe “Kurir”, ku shfaqen hapur kërcënimet ndaj Morinës. Madje në datën 5 dhjetor 2014, një biznesmen serb që jeton në SHBA, ka deklaruar se është gati të paguaj 1 milion euro për të gjetur autorin i cili lëshoi dronin në stadium.
Ndaj Bardhi kërkon prej homologut të tij kroat të marrë në konsideratë kërkesën për moslejimin e ekstradimit në Serbi duke u mbështetur në nenin 3 të konventës së Këshillit të Evropës mbi ekstradimin.