Sport

Dragusha, ish-futbollisti që merret me talentet e reja

Shkolla e futbollit “Soccer Center Zidane” është njëra ndër shkollat e futbollit që funksionon në Prishtinë. Puna në të cilën bëhet në këtë shkollë është mjaft profesionale, duke filluar nga rekuizitat që fëmijët i mbajnë veshur, edukimi, dhe disiplina që mbretëron gjatë stërvitjeve, e që udhëhiqen nga trajneri kryesor i ekipit, Muhamet Dragusha.

Ish-futbollisti i mirënjohur i futbollit kosovar, stërvitjet i zhvillon edhe me ndihmën e trajnerit tjetër, futbollistit aktiv Visar Zogianit, si dhe asistentit Diellon Dragusha. 39-vjeçari që si futbollist zhvilloi karrierë në shumë klube kosovare, përfshirë edhe Prishtinën, tregon arsyet se pse këta fëmijë vijnë të ushtrojnë te ai.

Në stërvitjen, që e përcolli Sporti në KTV të premten, Dragusha në fushë e pati gjeneratën 2005/2006, por se këta të rinj, nuk janë të vetmit që zhvillohen si futbollistë.

Në fillim të stërvitjes u pa disiplinë e madhe, me Dragushën që i tregonte secilit detyrat që i ka për t’i kryer deri në përfundim të seancës stërvitore. Treningu filloi me koordinime, të cilat ndihmojnë edhe në ngrohjen e muskujve të lojtarëve të rinj, që janë të domosdoshme para fillimit të çdo stërvitjeje. Kjo vazhdimësi zgjat deri në 20 minuta. Në stacionin e dytë, vazhdohet me koordinime të tjera, kontrollim të topit, si dhe teknikë.

Kjo shkollë e futbollit momentalisht nuk merr pjesë në gara të organizuara nga Federata e Futbollit të Kosovës, por një gjë e tillë pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Një stadium i veçantë për grupmoshat e reja, është synimi tjetër i kësaj shkolle. Në total, “Soccer Center Zidane” momentalisht numëron 115 futbollistë, ndërsa para 3 vjetësh kur ishte themeluar si shkollë futbolli, nisi me vetëm katër të tillë.