Sport

Një trajner gjerman në Obiliq në kampin për zbulimin e talentëve

Klubi i futbollit KEK-u prej 2 deri më 4 gusht do të zhvillojë një kamp treditor, për zbulimin e talenteve të reja, që do të jenë nën vëzhgimin e trajnerit kondicional nga Gjermania, përkatësisht nga FC Nurnberg, Markus Muhling.

Së bashku me trajnerin e skuadrës gjermane, do të jetë edhe zbuluesi i talenteve që vjen nga skuadra e Bayern Munichut, turku me pasaportë gjermane, Myslym Alver, transmeton Sporti në KTV.

Grupmoshat e reja që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij kampi, do ta kenë mundësinë të regjistrohen deri më datën 27 korrik, dhe pjesëmarrja është pa pagesë.

Në fakt, Muhling ka qenë në Kosovë edhe në muajin prill të këtij viti dhe ka vëzhguar gjithçka e analizuar në detaj çdo stërvitje. Ai ka parë talente nëpër skuadra, dhe për këtë arsye ka vendosur ta fillojë projektin që është nisur nga drejtori i “Elektricistëve”, Arben Shahini.

“Synimi im kryesor është që të punoj me të rinj. Pastaj kërkoj edhe përmirësimin në disa aspekte te trajnerët dhe të bëhet punë më e madhe, por synimi kryesor mbetet puna me fëmijët e vegjël”.

Trajneri i të rinjve të Nurnbergut zotohet për diçka të jashtëzakonshme, dhe ata fëmijë që do ta tregojnë veten dhe suksese gjatë stërvitjeve treditore, me shumë gjasë do të jenë jashtë Kosovës.

“Nëse qëllon ndonjë lojtar shumë i mirë, patjetër se do ta dërgojë në Gjermani. Por, padyshim gjëja kryesore mbetet që shumicën e lojtarëve t’i përgatisë për Ligën e Kosovës, mirëpo nëse më bie në sy ndonjë talent që do ta veçoja, do ta dërgoj në Gjermani”.

Trajneri kondicional Muhling, do të jetë ndihmesë e madhe edhe për trajnerin e skuadrës së parë, Sadat Pajazitin, me të cilin së bashku do ta përgatisë skuadrën në aspektin fizik, pasi në Kosovë do të qëndrojë për një vit.

Trajneri tjetër kondicional nga Kosova te skuadra nga Obiliqi, Ardian Sallahu, thotë se është një eksperiencë e mirë, puna me trajner evropian.

Pajisjet dhe të gjitha gjërat e tjera thuajse kanë përfunduar të gjitha, ndërsa të hënën do të bëhej përmbledhja dhe rrumbullakimi i të gjitha pajisjeve që iu duhen për një kamp sa më të denjë.