Karateisti Alvin Karaqi, është kampioni i edicionit të sivjetmë në Kampionatin Evropian për Universitete.
Ky kampionat këtë vit u mbajt në qytetin e Coimbras në Portugali, nga data 24 deri më 27 korrik, dhe u organizua nga Federata Evropiane e Karatesë, transmeton KTV.
24-vjeçari nga Prishtina e ka përfaqësuar Universitetin e Prishtinës, Kosovën si shtet, si dhe Federatën e Karatesë së Kosovës, dhe arriti një sukses të jashtëzakonshëm.
Për të arritur deri te ky triumf, Karaqi mposhti pesë kundërshtarë, Malin e Zi, Gjermaninë, Francën, Turqinë në gjysmëfinale, dhe Hungarinë në finalen e madhe.
Karateisti 24-vjeçar, që studion në Fakultetin e Mjekësisë, por që sportin e karatesë e filloi në vitin 2001, garon në kategorinë deri në 84 kg, dhe tregon se cilat meçe ishin më të vështirat në këtë garë.
Për suksesin e Alvinit, i kënaqur është shprehur edhe kryetari i FKK-së, Ismet Krasniqi.
Federata e Karatesë së Kosovës është ndër federatat e Kosovës që ende nuk është pranuar në instancat ndërkombëtare, por Krasniqi beson se një gjë e tillë do të arrihet shumë shpejt.
Karateisti Karaqi, pjesë e klubit Ippon Prishtina, garat e radhës do t’i ketë në shtator dhe tetor, në Gjermani, Turqi dhe Austri.