Sport

Kosova mposhtet në Kampionatin Ballkanik U18

Përfaqësuesja e Kosovës te femrat është mposhtur në takimin e dytë të Kampionatit Ballkanik për grupmoshat U18-të në volejboll. Volejbollistet kosovare u mposhtën nga Mali i Zi me rezultat 1:3 në sete.

Në ndeshjen e zhvilluar para afër 150 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, seti i parë i takoi vashave nga Kosova. Përfaqësuesja kosovare tregoi formë mjaftë të mirë dhe me sukses arriti që t’i gëzohet triumfit në fund të kësaj periudhe, 25:20.

Por, në vazhdim mungesa e koncentrimit dhe lëshimit të disa pikëve të lehta, bëri që Kosova të humb tri sete rresht.

Seti i dytë u barazua nga vashat e Malit të Zi, të cilat lehtësisht triumfuan 25:10.

Periudha e tretë e lojës ishte më e niveluar. Fillimi i lojës në këtë set i takoi malaziaseve, por më pas ekipi i vashave të Kosovës u mobilizua dhe arriti t’i bëjë konkurrencë e në një moment rezultati u barazua edhe në 14:14. Por më pas erdhi kundërpërgjigja e mysafireve, të cilat e mbyllën setin në të mirë të tyre 25:18.

Krejt në fund, erdhi në shprehje gabimi i kapjeve të topit të parë nga skuadra “verdhekaltër”, dhe volejbollistet nga Mali i Zi triumfuan 25:16.

Ndeshjen e radhës, Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë të hënën ndaj Shqipërisë.

Përfaqësuesja e cila e përfundon garën në vendin e parë në grup nga 5 skuadrat pjesëmarrëse, shpallet edhe Kampione Ballkanike për të reja.