Sport

Basketbollistet kosovare jashtë Eurobasketit, FBK-ja arsyetohet se nuk ka cilësi

Më 3 korrik në Munchen të Gjermanisë, është hedhur shorti për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian për femra, që do të mbahet në vitin 2019, në Letoni dhe Serbi.

Përfaqësuesja e Kosovës, në konkurrencën e femrave, ishte ftuar për të qenë pjesë e këtyre eliminatoreve, ku pritej të debutonte për herë të parë në ndeshje kualifikuese për Evropian, transmeton Sporti në KTV.

Për dallim nga Përfaqësueset e tjera të Kosovës, në basketboll në të gjitha konkurrencat, të cilat do të marrin pjesë në ndeshje parakualifikuese për Kampionat Evropian dhe Botëror, një gjë të tillë nuk mund ta bëjë Përfaqësuesja A e Kosovës, femrat, e cila nuk do të marrë pjesë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Vendimi për të mos garuar në kualifikime, është marrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Ndër të tjera, kryetari i FBK-së, thotë se arsye për mospjesmarrje është edhe ana financiare, të cilën nuk e kanë këta të fundit.

Në këtë kompeticon do të marrin pjesë 32 ekipe, të cilat do të luftojnë për 14 vende të lira të Eurobasketit.

Garat nisin më 6 nëntor dhe përfundojnë më 22 nëntor të vitit 2018, mirëpo Kosova nuk do të jetë në mesin e tyre.